Mësuesve

08.03.2019 | nyje. al | Diana Malaj

Mëngjesi i 7 Marsit i gjen rrugët kryesore të Kamzës me fëmijë, prindër dhe mësues me lule e dhurata nëpër duar. Dita e mësuesit festohet në secilën shkollë dhe çdo nxënës vihet përballë dëshirës e detyrimit për t’i bërë dhuratë mësuesit kujdestar.

Në oborrin e njërës prej shkollave të shumta në Kamëz u ndesha me dy vajza të vogla që sapo kishin mbaruar adetet e festës në klasë. Po prisnin motrat e vogla për t’u larguar së bashku me to për në shtëpi. Ajo me shtatin më të vogël, me flokët e kapura bisht, e veshur sport dhe me shikim të mprehtë rrëfen që nuk ia ka ënda të dalë nëpër fotografi dhe as në video. Shoqja e saj, më e shtruar dhe e ndjeshme e qetëson duke vazhduar bisedën me ne.

I pyesim se si shkoi festa dhe aty na tregojnë:

“Në mëngjes i thamë drejtorit që ta frikësonte pak zyshën, që më pas të kishim mundësi ta surprizonim në klasë. Por ajo na e prishi surprizën, se nuk kaloi fare nga drejtori. Ndaj vendosëm që ta uronim menjëherë. Plasëm letrat zbukuruese, ia lexuam një letër të ndjerë shkruar nga shoqja jonë dhe në fund i dhamë dhuratat. Mësuesja qau, por ishte lyer aq shumë sa lotët i dilnin të zinj. Nuk e mbajmë mend mirë përmbajtjen e letrës, por ishin të gjitha fjalë të mira për të.” “I meriton, i meriton, por prapë mbetet shumë e egër”, shton njëra nga vajzat, me shikimin e hedhur tutje.

“Mësuesja pasi na falenderoi, ndër të tjera u kujtua të na pyeste se cila ishte mësuesja që na bënte më shumë për të qeshur? I thamë që ishte zysha e anglishtes. “Dhe pasi shohin njëra-tjetrën duke buzëqeshur e vazhdojnë rrëfimin për të: “Ajo duket sikur fle gjumë gjatë gjithë orës së mësimit dhe hap krahët e shtriqet duke lëshuar ca tinguj të çuditshëm. Është e dobët, nuk ka rrudha dhe vishet me shumë rroba; si copë e parë i dallohet një fund, pastaj sipër mban një pallto kafe, sipër palltos uniformën e shkollës dhe mbi supe hedh një pallto tjetër. Ajo është zysha më gallatë.”

Tek dallojmë në to një pakënaqësi rreth atmosferës së shkollës dhe padurimit për t’u kthyer në shtëpi, i pyesim nëse ishin argëtuar në festën e mësueses. Vajza që ishte më e shpenguar në bisedë na thotë që 7 Marsin e festonte më bukur kur ishte në Has. “Jetoja në fshat dhe shkolla kishte 150 nxënës. Secili nga ne fuste 50 lekë që të organizonim një festë të përbashkët me këngë e valle në oborrin e shkollës. Këtu gjithsecili feston më vete, ndaj s’më pëlqen.”

Mësuesja që duan më shumë është ajo e gjuhë-letërsisë. Vajzat u shprehen se ajo meritonte shumë më shumë se lule. “Ajo meriton gjithçka nga ne, jo vetëm lule. Na e shpjegon mësimin duke na dhënë shembuj dhe duke e ndërthurur me lojëra; ushtrimet i zgjedh të të gjitha niveleve të vështirësisë, duke mos vënë asnjërin prej nesh në siklet nëse nuk dimë t’i zgjidhim. Ndryshe nga ajo e matematikës që nuk ta shpjegon dy herë një gjë dhe ushtrimet i bën vetëm për nxënësit e mirë. Ajo është shumë e butë dhe e dashur.” Na tregojnë edhe për mësuese të ashpra me nxënësit, ankesat e të cilave kanë bërë që shumë prej nxënësve “problematikë” të përjashtohen nga arsimi i detyruar.

Të tillë nxënës kanë përfunduar në rrugë. Me një familje të dëshpëruar dhe të varfër, e cila pranon faktin që “i biri nuk është për këtë punë” a “s’është i prerë për mësim”, i përjashtuari në shumicën e rasteve detyrohet ose të largohet në emigrim, ose të ngatërrohet me vepra penale ose në punë të rënda fizike. Sakaq na vjen ndërmend letra më e njohur në historinë e pedagogjisë italiane, një tekst i shkruar kolektivisht mes nxënësve të shkollës Barbiana dhe Don Lorenzo Milanit, ku flasin për nxënësit e përjashtuar “si ata që e bëjnë shkollën edhe më të vështirë”.

Ja çfarë thotë letra:

“Madje nganjëherë të lind dëshira për t’i hequr sysh. Por nëse i humbasim ata, shkolla nuk është më shkollë. Kthehet në spital që shëron të shëndetshmit dhe largon të sëmurët. Kthehet në instrument të diferencimit dhe ndasisë mes të rinjve që sa vjen e bëhet edhe më i vështirë për t’u zhbërë. Dhe ju e ndjeni ta bëni këtë gjë? Nëse jo, thirrini sërisht në shkollë, këmbëngulni, rifilloni gjithçka pafundësisht, edhe me koston që të stërmundoheni deri në çmenduri. Më mirë të çmendeni, sesa të jeni instrumente të racizmit dhe përjashtimit.” Dhe thirrjet e tyre në mënyrë të përmbledhur tek po e njëjta letër, përmblidhen në tri reforma që duhet të ndërmerren në mënyrë të tillë që ëndrra e mundësive të barabarta të mos mbetet vetëm ëndërr:
-mos përjashtoni!
-ata që duken “që s’mbushin” jepuani mundësinë për t’u shkolluar me kohë të plotë.
-atyre që janë të çinteresuar jepjuni një qëllim!

Leave a Reply