Gratë mes Virusit, Fabrikës dhe Familjes

nyje.al | 19.03.2020

Nuk prodhojnë maska spitalore, as xhel dizinfektues, as barna farmaceutike dhe as produkte ushqimore, por aksesorë dhe veshje për markat më të shtrenjta italiane. Ndaj sot, me mijëra punëtorë në fasoneritë e Kamzës e qytete të tjera gjenden të detyruar për të vazhduar punën, edhe në kushtet e shtetrrethimit.

Puna vullnetare e detyruar e punëtorëve në industrinë fason në Shqipëri na rrëfen sesi edhe në kohë fatkeqësish natyrore apo pandemish, punëtorët e fabrikave përjashtohen nga parimi absolut i së drejtës për mbrojtjen e individit në rastet e fatkeqësive. Punëtorëve u duhet të zgjedhin mes jetës dhe punës për jetën, e që të mund të zgjedhin jetën u duhet të punojnë. Ata tashmë prej një jave, edhe pse në kushtet e një fatkeqësie natyrore, kanë rifilluar punën normalisht me frikën e pamundësisë për të përballuar papunësinë dhe humbjen e vendit të punës.

“Më mirë vdes në punë, se të vdes në shpi” është përgjigja e një punëtori që rri në dyert e jashtme të një prej fabrikave fason në Bathore, e cila ka rifilluar normalisht aktivitetin e saj që në krye të kësaj jave. Janë dy godina të mëdha e të larta prej 5 katesh në rrugën “Demokracia” të Kamzës në të cilën punojnë me qindra gra për prodhimin e këpucëve me destinim shitjeje në tregjet italiane. Nga dritaret e hapura të kësaj godine dëgjohet zhurma e makinerive të punës. Herë pas here, në katin e tretë dallohet lëvizja mekanike e një punëtoreje me përparëse jeshile e me shpinë nga rruga, si mënyrë për të lënë pas krahësh qetësinë e qytetit që paralajmëron rrezik.

Fasoneri në Bathore, Kamëz
Fasoneri në Bathore, Kamëz, 17 mars 2020

Kamza është shembulli tipik i qytetit që ofertën kryesore (e mbase të vetme) për punësim masiv e ka industrinë fason.  Në vitin 2017 ish- Zyra e punës në Kamëz ka informuar se janë mbi 9000 të punësuar në fasoneri në Kamëz. Nga të dhënat e siguruara prej Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në vitin 2019 rezultonin mbi 6000 punëtorë në këtë industri dhe mbi 70 subjekte të regjistruara si industri fason në Kamëz. Pavarësisht të dhënave kontradiktore dhe asnjëherë të sakta të institucioneve përgjegjëse, kushdo që jeton në Kamëz e di mirë se numri i të punësuarve faktik është më i lartë se ai që tregohet nga zyrat e shtetit. Këtë e ka pohuar dhe Inspektoriati i Punës për rastet e punësimit pa kontrata dhe pa sigurime.

Ndërkohë që qeveria merr masa sa vjen e më të ashpra kundrejt kufizimit maksimal të lëvizjes së këmbësorëve, makinave, anulimin e transportit publik, ndalimin e qëndrimit në vende publike apo lëvizje mes qytetesh pa autorizime, duket që asnjë prej këtyre masave nuk e prek interesin e biznesit fason. Oraret e lëvizjes në mëngjes dhe ato të kthimit mbasdite janë të njëjta me turnet e punës në fabrika. Nëse nuk qarkullon me urban, merr automjetin personal. Nëse s’ke automjet personal, fabrika kujdeset të të sigurojë autobus apostafat për këtë punë, anipse mund të jenë me dhjetra gra ngjit e ngjit e që nuk respektohet “numri 3” i personave në një automjet. Por edhe nëse asnjë nga këto nuk gjindet, frika se mos humbet vendi i punës ka bërë që shumë punëtore të qarkullojnë me biçikleta apo të përshkruajnë 2 orë rrugë në këmbë.

Disa fabrika, të gjendura në kushte të vështira dhe pa udhëzime të qarta nga qeveria sesi duhet të veprojnë kanë mbyllur aktivitetin e tyre deri në një udhëzim tjetër më të qartë. Ndërkohë që shumë simotra të tjera po përmbushin kërkesat e klientëve të huaj me ritëm normal. Madje, disa prej tyre nëpërmjet politikave të brendshme për të joshur edhe më shumë punëtorët po i “shpërblejnë” ata që po rrezikojnë jetën me një shumë prej 100 lekë ekstra në ditë, një shumë e papërfillshme për rroga që mezi arrijnë në 30.000 lekë në muaj.

Nuk është aspak më e mirë gjendja e punëtoreve në qytete apo periferi të tjera.

Adriana* 64 vjeçare detyrohet të udhëtojë çdo ditë nga Babrruja në Kombinat me biçikletë, për të kapur orën 7 të mëngjesit për punë. Anila* niset në orën 5 të mëngjesit dhe arrin në 7 e pak, duke përshkruar në këmbë rrugën Laprakë-Kombinat. Nga të dhënat e siguruara në terren, disa prej fabrikave italiane në këtë zonë ende nuk kanë kryer një nga proceset minimale të garancisë në punë: dizinfektimin e hapësirave dhe tavolinave të punës. Gjithashtu punëtorë të tjerë na bëjnë me dije se ka pasur raste që janë dërguar në shtëpi punëtoret që kanë udhëtuar së fundmi drejt Italisë, por kjo masë nuk është shoqëruar me dizinfektim të fabrikës.

Nëse në shumë prej fabrikave pronari ua ka lënë të hapur mundësinë e qëndrimit në shtëpi të punëtorëve por duke ua rikujtuar që nuk do të paguhen, nuk mungojnë rastet kur punëtorët janë kërcënuar me humbjen e vendit të punës nëse nuk paraqiteshin brenda një afati-ultimatim nga pronari i ndërmarrjes. Në Durrës, ditën e hënë, në një prej fabrikave fason shumë prej punëtorëve që nuk kishin ardhur në mëngjes, pas një breshërie telefonatash nga pronarët dhe përgjegjësit janë detyruar të vijnë brenda orës 10 të mëngjesit vetëm për të mos humbur vendin e punës përgjithmonë. “E kisha vendosur të mos ikja në punë për shkak të frikës së sëmundjes dhe rrezikimit të familjes si burim infektimi, por pasi më morën në telefon në mëngjes e më urdhëruan të dilja në punë brenda orës 10, u detyrova të shkoja ashtu siç isha me rroba shtëpie e urgjent vetëm të mos e humbisja vendin e punës.”

Shumica e këtyre punëtoreve janë dhe debitore në bankat e nivelit të dytë. Nën presionin e punës, mbajtjes së familjes dhe pagesës së kredive tashmë të marra, vajtja në punë në këto ditë të vështira ku thirrja e vetme instiucionale është “rrini në shtëpi” është e keqja më e vogël për to, e keqja e domosdoshme.  Frika nga virusi për këto gra është privilegj. Ashtu siç është i domosdoshëm për mbijetesën e virusit trupi i kafshës së egër dhe ai i joni, ashtu është edhe fabrika e domosdoshme për mbijetesën e këtyre grave dhe familjeve të tyre. Në sferën tonë politike dhe publike këto gra janë të padukshme. Shfaqja e tyre me kërkesat e tyre do t’i frikësonte edhe më shumë se virusi politikanët, biznesmenët dhe burrat që kujdesen për t’i zhdukur nga shfaqja publike.

______

Emrat janë vendosur për të ruajtuar anonimitetin e punëtorëve. 

This Post Has One Comment

  1. Sana

    Ju lutemi perktheni artikullin ne italisht, identifikoni kompanite qe perfitojne nga tortura e kepagesa e vakzave, grave dhe nenave shqiptare, edhe ne keto kohe dramatike, e kerkoni ta publikoni ne mediat Italiane me qellim qe te sillni sa me shume vemendje ndaj keti problemi dhe revolte pertej detit. Le te kuptojne se ne c’kushte prodhohen leckat me te cilat shesin pordhe.

Leave a Reply