Gazetaria si vokacion apo profesion?!

nyje.al | 24.04.2020

Shkrimi i mëposhtëm është shkëputur nga leksioni, tashmë klasik, i sociologut Max Veber, ‘Politika si Vokacion’ i dhënë për studentët në Mynih në vitin 1919. Max Veberi njihet si një ndër themeluesit e sociologjisë, dhe ka dhënë kontribut të vyer në analizën e kapitalizmit, kulturës që formohet rreth tij, lindjes së modernitetit dhe rreziqeve që i kanosen shoqërisë moderne nga përdorimi instrumental i arsyes dhe tëhuajësimi i individit brenda instancave burokratike.

Në këtë tekst, Veberi tregon historinë e themelimit të shteteve moderne si rezultat i mposhtjes së shtresave fisnike të rendit feudal nga princat në mopolizim e sipër të pushtetit. Po ashtu, Veberi tregon për pozicionet e para shoqërore të këshilltarëve të princave, klubet e para politike dhe formimin e partive politike me anëtarësi të gjerë, prej nga del, sipas tij, domsodoshmëria për politikanë karizmatikë që ia dalin të mobilizojnë masat përtej fuqisë së strukturave organizative burokratike. Në historinë e mendimit politik dhe sociologjik, ky leksion njihet për përkufizimin e famshëm të shtetit që jep Veberi si, “një komunitet njerëzor që pretendon (me sukses) monopolin e përdorimit të ligjshëm të forcës fizike brenda një territori të dhënë.” Mirëpo, ne këtu po ndajmë pjesën përgjatë leksionit ku Veberi flet për gazetarinë dhe rëndësinë e saj në sferën publike dhe politike.

Faqja e parë e gazetës “Aurora” me shkrimin e famshëm të Émile Zola për çështjen Dryfus

“Demagogu” është tipi i politikanit drejtues në Perëndim që nga koha e shtetit kushtetues,  madje edhe më herët, që nga koha e demokracisë. Shija e pakëndshme e fjalës nuk duhet të na bëjë të harrojmë se nuk ishte Kleoni, përkundrazi, ishte Perikliu i pari që e mbajti këtë emër. Pa post zyrtar ose – në kontrast me postet që ziheshin me anë të shortit në demokracinë antike – i ngarkuar me postin e vetëm me zgjedhje, atë të kryestrategut, drejtoi asamblenë e popullit të Athinës. Demagogjia moderne përdor edhe fjalimin, madje në një shkallë të jashtëzakonshme, po të mendojmë fjalimet që duhet të mbajë një kandidat modern gjatë zgjedhjeve. Por sidoqoftë, akoma më me efikasitet përdor fjalën e shkruar. Publicisti politik dhe para së gjithash gazetari është përfaqësuesi më i rëndësishëm i sotëm i kësaj gjinie.

Edhe vetëm për ta skicuar sociologjinë e gazetarisë moderne politike do të ishte krejtësisht e pamundur në kuadrin e këtij leksioni. Vetëm pak gjëra që i konsiderojmë më të qenësishmet do t’i trajtojmë këtu. Gazetari ndan të njëjtin fat me të gjithë demagogët, ndër të tjerë  me avokatin dhe artistin. Në kontinentin europian dhe në kontrast me rrethanat angleze dhe me ato të mëparshme prusiane, atij i mungon klasifikimi social i qëndrueshëm. Ai bën pjesë në një lloj kaste pariah 1, e cila në “shoqëri” vlerësohet nga ana sociale gjithnjë në bazë të përfaqësuesve të saj me nivel më të ulët etik. Prandaj për gazetarët dhe punën e tyre janë përhapur përfytyrimet më të çuditshme. Jo kushdo kupton që një vepër vërtet e mirë gazetareske kërkon të paktën po aq shumë “mend” sikurse ndonjë vepër e dijetarit, para së gjithash si pasojë e domosdoshmërisë për të prodhuar menjëherë, me komandë dhe për të bërë menjëherë përshtypje, sigurisht në kushte krejtësisht të tjera të krijimtarisë. Që përgjegjësia është shumë më e madhe dhe që edhe ndjenja e përgjegjësisë e çdo gazetari të ndershëm si mesatare, nuk qëndron aspak më ulët se ajo e dijetarit – përkundrazi më lart, siç na e mësoi lufta – kjo nuk çmohet pothuajse kurrë, sepse nga vetë natyra e gjërave mbeten në kujtesë pikërisht veprat e papërgjegjshme gazetareske, për shkak të efektit të tyre shpesh të frikshëm.

Askush nuk beson që për më tepër aftësia për të heshtur e gazetarit disi të zot, qëndron mesatarisht më lart se ajo e njerëzve të tjerë, e megjithatë kjo është e vërtetë. Tundimet pakrahasimisht shumë të mëdha që ky profesion mbart me vete dhe kushtet e tjera të veprimtarisë gazetareske në kohën e tashme, shkaktojnë ato pasoja, të cilat e kanë ambientuar publikun që ta sodisë shtypin me një përzierje midis përçmimit dhe burracakërisë së vajtueshme. Sot nuk mund të flasim se çfarë duhet bërë në këtë drejtim. Ne na intereson këtu çështja e fatit politik të profesionit të gazetarëve, çështja e shanseve të tyre për të arritur në pozicionet e udhëheqësve politikë. Deri tani shansi ishte i favorshëm vetëm në Partinë Socialdemokrate. Por brenda saj, vendet e punës si redaktorë, shumica kishin karakterin e pozicionit të një nëpunësi shtetëror dhe nuk ishin themeli për të arritur në pozicionin e një udhëheqësi.

Në partitë borgjeze, e marrë në tërësi, kundrejt brezit të mëparshëm, shansi i ngjitjes drejt pushtetit politik u përkeqësua në këtë rrugë. Për ndikimin e shtypit dhe për marrëdhënie me shtypin kishte nevojë natyrisht çdo politikan me rëndësi. Por që drejtuesit e partisë të dilnin nga radhët e shtypit, kjo ishte plotësisht një përjashtim dhe nuk duhej pritur. Arsyeja gjendet në “pazëvendësueshmërinë” e gazetarit pa pasuri e të lidhur me profesionin, e cila diktohet nga rritja e jashtëzakonshme e intensitetit dhe nga aktualiteti i veprimtarisë gazetareske. Domosdoshmëria e fitimit të bukës së gojës nëpërmjet shkrimit përditë ose përjavë të artikujve i rri havale nëpër këmbë politikanëve dhe unë njoh shembuj ku natyra drejtuese janë paralizuar nga ky detyrim përgjithmonë, si nga ana e jashtme e para së gjithash shpirtërisht, në ngjitjen drejt pushtetit. Që lidhjet e shtypit me pushtetet sunduese në shtet dhe në parti në kohën e regjimit të vjetër ishin për nivelin e gazetarisë aq të dëmshme sa s´mundej më, ky është një kapitull më vete. Këto raporte ishin ndryshe në vendet kundërshtare. Por duket se edhe atje e për të gjitha shtetet moderne vlen fjalia që punëtori i gazetarisë fiton gjithnjë e më pak ndikim politik, kurse bosi kapitalist i shtypit – i llojit të “Lord” Northcliffe – gjithmonë e më shumë.

Sigurisht tek ne ishin si rregull deri tani shqetësimet e mëdha kapitaliste të gazetave, që kishin shtënë në dorë para së gjithash zinxhirin e gazetave “Generalanzeiger” me “reklamat e vogla”, mbarështuesit tipikë të indiferencës politike. Sepse me politikë të pavarur nuk mund të fitohej asgjë. Para së gjithash s´fitohej dashamirësia e dobishme për biznesin e pushteteve sunduese politike. Biznesi i lajmërimeve është edhe rruga në të cilën gjatë luftës masivisht u bë përpjekje që të ndikojë mbi shtypin, luftë e cila po vazhdohet edhe sot. Edhe pse mund të pritet që shtypi i madh t´i shkëputet kësaj rruge, situata për gazetat e vogla është prapëseprapë shumë më e vështirë. Por sidoqoftë tani për tani tek ne karriera në gazetari nuk është një rrugë normale e ngritjes së udhëheqësve politikë, sado që në vetvete mund të ngjajë tërheqëse dhe të ndikojë në përgjegjësinë politike.  Ndoshta duhet patjetër të presim për të parë nëse kjo rrugë nuk është më e tillë apo akoma nuk është e tillë. Nëse heqja dorë nga principi i anonimitetit, të cilën disa gazetarë – jo të gjithë – e konsiderojnë të drejtë, do të ndryshojë diçka këtu, kjo është vështirë të thuhet.

Ajo që ne përjetuam në shtypin gjerman gjatë luftës në lidhje me “drejtimin” e gazetave nga personalitete me talent shkrimtari të rekrutuar posaçërisht, të cilët u shfaqën shprehimisht përherë me emrin e tyre, ka treguar, fatkeqësisht, në disa raste të njohura, se me këtë rrugë nuk kultivohet me aq siguri një ndjenjë e lartë e përgjegjësisë, sikurse do besonim. Ishin – pa dallim partiak – pjesërisht pikërisht gazetat me nam më të keq të bulevardeve që synuan dhe arritën në këtë mënyrë një shitje më të lartë. Zotërinjtë përkatës, botuesit si dhe gazetarët e sensacioneve fituan pasuri, por sigurisht nuk fituan nder. Me këto nuk kemi thënë asgjë kundër braktisjes së principit të anonimitetit; çështja është më e koklavitur dhe ajo dukuri e sensacionit nuk ka vlerë përgjithësuese. Por deri tani nuk ka qenë rruga drejt një udhëheqjeje të pastër ose drejt funksionimit të përgjegjshëm të politikës. Mbetet të presim se si do të zhvillohen më tej raportet në këtë drejtim. Por në të gjitha rrethanat, karriera në gazetari mbetet një nga rrugët më të rëndësishme të veprimtarisë profesionale politike. Ajo nuk është një rrugë për këdo, shumë më pak për karaktere të dobta, veçanërisht nuk është për njerëz të cilët mund ta ruajnë ekuilibrin e tyre të brendshëm vetëm në një situatë të statusit të sigurtë. Në qoftë se jeta e një dijetari të ri vihet në lojë si në bixhoz, ai është prapëseprapë i rrethuar nga norma të qëndrueshme të statusit të tij që e mbrojnë atë nga dalja nga binarët. Por jeta e gazetarit është në çdo drejtim kokë e këmbë bixhozi vetë, e pikërisht në kushtet që vënë në provë sigurinë e brendshme të tij në një mënyrë të tillë sa vështirë të ndeshet në ndonjë situatë tjetër.

Përvojat shpesh të hidhura në jetën profesionale ndoshta nuk janë as e keqja më e madhe. Pikërisht gazetarit të suksesshëm i shtrohen kërkesa të brendshme veçanërisht të vështira. Nuk është aspak vogëlsi që të qarkullosh në sallonet e të fuqishmëve të Tokës gjoja në të njëjtin nivel dhe shpesh të të lajkatojnë në përgjithësi të gjithë, sepse të kanë frikë dhe ta dish që sapo të kesh dalë nga dera, i zoti i shtëpisë ndoshta duhet të justifikohet tek mysafirët e tij për shkak të shoqërimit me “maskarenjtë e shtypit”. Sikurse nuk është fare vogëlsi që të duhet të shprehesh flakë për flakë dhe në formë bindëse mbi gjithçka dhe ndaj çdo gjëje që kërkon tamam “tregu”, mbi të gjitha problemet e mundshme të jetës, pa rënë absolutisht jo vetëm në cektësi, por para së gjithash, pa humbur dinjitetin, duke e zhveshur veten dhe pa rënë në pasojat e tyre të pamëshirshme. Nuk është e habitshme ajo që ka shumë gazetarë të shkarë nga binarët njerëzorë ose të zhvleftësuar, por e habitshme është që megjithatë, pikërisht kjo shtresë përmban një numër kaq të madh njerëzish të vlershëm dhe tërësisht të kulluar, fakt që së jashtmi njerëzit nuk e marrin me mend.

________

[1] Pariah do të thotë indian i kastës më të ulët ose pa kastë. Në një kuptim të  figurshëm do të thotë i paprivilegjuar; i përzënë nga shoqëria (shën. i përkth).

 

Leave a Reply