Lakorja e ankthit

Përkthim| 05.05.2020| nyje.al 

Massimo Recalcati, publikuar në gazetën La Repubblica, më 12 prill 2020

Ankthi i parë qe persekutor: frika e molepsjes, frika nga sëmundja dhe e rreziqeve të saj. Nëse rreziku i molepsjes është potencialisht kudo, qe i nevojshëm distancimi social për të frenuar praninë e tij të padëshirueshme. I ngjashmi im u zbulua, jo më për arsye ideologjike por për arsye shkencore, si rrezik që riaktivizon frikën arkaike ndaj të së panjohurës dhe të paditurës.

Kur akti i parë normativ, lidhur me emergjencen e epidemisë, na e ngjeshi lirinë tonë duke na detyruar të rrinim brenda banesave tona, në fakt e zgjidhi vetëm përkohësisht këtë ankth të parë. Kjo zgjidhje u përkthye fillimisht në një ndjesi solidariteti dhe bashkimi kombëtar të padëgjuar më parë. Trauma kolektive në vend që të ndante secilin në dhimbjen e vet, na ka bashkuar jetët tona. Jemi ndjerë të ribashkuar në një komunitet të përbërë nga vetmitë. Njëfarë “narcizimi skuadre” u zhvillua pozitivisht si në kontrast me dëshpërimin e një sëmundjeje që doli të jetë shumë herë më agresive dhe e frikshme nga sa na ishte paraqitur fillimisht dhe nga të vdekurit që me kohën shtoheshin. Ne-ja mbizotëroi ndaj unit, karakteri individualist i lirisë i la vendin idesë kolektive të lirisë si solidaritet.

Mirëpo pas derës prehej një tjetër ankth. Jo më ai i rrezikut të ngjitjes së virusit, as ai i privimit të lirisë, por të atij shumë herë më tinëzar dhe katastrofik i humbjes së botës. Ky ankth i ri nuk manifestohej më me ndjesinë persekutore të një pranie të padëshirueshme – të mundësisë së molepsjes nga virusi – por merr trajtën e zizë kolektive. Kemi humbur botën tonë, zakonet tona, mundësinë për të jetuar bashkë si më parë. Është atmosferë sinqerisht depresive në të cilën kemi përfunduar të gjithë përballë shëmbëlltyrës të qyteteve të botës të shndërruar në shkretëtirë. Konfigurimi i këtij ankthi të dytë konfirmoi përjetimin apokaliptik të fundit të botës: nuk do të jetë kurrë si më parë.

Kështu, ndryshimet që na imponon epidemia nuk do të jenë masa të përkohëshme por do të ndryshojnë pashmangshëm jetën tonë të përbashkët. Na shpaloset pra një tjetër ankth, ai më aktuali: shtrëngimi i vërtetë nuk është më mbyllja brenda në shtëpi por bashkëjetesa me virusin. Nga këndvështrimi i jetës sociale kjo do të thotë t’i plasim subjektet më të brishta në një gjendje varësie të plotë, ndërsa subjektet me aftësi gjeneruese më të lartë t’i hedhim në impotencë. Për të parët ankthi është ai i braktisjes, ndërsa për të dytët i palëvizshmërisë. Për njërin ankthi është ai i mbijetesës, ndërsa për tjetrin është ai i vdekjes profesionale dhe sipërmarrëse. Çështja është se e kemi të vështirë të ambientohemi me idenë që rifillimi nuk mund të ketë kuptimin e rinisjes kur të ketë sosur “lufta”. Ky do të ishte një imazh ngushëllues i llojit regresiv. Ajo na projekton në një të ardhme të afërt më në fund të lirë prej ankthit të virusit. Por çdo traumë lë gjithmonë mbetje të cilat nuk mund të skaliten kurrë përfundimisht.

Do të na duhet të mësohemi me praninë e padëshirueshme, me një regjim që nuk mund të jetë tjetër veçse i përkohëshëm në kërcënueshmërinë e vet. Fantazia jonë do të jetë në fakt ajo e një fillimi të vërtetë, të çliruar nga prania e rënduese e virusit. Por bëhet fjalë për një fantazi fëminore: ndarja me thikë e të mirës nga e keqja për të çliruar jetën tonë nga ankthi që sjell bashkëprania e tyre e njëkohëshme. Ankthi i ri është ai e rihapjes së jetës në një kohë të bashkëjetesës kolektive e të pashmangshme me të keqen. Është ankthi i hapjes ndaj jetës, sa i nevojshëm aq edhe i pasigurtë, fatalisht i ekspozuar ndaj rrezikut.

Detyra e një komuniteti është sigurisht ajo e mbrojtjes së jetës dhe mbi të gjitha e atyre subjekteve që janë më të brishtë, por është edhe ajo, siç ndodh në mitin biblik të profetit Noah, mbijetues i katastrofës së përmbytjes: të dish me mbjellë vreshtin. Pjesa më e mirë e jona dhe e vendit tonë janë ata që i përngjajnë Noahut; ata që “mbesin të shpëtuar” prej shkatërrimit, forcat pozitive që u rezistojnë shpartallimit nga e keqja. Por në rastin tonë vreshti lyp të mbillet edhe nëse rreth e rrotull ka ende vdekje e shkatërrim. Nuk do të mund të ndodh në fund të përmbytjes, por në një zonë tranzite, fatalisht e pasigurtë. Është pikërisht kjo prova tejet e vështirë e realitetit që kjo traumë kolektive kërkon nga ne e që nuk mund të shtyhet për më vonë. Është ankth se nuk do t’ia dalim të përfytyrojmë si do jemi e ç’do bëhemi në një kohë që nuk na lejon të ndajmë të kaluarën traumatike nga e ardhmja e rinisjes. Është zona e paqëndrushme e mesme që po përshkojmë: jo drita dhe as terri, por drita e tërthortë në terr; jo frika apo trimëria, por trimëria në frikë. Nuk do mund të jemi më ajo çka ishim, por ende nuk e dimë mirë çfarë do të mund të bëheshim.

Çka është e sigurtë është se se ajo çka do të bëhemi nuk ka qenë sakaq, nuk mund të jetë ajo çka kemi qenë sakaq. Jo më pas kësaj traume. Kjo është frika jonë më e madhe. Por ashtu siç e thoshte mirë Jungu: “Atje ku është më e madhe frika, kjo është detyra jonë.”

Përktheu: Diana Malaj

Redaktoi: Genc Shehu 

Leave a Reply