Estetika e Varfërisë

Nebi Bardhoshi |08.04.2020 |nyje.al
Shënime etnografike për Ditën Ndërkombëtare të Romëve
Parantezë
Në kohën e Partisë së Punës, romët vinin herë pas herë në lagjen ku jam rritur. Nuk e di pse, por dukej sikur ndryshonin stinët kur vinin Romët, ose romët vërtet vinin kur stinët ndryshonin. Më shumë vinin në vjeshtë.  Vinin gra, burra, fëmijë bashkë. Gratë ishin të veshura me rroba me shumë ngjyra, por veç rrobave me shumë ngjyra shisnin dhe shumë shami me ngjyra. Ato shami i kam parë në veshjen me kanacë të gjanë, gjatë dasmave. Dominonte një shami në ngjyrë të verdhë, ose të roztë në të kuqe, me plot trëndafila në qendër e me fije ari.
Romet shisnin bojra, më mirë të themi shisnin ngjyra. I shisnin në disa pako të vogla. Më është fiksuar se bojrat ishin disa gurza në ngjyrë të bruztë. Ngjyrat provoheshin në shpinën e dorës së majtë të shitëses. Ose në njërën dorë të blerësit. Por veç shumë ngjyrave që sillnin për syrin, kishte dhe ngjyra të tjera. Ndonjë grua në moshë rome, mund të parashikonte fatin. Romët akuzoheshin se hanin fëmijët prandaj na thonin “kujdes prej tyre”, ndërkohë ishin po ata që i pyesnin ato gra në moshë rome për fatin dhe për të ardhmen.
Të pyesësh për fatin në kohë socialiste nuk ishte një shkelje e vogël! Fatin e kishte në dorë vetëm Partia! Kujtoj atë imazh të gruas në moshë e cila në këmbim të fallit nuk kërkonte lekë, por ndonjë kokërr vezë. Kërkonte heshtje e pak diskrecion. Heshtje dhe diskrecion, që siguronte dhe njëfarë kujdesi ndaj Partisë, por edhe krijonte atmosferën e duhur të së magjishmes.
Burrat blinin kuaj. Po të vëzhgoje me kujdes, ata e lexonin gjithë trupin e mëzit apo kalit. Ata shikonin ngjyrat e thundrave, mënyrën se si thundra e këmbëve të mbrapme përputhej apo jo me gjurmën e thundrave të këmbëve të para, vëzhgonin ngjyrat, jelën, dredhat e ndryshme nëpër fytyrë. Kur nuk donin që ne t’i kuptonim, gjithnjë flisnin romalisht. Kombinimi i shenjave fliste për natyrën që kishte kali. Këto shenja përdoreshin si cilësi për blerje, nuk e di a përdoreshin edhe si të tilla edhe kur kuajt shiteshin.
Në pazar ishin shumë të vendosur. E mbanin mend mëzin që s’e kishin blerë vitin që shkoi. Ky imazh më ka ardhur fill më pas, kur pashë filmin “Vdekja e Kalit”. Burrat ose u shërbenin grave duke i shoqëruar apo shitur materialet ose veçoheshin për të blerë kuaj. Burrat që nuk merreshin me blerjen e kuajve qëndronin pas grave. Me sa duket ata e dinin se kishin të bënin me njerëz që e kishin shumë bezdi të shikonin burra të tjerë ndër gra e fëmijë të tyre. Fëmijët rrinin poshtë duarve të nënave me ngjyra, shamia, në krahë të tyre, e në mes grave dhe burrave, rrallë shkëputeshin edhe drejt nesh.
Shkurt, romët sillnin më shumë ngjyra e arratisje prej rutinës diktatoriale se askush tjetër. E megjithatë, ne dimë pak për vuajtjet e tyre.
Në Kamëz, Kohë Demokracie!

Fotografia nga Nebi Bardhoshi
Fotografia nga Nebi Bardhoshi

Secila lagje në Kamëz ka një ditë të javës kur mblidhen plehrat. Banorët duhet t’i nxjerrin ato pranë shtëpisë dhe një kamion vjen e i mbledh. Pak përtej rrugës “Demokracia” mbledhja ndodh ditën e enjte. Në rrugën “Altruisti” një ditë tjetër, e kështu me radhë.
Krahas mbledhjes me ditë, ka një sistem tjetër mbledhjeje plehrash. Çdo ditë të javës, në çdo kohë, kohë lufte apo gjendje të jashtëzakonshme, aty mbledhin plehra romët dhe ata në rang ekonomik si romët. Kohët e fundit diçka ka ndryshuar. Kudo shikon një sistem tjetër të mbledhjes së plehrave. Shfaqet një karrocë, rimorkio e vogël, dhe një thes dy-tre metra i lartë. Thesi, lartësia dhe ngjyra e tij, vetëm sa krijuan një shenjë te re prej asaj që ishte më parë. Shenjë e cila lidhet me kërkesën për plastikë. Plastika zë më shumë vend.
Na ishte mësuar syri me mbledhësit e hekurave dhe mbeturinave të hekurta. Ato sikur ishin bërë pjesë e peizazhit tonë të zakonshëm. Një rom, një njeri tjetër po ashtu i këputur nga vështirësitë e jetës, bashkë me disa copa hekuri mbledhur, dhe nisja drejt pikës së shitjes.
Më kujtohet vite më parë, teksa kaloja nëpër një grumbull të frikshëm plehrash, i thashë vetes po sikur të ndaloj e të bisedoj. Ndalova dhe pimë nga një gotë raki mu në mes të grumbullit të frikshëm të plehrave që kutërbonte erë dhe digjej në katër anët njëkohësisht. Në plehra kishte aq shumë ushqime prej teprisë sa nuk di si ta tregosh. Kosha me patate, domate, speca të kalbur.
Petro ishte banor i këtij grumbulli plehu. Kishte një strehë dy tre metra tej vendit ku ishim ulur. Më tha se e kishte një familje. Gruaja e djali i tij jetonin në Milano. Se si e tek nuk kishte dëshirë të fliste. Një zonjë na u afrua teksa ishim ulur rreth zjarrit dhe me pyeti:  “Ti do të na ndihmosh dot gjë? Jo – i thashë prerazi, – skam asgjë në dorë. Mundohem vetëm të shkruaj çfarë shoh. Atëherë zonja më tha: “Shumë mirë që nuk na gënjen. Jemi lodhur vetëm duke u gënjyer. E çfarë, përsëri në plehra përfundojmë. Pse, jetë është kjo?” Pastaj biseda rrodhi në absurdet e etnografisë. “Ne romë jemi, romë. Gabelë na thonë, çfarë s’na thonë, po ska problem aman…” Petro, teksa fërkon mjekrën e tij pak të thinjur, me dorën tjetër gërvish pak krahun. “Ja të gervishtësh këtu, çfarë del? Gjak del apo jo? Njëlloj si unë, si ty, si dora jonë, si dora  juaj. Njerëz jemi.”
Në Kamëz, si kudo gjetkë, ka tepri, ka kalbëzim, ka plehra me lloj-lloj mallrash, ose se mallrat kur arrijnë këtu janë tashmë në gjendjen e skarcos, ose morali i fitimit nuk e lejon tregtarin inatçor t’ia falë dikujt para se ta hedhin. Fqinjëson tepria dhe skamja. Atë ditë e mbyllëm në një kafe të Valiasit. Pimë aq shumë raki sa nuk di të them. Në fakt nuk e ndjeja fare shijen e saj. Po ndjeja shikimin e kujtdo që unë isha në tavolinë me Emilion. Një rom që ishte moshë me mua, i martuar, kishte një vajzë e priste dhe një fëmijë tjetër.
Një ditë tjetër, isha pak përtej rrugës “Demokracia”. Pashë një karrocë mbushur me mbeturina, por të vendosur në mënyrë shumë estetike. U afrova. Fillova të bëj foto. Nuk kishte njëri pranë. Mendja të shkon te kuti etik. A duhet apo jo të bësh foto, si e tek, pastaj për shqetësimet e cilësisë së fotos, pastaj se si do ta përdorësh këto foto, a do ta përdoresh ndonjëherë apo jo, a ka rëndësi apo jo të dokumentosh një gjë të tillë, a ka rëndësi të dokumentosh diçka që kushdo e sheh me sy?
Teksa po bëhesha gati të largohesha, dikush i afrohet karrocës mbushur me plehra, e vendosur me një kujdes të pazakontë. Isha ndërdysh. Të largohesha apo të ndaloja për të biseduar? Dilema erdhi pasi mu duk sikur dikush më zuri duke bërë foto një objekti që nuk më përkiste. Ato nuk ishin më plehra, ato kishin fituar cilësinë e pronës. Majde, për një moment kishin fituar në sytë e mi edhe një sens estetik, edhe pse e dija që një pikëpamje e tillë ishte pak të thuhet se ishte cinike. Personi që u afrua quhej X.G. Pamë njëri-tjetrin, e më pas e përshendeta. Si je? Ai mu përgjigj në dialekt nga veriu. Në të folmën e X.G-së kishte disa zanore që përdoren në pellgun e Drinit të Zi. Unë nuk i lëshoj dot ato zanore.  E pashë sërish në fytyrë.
Mendimet e mia kritike përplaseshin. Është rom, është egjiptian, është nga Pellgu i Drinit të Zi. Pas shpinës së X.G-së, kryqëzohej rruga “Demokracia” me një rrugë tjetër, me emër të njohur. Të gjitha këto mendime me ndroje etike, u shpërblyen nga pyetjet e X-G-së. Nga biseda doli që X.G kishte studiuar dikur në shkollë të lartë, mbaruar liceun artistik, e kishte pasur pedagogë Androkli Kostallarin, Stefanaq Pollon, Alfred Uçin.
Kam jo pak histori të njohjeve të shkurtra me rom e egjiptian, të cilët janë tejet të skajuar në shoqërinë tonë. E di që shoqëria jonë ka brenda vetes kulturën  e mbijetesës, ngërthyer jo pak me kulturën e skamjes, e skajimit. Por nëse nuk ia dalim të dallojmë romin e egjiptianin, dhe njerëz të tjerë që i kemi skajuar në skajet e kulturës së skamjes, nuk na bën të dalim prej egalitarizmit banal krijuar nga kultura e mohit. Pra të një kulture që mohon barazisht mundësinë tonë për t’u përballur me frikërat, ndrojet, paragjykimet e trashëguara apo të krijuara prej nesh. Unë se mohoj se sa herë kam takuar romë e egjiptianë, kam zënë veten në befasi duke menduar se sa pak i njoh, e para se t’i takoja kam besuar se tashmë i njoh.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje