Zall-Gjoçaj- destinacioni i jashtëzakonshëm turistik rrezikohet nga hec-et

lajm |kauzë ambjentaliste |  25.05.2020 | nyje.al 
Nuk janë të pakta herët që i kemi kushtuar hapësirë në platformën tonë çështjes së mbrojtjes të burimeve ujore të fshatit Zall-Gjoçaj dhe zonave përreth, pjesë e Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Kjo për shkak të domosdoshmërisë për të rritur vëmendjen ndaj rrezikut që i kanoset parkut kombëtar nga ndërtimi i hec-eve Sekë dhe Zais nga kompania “Seka Hydropower”, mbi lumin Flim dhe lumit Urakë.
Tashmë prej më shumë se një viti qëndresë të banorëve të zonës, aktivistëve ambjentalistë, të rinjve dhe disa prej ish- banorëve të zonës- tashmë banorë të Kamzës, interesimi dhe angazhimi i tyre vazhdon pavarsisht vështirësive të krijuara nga masat drastike të vendosura nga qeveria Rama.
Pa të drejtë proteste, në pamundësi për të lëvizur dhe në vështirësi për t’u grumbulluar, menjëherë pas lirimit të lëvizjes në zonat e gjelbra, disa prej aktivistëve dhe banorëve të zonës janë rikthyer në Parkun Kombëtar të Zall-Gjoçajt, në të cilin po përparojnë me shpejtësi punimet e firmës ndërtuese. Filmimet që tregojnë përparimin e fadromave janë publikuar tashmë në faqen zyrtare Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, në të cilat vërehet pakënaqësia dhe rebelimi i banorët të zonës.
Procesi gjyqësor i çështjes Zall-Gjoçaj është momentalisht i pezulluar, ashtu si shumë çështje të tjera simotra në Gjykatën Administrative, ndërkohë që firma koncensionare nuk ndalet përballë ligjit dhe drejtësisë. Përpos përpjekjeve për të denoncuar në rrugë ligjore dhe administrative ndërhyrjet e paligjshme, ndërtimet ndotëse e shkatërruese ndaj parkut, banorët vazhdojnë t’i bëjnë thirrje medias që të përcillet zëri i tyre deri në instancat përgjegjëse shtetërore.
Nga grumbullime masive në Zall-Gjoçaj, në Mat e në Tiranë, te aksionet simbolike të banorëve dhe ngritjes së çadrës të qëndresës në Zallin e Melthit, tashmë banorët së bashku me përkrahësit e tyre kanë realizuar një video të shkurtër në të cilën shpaloset bukuria natyrore dhe ende e paeksploruar e Parkut-Kombëtar Zall Gjoçaj.

https://www.facebook.com/zallgjocaj/videos/260898678489014/

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje