Muze Fantazmë, Muze Imagjinar

Nebi Bardhoshi | 28.03.2020 | nyje.al

Muzeu Etnografik i Hasit, fotot nga Nexhat Çoçaj
Muzeu Etnografik i Hasit, foto nga Nexhat Çoçaj

Dje u dogj Muzeu Etnografik i Hasit. Në fakt vetëm dje u fol për të, pasi ishte lënë në harresë. Dje Muzeu Etnografik i Hasit, pati një ditë zie. Historia e Muzeut Etnografik të Hasit është shprehje e harresës së kahershme mbi këtë lloj gjinie. Qoftë kultura kritike-reflektive, qoftë krijimtaria, qoftë kultura tradicionale, është e anashkaluar. Më duket mua se institucionet që merren me etnografi janë institucionet më të anashkaluara. Shkaqet janë të shumta e nuk po ndalem këtu.

Le të flasim pak për braktisjet e Muzeve Etnografikë. E vërteta është se braktisja ka qenë e dyfishtë. Me këtë kuptoj braktisjen prej shtetit, e së dyti braktisjen prej vetë komunitetit. Komunitetet, pra njerëzit ende presin që t’i bashkojë shteti. Ndërkohë shteti i sotëm, ka si qëllim të mos i bëjë shumë bashkë njerëzit. Njerëzit bashkë i nxjerrin punë shtetit, të atij shteti që e ka zët kulturën demokratike. Kështu që vetëm një bashkim lejohet deri diku dhe ai është bashkimi rreth partive! Për ata që janë të bashkuar rreth partisë në pushtet, është akoma më mirë! Të tjerët presin radhën për të ardhur në pushtet.

Le të lëmë disa njerëz bashkuar rreth partisë, dhe le të flasim për muzeun që bën bashkë njerëz, ose së paku se si mund të lidhen njerëzit me muzeun. Muzeu etnogafik në kohën tonë do të duhet të ketë një arsye se përse ekziston. Më së pari, muzetë e komuniteteve të vogla, do të duhej të dëshiroheshin prej bashkësisë që i referohet, apo me të cilën kërkon të dialogojë. Po marrim Hasin si shembull dhe muzeun e tij të djegur tashmë. Një muze etnografik në Has në kohën tonë do të mund të kishte edhe funksion pasqyrues edhe reflektiv. Si? Po ta ndjekim shembullin e muzeve konceptuar gjatë komunizmit, ata kanë pasur dy narrativa bazë. E para kishte të bënte me autoktoninë dhe kreativitetin kulturor të bashkësisë që i referohej. E dyta ishte si një shenjë për të treguar “zhvillimin e vrullshëm” që pati vendi gjatë socializmit.
Brenda këtyre dy narrativave të mëdha, mbuloheshin dy narrativa të tjera. E para, me faktin se vetëm socializmi i krijoi këto muze dhe asnjë regjim tjetër. Një gjë e tillë thuhej zakonisht në fjalimet hyrëse, dhe gjithashtu në parullat hyrëse të godinës. E dyta, nënteksti i shpirtit krijues kërkonte që aty-këtu të tregonte prapambetjen e shoqërisë para ardhjes së socializmit. Pse na duhet e gjithë kjo që po parashtrohet këtu? Na duhet të pranojmë se muzetë etnografik janë përdorur prej regjimit komunist, ndryshe thënë janë edhe keqpërdorur dhe kështu ka ndodhur dhe mund të ndodhë në shumë regjime. Ky debat është i gjerë dhe ka arritur deri aty sa janë përdorur terma të skajshëm si “kulturocid”, por aty qëndronte narrativa e mbledhësit, e studiuesit dhe krijuesit apo bartësit të artifaktit që i reziston çdo kohe. E gjithë kjo nuk justifikon kalimin e gati 30 viteve që muzetë etnografik të braktisen deri sa dhe të digjen. Madje, mund të themi më plotë gojën se ka pasur një kombinim në mes politikave të harresës dhe atyre të djegies së tyre.

Muzetë e kohës së sotme duket të ndërthurin propozimet profesionale nga studiuesit me kërkesat e shoqërisë. Marrim përsëri si shembull Hasin. Muzeu Etnogafik i Hasit, do të duhej të kishte parasysh disa fakte shtesë. Së pari përvojën jo të mirë që ka patur muzeu edhe gjatë komunizmit. Muzetë etnografik nuk kanë qenë aq shumë të vizituar, përjashto faktin kur organizoheshin vizita shtetërore si një mënyrë për t’iu larguar punëve të lodhshme. Një nga arsyet e mosvizitimit të muzeve ka qenë se ato objekte që paraqiteshin në muze, në atëbotë ishin ende në përdorim. Kurse, narrativa muzeale, ndihmonte për t’i vendosur në një kontekst më të thellë historik. Për veshjet na tregohej për shembull jo vetëm se kush i kishte bërë, por edhe se ato ishin përdorur që në lashtësi. Ndërsa në ditët tona, shumë nga këto veshje, nuk prodhohen më

Pakkush e di, që vetëm një zonë e ngushtë etnografike, me zonë kryesore përqëndruar në Has, përdor motivet asimetrike. Asimetrike, pra jo simetrike. Ja, tashmë kemi kaluar në një rrafsh krejt tjetër. Ende nuk e dimë se deri ku shkon ky unikalitet, por dimë që nuk ka të krahasuar. E vetëm një sy, i vëmendshëm e kap një detaj të tillë. Po sikur narrativa të ketë edhe më shumë të dhëna? Fjala vjen: kur e si prodhoheshin, në cilën moshë visheshin, pse, tek, qysh?

Muzetë etnografik në Shqipëri, në tërësi sot e kësaj dite vuajnë nga një ndarje e fortë me njeriun. Pra aq sa është produkti njerëzor i pranishëm, aq pak është njeriu në këto muze. E gjithë puna e ndërmjetësimit në mes objektit dhe njerëzve iu lihet pak shënimeve dhe një përshkrimi nga ciceroni, gjithmonë nëse ky i fundit ka nge. Nëse pjesë e muzeve do të bëhej i gjithë folklori, përfshi baladat e deri te rrëfimi personal- që do të duhej të ishin të mbledhura apo të mblidheshin nga vetë punonjësit e muzeut- atëherë do të kishim një pasurim të vazhdueshëm të muzeut. Mos t’iu duket çudi një fakt i tillë. Nga viti 2002 e deri më sot, kam konstatuar një varfërim të skajshëm të personazheve që dinë të tregojnë, të zhvillojnë narracionin tradicional.

 

Muzeu Etnografik i Hasit, foto nga Nexhat Çoçaj
Muzeu Etnografik i Hasit, foto nga Nexhat Çoçaj

Imagjino një muze etnografik i cili na flet për të shkuarën para e gjatë komunizmit. Një muze, me dy tre veta, por që punojnë çdo ditë për të mbledhur të dhëna mbi përditshmërinë e ngjarjet e asaj zone që muzeu i është dedikuar. Imagjino një muze plot kërshëri për dijen, kureshti për të shkuarën, e jo muze intaçor që kërkon kufijtë me të tjerët, por një muze që ndërlidh. Imagjino një Muze në Has, aty ku u dogj Muzeu, një ekspozitë për asimetrinë në veshjen e gruas hasjane. Imagjino një ekspozitë për kujtimet e ruajtura në arkat e shpirtit të bijave në dy anët e kufirit kur kufiri ishte i mbyllur (1948-1999); një ekspozitë për ritualet në Pashtrik, një ekspozitë me zëra mbi besimet në orë e zana, mbi besimet që toka s’duhet me u rrahë, një ekspozitë mbi mënyrën se si Hasi dikur mbuluar me pyje u shndërrua në “Myzeqenë e dytë”. Imagjino një ekspozitë mbi njerëzit e mirë, varret e mira, vendet e mira. Imagjino një ekspozitë vetëm me punën e dorës. Po një ekspozitë për bukën, për kulinarinë? Po sikur në gjithë vitin, muzeu të ketë disa ekspozita, e disa aktivitete ku rapsodi, pleqtë, të rinjtë, fëmijët e kushdo ka mundësi me propozu një ide, e ai vend, pra muzeu me qenë trualli ku së paku jepet si hapësirë të ushtrohet ideja. Imagjino një muze etnografik ku ka një ekspozitë të detajuar të veshjeve, orendive, të bizhuve, të artizanatëve, e shoqëruar kjo me arkivin e shpirtërores, ku përfshihen rrëfime e praktika apo performanca të ritualeve, besimeve, miteve, ligjeve zakonore – riteve të lindjes, martesës, vdekjes. Shto këtu lëndën folklorike e cila ka brenda saj, gjininë e këngës, valleve, ritualeve mortore, etj. Imagjino një ekspozitë me hajmeli, një ekspozitë për kultin e zjarrit, për kultin e ujit, për kultin e diellit, apo një ekspozitë mbi tybelitë (virgjënat), po një ekspozitë për lojrat e fëmijëve e të rriturëve. Imagjino që pranë këtij Muzeu, të ketë një qoshe ku artizani punon, një shitore ku ofrohen produktet që prodhohen. Imagjino që të rinjtë ftohen të kryejnë punë artizanale, të mësojnë mjeshtëri apo ta kalojnë kohën, të rinj që i përdorin këto mjedise me ba lojë me traditat e vjetra. Në vend të një rituali, të luhet një lojë me ritualen. Në vend të krenarisë, të luhet loja e mohit për veten, apo introspecionit drejt vetës, një lojë me fjalën e babës e të nanës. Në vend të ripërtëritjes së kulturës të lindë aty një pjesë anti-kulturë tradicionale. Imagjino që i riu para së të ikë për ‘jashtështeti’ të lërë një takim me miqtë e tij te Muzeu Etnografik si vendi i kujtimeve të tij, të saj. Imagjino ato foto, e foto të tjera të jenë pjesë e fototekës së Muzeut. Pra kjo lloj lidhnie do të duhej si për atë që e don, si për atë që e kritikon kulturën tradicionale, në mënyrë që të kenë gjithmonë një vend ku të takohen, ta flasin dhe ta shqyrtojnë. Mos mendo se kam harruar turistin. Jo. Në fakt, po të kishim një muze si vatër kulture, atëherë turisti do ta gjente gjithnjë me më shumë interes ta vizitonte një muze të tillë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje