Dita e Verës mua më fut ethet

13.03.2019 | nyje.al

Dëgjova diku, nëpër shtëpi, pa i kushtuar fare rëndësi se kush e tha, që dhe pak e po afrohet Dita e Verës. Afrimi i kësaj date këto vitet e fundit ka krijuar gjithnjë një reaksion kimik tek unë. Jo për kënaqësinë e kohës së ngrohtë, as për përshëndetjen e fundit me dimrin, që në vendin tim vjen gjithnjë i acartë, por për faktin që më duhet të bëj mobilizimet e duhura për t’ia mbathur nga ky vend. E tani që e mendoj më duket që jam shumë vonë. Nuk kam mbledhur asgjë.

Dita e Verës më fut ethet. E kështu më janë ngatërruar gjithnjë kohët e stinëve. Përgjatë pesë viteve të studimit për të përballuar jetesën, mësova dhe punova si kamerier në disa bare të vendlindjes e më pas në ato të kryeqytetit derisa mbarova ciklin trevjeçar. Pas diplomimit master filloi të më vriste shumë ideja që unë isha i diplomuar për marrëdhënie diplomatike dhe nuk po shkëutesha dot nga uniforma e kamerierit. Kisha frikë që nuk do ndahesha kurrë me të. Disa thoshin që kjo është shenjë mendjemadhësie dhe se unë duhet të vazhdoja sërisht. Fakti që në barin e fundit nuk kisha bërë asnjë ditë pushim që prej një viti e gjysmë më krijonte një nyje në fyt. Me thyente. Duke përfshirë disa ditë ku qëndroja dy turne mendoja që këmbet e mia kushedi çfarë distance kanë përshkruar përgjatë gjithë asaj kohe. Pesë vite jetë duke u endur pas porosive kafe-makiato dhe me raste duke u shërbyer edhe atyre që më kishin vrarë mundësitë. Për fatin tim shumë të keq ato kohë lexova Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë. Nyja u mblodh edhe më.

Sot që jemi në prag të Ditës së Verës, me aq fuqi sa kam, më duhet të mendoj për skemat e mundshme. Gjetjen e parave, pasaportë italiane false, portet e famshme franceze apo varjen tek shpresat e strehimit tek ndonjë i afërm që jeton andej. Nuk është aspak e këndshme për një njeri aq me tepër për një të ri, pjesa kur bëhesh barrë për të tjerët. Në shtëpi edhe kur ha bukë më duket sikur më shikojnë sa e mbush lugën apo si e përtyp ushqimin, babai më shumë.

Nëse para një viti, pak përpara se të largohesha, isha kamerier në kryeqytet dhe ditëve të fundit bëja dhe shijoja vrapin në Qytetin Studenti tek Fusha e Zezë, sot pa një punë, më duhet të përsëris disa herë xhiron në bulevardin e shkurtër të qytetit tim, derisa t’i përgjigjem thirrjes së brendshme për ta braktisur këtë vend.

Kur të kem marrë trenin e fundit nga Franca për në tunel të Lamanshit me siguri do të më kujtohet se fjalën “edhe pak po afrohet Dita e Verës” në shtëpi e ka thënë Nëna. Duke menduar këtë gjë kushedi çfarë trajte mund të marrë fytyra ime në tren, pikërisht mu atëhere kur policët e kontrollit si për inerci do të dyshojnë në identitetin tim (italian), teksa mbaj në duar librin “1984” të Orwellit, kinse për t’i hutuar ata, dhe që të mos lë përshtypjen e një ilegali. E në Ditën e Verës, ashtu siç qëlloi vitin e shkuar, unë nuk do jem më në shtëpinë time. Natyrisht që në shpirtin e nënës stina e verës ka lidhje  me shëndetin dhe suksesin e fëmijëve të saj. Ajo nuk e di akoma që unë kam fjetur në stacione metroje duke përdorur çantat si jastëk, apo se jam varur në shasinë e kamionave. Por nuk e di as se po bëj gati përgatitjet e radhës.

Nënë, më fal nëse dielli i kësaj vere do të të ngrohë më pak. Unë dua (do) të iki.

Leave a Reply