Paketa Anti-Shpifje

Kedis Burrja dhe Sindi Toka | 14.01.2020 | nyje.al

Një vlerësim për Paketën Ligjore, më saktë Ligjin për ndryshimin e Ligjit të Mediave Audiovizive në Republikën e Shqipërisë, është i vështirë për t’u dhënë për të paktën këto arsye kryesore:
Së pari për shkak se mungon informimi i nevojshëm publik. Që në fillim të procesit ka munguar përfshirja e gjerë e grupeve liria e të cilëve synohet të rregullohet me këtë ligj: qytetarët, gazetarët, operatorët e internetit dhe të mediave të tjera, përdoruesit e mediave online në përgjithësi, etj..
Së dyti për shkak të ndryshimeve thelbësore të “çasteve të fundit”. Javën e fundit para se të hynte për votim në parlament ligji ka pësuar [dy herë] ndryshime thelbësore që ripërcaktuan fuqinë dhe fushën e zbatimit të tij. Për këto ndryshime nuk u organizua asnjë dëgjesë e rangut të grupeve të interesit të prekura në këtë proces. Nga ana tjetër, edhe pse pati shumë vlerësime që u folën nga ana e tyre asnjë nuk u mor parasysh. Gjatë ditëve të hartimit të ndryshimeve pati komente dhe qëndrime të përcjella në media të shumë gazetarëve e figurave publike. Ndër to u përfshi dhe protesta e organizuar nga gazetarët dhe shoqëria civile përpara Kuvendit ditën që kaloi ligji. Njëlloj si me faktorët vendorë, nuk u morën parasysh as vlerësimet e institucioneve politike (KE), as institucioneve shoqërore ndërkombëtare (si shoqëritë e gazetarëve ose organizatat joqeveritare për shoqërinë dhe mediat).
Së treti, kjo ngjarje nuk mund të kuptohet vetëm nga perspektiva e medias, sepse është e ndërlidhur ngushtë me shumë faktorë rrethanorë (si infrastruktura, ekonomia, shteti, prona, niveli i zhvillimit shoqëror, etj.) që japin efekte zinxhir, në distanca të ndryshme historike dhe politike.
Së katërti, po ndjehet një ngutje e madhe në Parlament për të kaluar sa më shumë ligje të rëndësishme dhe themelore sa është pa funksionuar Gjykata Kushtetuese.
Duke pasur parasysh këto vështirësi kryesore, nisur nga të dhënat që kemi, le të bëjmë një parashtrim të asaj që mund të dimë sakaq, me shpresën për të kristalizuar (secili me mendjen tonë) një ide të asaj që është duke ndodhur për të gjithë.
Disa javë para ditës së miratimit të ligjit, që ishte të mërkurën e datës 18 dhjetor, nisën seancat dëgjimore për shqyrtimin e projektligjeve të paktës anti-shpifje, e cila u pasua rishtas edhe me fushatën mediatike për procesin e projekt-ligjit në fjalë. Në këtë fushatë nuk u prezantuan analiza dhe rezultate konkrete por u bë interpretim duke u folur indirekt për to me shembuj me fantazi për funksionimin e shtetit në kushtet e reja. – Kjo praktikë për fat të keq përdoret sistematikisht në mediat kryesore televizive: në vend se të shpjegohet vetë gjëja dhe synimi për të, rimodelohet funksioni i të kuptuarit të gjërave përmes dhënies së shembujve (tipikisht kurbane, si: goca që u dënua për përhapje paniku). Rrjedhimisht nuk kuptohet gjë prej saj, sepse në fakt nuk ka gjë të re që po paraqitet për t’u kuptuar, por mbeten vetëm mbresat e mjegulluara nga tmerri i kurbanit. Kështu krijohet një mekanizëm sipas të cilit implikohet një ide e “qëndrimit të saktë” dhe “të gabuar” ndaj gjësë, pa një ide të qartë të mënyrës se si funksionon ajo. – Si përfundim, përmes fushatës mediatike, të interpretuar sipas modelit të kurbanit, asgjë nuk u mor vesh për projekt-Ligjin ndërsa u rregullua vetëm mënyra se si kuptohet, nënkuptohet dhe nuk kuptohet ligji në domenin e të komunikuarit publik. Fushata e informimit përfundoi të ketë efektin e një propagande mediatike në mbrojtje të idesë për të cilën as nuk flitet. Le të vazhdojmë më tej me procesin e projektit për Ligjin e Mediave.
Projekt-ligji ka rreth një vit që ekziston në formë drafti, me të cilin janë konsultuar kryesisht rrethet e ngushta institucionale, por ka pasur dhe përfshirje të vogël të gazetarëve, avokatëve, publicistëve, etj. Mirëpo fushata e qeverisë, pararendëse për miratimin e ligjit, filloi pikërisht në rrethana paniku të madh publik që ndodh në rast katastrofe natyrore (ashtu si ajo e tërmetit të 26 Nëntorit në Durrës). Ndodhia në fjalë shtetin e zuri të dobët dhe të papërgatitur për marrjen e masave paraprake në raste të zakonshme (largmendësh të jashtëzakonshme), masa për të cilat qeveria është përgjegjëse drejtpërdrejt. Masat e një shteti për katastrofat natyrore janë paraqitur shkurtimisht e mjaft qartë në artikullin mbi “Tërmetet”.
Këtu vërehet një dukuri tjetër e rëndësishme, që nuk tregon aq shumë për ligjin në fjalë apo ligjet e tjera, sesa për mendësinë e funksionimit të ligjit dhe institucioneve që u shërbejnë pushteteve udhëheqëse të shtetit tonë. Ka tre tipare kryesore që dalin në pah:

  1. Vetë mendësia e funksionit të ligjit si “mjeti i ndryshimit të rendit ekzistues”.

Me pushtetin e ligjit, e thënë ndryshe pushtetin e “shumicës (mazhorancës) në institucionet e pushtetit legjislativ” (Parlamentit), Qeveria jonë sot arrin të fshijë e krijojë institucione nga dita në ditë sipas dëshirës së kryesisë së saj. Rregullat e pushtetit tregojnë se kjo mundësohet përmes mbështetjes së personave kyç në institucionet e duhura për pushtet dhe me të drejtë kështu. Mirëpo të qeverisurit vetëm përmes pushtetit ligjor në sisteme demokratike është e pamundur. Promovimi dhe ndërtimi i shtetit të fortë ligjor, por jo i së drejtës, e lehtëson shumë këtë proces zaptimi të pushtetit qeverisës. (Pu)Shteti i së drejtës është ai komponent i Shtetit që do ta pamundësonte centralizimin e pushtetit: sa më i dobët shteti i së drejtës, aq më e lehtë qeverisja përmes pushtetit të shtetit ligjor.

  1. Reforma: ndryshimi i formës për të shmangur dhe zëvendësuar problemin
  • Shteti i përbërë nga institucione të rregullueshme me ligj funksionon njëherësh edhe si njësi ose pjesë, edhe si kompleksitet institucional në tërësi. Nëse modifikon një pjesë të shtetit, ajo ndikon në disa pjesë të tij në sasi të caktuara. Nëse modifikohen shumë pjesë, një pas një ose përnjëherësh, efektet rriten me bazë eksponenciale. Nuk mund të ndryshohen të gjitha aspektet e një shteti, pa ndryshuar vetë thelbin e tij si shtet disa herë në tërësi (në kompleks). Modifikimet në grup/seri në Shqipëri qarkullojnë me emrin popullor “Reforma”. Ndryshime të kësaj kategorie dhe përmasave ndodhin rrallë në shoqëri, historikisht. P.sh. nëse kemi me të vërtetë një projekt Rilindjeje Kombëtare në kushte lirie shoqërore (ndryshe nga e kaluara), ajo do të kishte nevojë jo të hartohet e mbyllur në zyrën e disa ekspertëve të panjohur të Qeverisë dhe të detyrohet me ligj për masat e gjera, por do të kishte nevojë të udhëhiqej si vizion dhe veprimtari nga komunitetet dhe institucionet më të kualifikuara shoqërore me përfshirje të gjerë popullore. Edhe nëse do ishim të detyruar të zgjidhnim, ai që propozon ndryshimin e formës së problemit sa për të gjetur zgjidhjen e tij, dallon shumë nga ai tjetri që ndryshimin e formës (reformën) e përdor si mjet për të shmangur problemet duke i shtyrë me të rejat për më vonë – veçanërisht në politikë. Sekreti i hidhur i instrumentit të “Reformës” në qeverisje është se kur përsëritet vazhdimisht, mundi e sakrifica që shkojnë për to janë përherë e më të madha, përherë e më të rënda.
  1. Qasja Strategjike ndaj parimit Kushtetues të balancës së pushteteve dhe dobia e ushtrimit të pushtetit të deleguar nga populli

Ligji në fjalë krijon një thyerje në sistemin e drejtësisë: i jep Qeverisë imunitet dhe një armë të rrezikshme kundër lirisë, në të njëjtën kohë që shtetin e lë pa mburojë në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të tjera rregullatore efektivisht të pezulluara. Do t’i rikthehemi sërish më poshtë.
Le t’i shërbejë kjo introspektivë e shkurtër leximit më të thelluar të aspekteve të ndryshme të procesit për ndryshimin e Ligjit të Mediave, të cilit po i rikthehemi në vijim.
Që nga tërmeti i parë (21 shtator 2019) – të cilin Inxhinierët më të mirë të vendit e cilësuan si “vetëm një test dhe paralajmërim për aftësinë e ndërtimeve për të përballuar tërmetet” – e rreth 24 orë pas tërmetit të dytë shkatërrues Qeveria hezitoi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Pas shumë iniciativave lokale, vendore, kombëtëre me shqiptarët në Kosovë dhe vende të tjera, si dhe rajonale me shtetet fqinje për të ndihmuar në situatë, Qeveria qe ajo që priti deri në momentin e fundit që të njihte gjendjen e emergjencës. Mirëpo, në situatën e re zbuloi disa veçori interesante të gjendjes sonë shtetërore që nuk e kishte pasur rastin t’i haste më parë.
Gjendja jonë shoqërore në nivel politik vetëm degjeneroi një shkallë më shumë në fuqi logaritmike sikurse zakonisht, ashtu siç ndodh për krahasim, me tërmetet në aspektin e magnitudës së tyre. Në këtë kuptim vërtet pati dëme të konsiderueshme nga tërmeti, por duhet të kujtojmë se, për nga magnituda, tërmeti qe i kategorive më të lehta të lëkundjeve të rrezikshme. Në rrafshin ekonomik, gjendja shoqërore është pothuajse njëlloj; jo sepse tërmeti shkaktoi pak dëme, – përfshirë dhe në jetë njerëzish, infrastrukturë urbane, trashëgimi kulturore, etj. – por sepse dëme politike të një magnitude të ngjashme shkaktohen në rrafshin e javëve, herë-herë dhe ditëve, nga performanca e drejtpërdrejtë e instituconeve shtetërore dhe janë të pakrahasueshme me pasojat e tërmeteve qoftë dhe në kursin vjetor. Në rrafshet e tjera shoqërore, përveç panikut e horrorit publik që rriti kaosin ekzistues, nuk është se ndryshoi gjë për ta [shoqërinë tonë]; s’kishin mundësi përpara tërmetit, s’patën mundësi as pas tërmetit. Ajo që ndryshoi nga masat e Qeverisë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme qe vetëm statusi juridik i tyre – gjë për të cilën qytetarët e dinë nga përvoja që nuk pi ujë – veçanërisht kur drejtësia mori goditjen fatale me Reformën në Drejtësi e cila institucionet ekzistuese të drejtësisë (veçanërisht më të lartat në shkallë vendi) të përlyera nga pasiguria dhe korrupsioni, i pezulloi duke zëvendësuar një pjesë të tyre me organe hibride të pasigurta dhe të paqendrueshme që mund të defunksionalizohen shumë lehtë. Nga ana tjetër ende nuk është i qartë as vizioni, as pritshmëritë konkrete nga Reforma vetë.
E kundërta ndodhi me Qeverinë. Para njohjes zyrtare të gjendjes së re i duhej të justifikonte me mënyra të panumërta gjendjen e jashtëzakonshme të përditshme të pjesës më të madhe të qytetarëve me shfaqje e skena mediatike bajate prej shumë kohësh. Por pas ndryshimit të statusit iu dha mundësia për hequr nga përgjegjësia peshën e justifikimeve për gjendjen e jashtëzakonshme, përgjegjësi të cilën tanimë e mbante Tërmeti (që mbeti pa u futur në burg!), duke i dhënë mundësinë kështu për t’u përqendruar drejtpërdrejt te administrimi i gjendjes në kushte të reja. Ky qe një ndryshim i madh për të.
Pak para tërmetit të dytë (26 Nëntorit), në rend të ditës qe fushata e veprës tjetër Ligjore “Kap ç’të kapësh” [nga veprat me status kriminal] për ta quajtur se po bëhet drejtësi. Fushata KÇK i referohet rritjes së pushtetit të organeve ekzekutive të Rendit të drejtuara nga Qeveria për të anashkaluar procedurat e Pushtetit Gjyqësor deri në momentin që të gjendet drejtësia në institucionet ekzistuese e disfunksionale të Pushtetit Gjyqësor. Thënë ndryshe, raporti i zhdrejtë pushtet ekzekutiv/pushtet gjyqësor i propozuar me projekt-ligj mundëson të trajtojë qytetarin si “rrezik terrorist, deri në momentin që të gjykohet se është i pafajshëm”. Njëlloj edhe fushta “Anti-shpifje” që ri-filloi pas tërmetit të dytë. Nëse te ligji i mëparshëm për mediat të drejtën e vendos gjykata dhe pastaj ekzekutohen vendimet, me ligjin e ri vendimin për shkeljet etike e jep Këshilli i Ankesave pranë AMA-s dhe e ekzekuton atë përpara se të fillojë puna e organeve të drejtësisë. Ky aspekt i këtij ligji u propozua në një kohë kur organet më të rëndësishme të pushtetit gjyqësor ishin të cunguara (si Gjykata e Lartë dhe Gjukata Kushtetuese, pa interpretimin e së cilës imuniteti ndaj akteve anti-kushtetuese mungon). Pra duhet kuptuar që ky proces i forcimit të pushtetit ekzekutiv nga parlamenti shoqërohet edhe me dobësim të pushtetit gjyqësor, plaga kryesore e të cilës ka ardhur dhe qëndron hapur që me Reformën në Drejtësi. Sa më shumë të aplikohet Ligji i Ri për Mediat që u kthye të dielën (12 janar 2020) për në Parlament nga Presidenca me shkelje të Kushtetutës, aq më shumë vonesa i shkakton sistemit të drejtësisë, rrjedhimisht aq më shumë dëme subjekteve që mbrohen prej tij.
Nga ana tjetër ama, mungesa e përgatitjes në situatë katastrofe natyrore për shkak të nivelit të ulët të përgatitjes në gjendje normale të situatës, si dhe vënia para përgjegjësisë e autorëve përgjegjës për shumëllojshmërinë kaotike të standardeve të projektimit për të cilën është paralajmëruar me dekada përpara nga rrethe të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, e zuri ngushtë Qeverinë për të mbajtur përgjegjësi dhe për të marrë përsipër [menaxhimin e situatës]. Shumë prej dëmeve që dolën në pah të evidentuar prej valëve të tërmeteve vijnë nga papërgjegjësitë, vonesat strategjike dhe abuzimi me pushtetin e funksionarëve të Pushtetit Ekzekutiv (si p.sh. shtëpi gati të rrënuara të një pjese të madhe të banorëve të shumë zonave rurale, ndërtime në zona të rrezikshme, ndërtime të pasigurta për jetesën, mungesë kohezioni të zhvillimit urban, objekte historike dhe kulturore në rrezik të braktisura, ngërçe ligjore të pafund me pronat, thjesht për të përmendur disa). Këto u paralajmëruan dhe evidentuan nga shumë ekspertë të ndryshëm të fushës së ndërtimit – ndër të cilët edhe zv. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, z. Agim Seranaj, të cilin pas kontributit të gjatë shkencor dhe profesional në fushën e ndërtimit, në përgatitjen e brezave në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, si dhe në kontributin profesional për inspektimin e shkallës së dëmeve të tërmetit dhe për vlerësimin e rrezikshmërisë së godinave, e pushuan pa arsyetim nga Dekanati i FIN. Disa ditë më herët ai kishte dhënë kontributin e tij në mbledhjen e shoqatës së inxhinierëve për të grumbulluar idetë më të mira dhe për të vlerësuar mundësitë dhe metodat për masat që duhen marrë për konstatimin e dëmeve dhe sigurisë në godina. Në mospërfillje të tyre, Qeveria ngriti shtabet e emergjencës, përqendroi punën në duart e veta, përjashtoi shumicën e grupeve nga përfshirja intensive dhe e vështirë e deriatyshme për menaxhimin e pasojave nga tërmeti, ngriti ministri e institucione të posaçme për të mbuluar çështjen e tanimë vetëm ata kanë të drejtën të dinë se ç’po bëhet me problemet tona që mbeten të hapura (si ç’dëme pati, sa të mëdha ishin, si do menaxhohen, kush ishte dhe do mbahet përgjegjës, etj.). Ndërkaq, ende pa u unifikuar dhe përfunduar faza e vlerësimit të dëmeve dhe shkaqeve të tij, vazhdojnë prishje të kontrolluara nga institucionet e shtetit të objekteve të dëmtuara, ose riparime strukturore apo sipërfaqësore në mënyrë private e të pamiratuara siç do të duhej e nevojitej, duke shkatërruar kështu dëshmitë e nevojshme për të zbuluar tipet dhe shkaqet e dëmeve së pari nga profesionistët e ndërtimit, më tej të prokurorisë, gjykatave, etj., me radhë. Pra ngjashëm si me fushatën për kontrollin civil nëpërmjet spiunazhit masiv dhe masave antiterror të njohur si paketa KÇK, paketa Anti-Shpifje mori udhë duke huazuar të njëjtën qasje në marrëdhënie me pushtetin gjyqësor. Ky drejtim i ri hap disa shtigje të vjetra të pushtetit politik. Por këto do duhen trajtuar një herë tjetër sepse këtu lidhen shumë vija të tjera mendimi që mund të na nxjerrin jashtë temës që po trajtojmë.
Brenda periudhës një javore të fushatës së fundit për fuqizimin e ligjit në Parlament, gjetën kohë që të shprehen për vlerësimet e tyre shumë aktorë të rëndësishëm vendas e të huaj. Shumica janë shprehur kundër dhe ndryshojnë midis tyre nga ata që propozojnë për të bërë ndryshime të mënyrës së interpretimit ligjor të çështjes e deri tek ata që kundërshtojnë fuqishëm për ta ndaluar për shkak të rrezikut të lartë që paraqet për lirinë e shtypit në kushtet ekzistuese. Asnjë prej vlerësimeve nuk u mor parasysh kur pësoi ndryshime dhe shtesa të “çasteve të fundit” për riorganizimin nga fillimi të termave të tij thelbësorë, vetëm dy ditë para se ligji të kalonte për miratim në Parlament. Shumë shoqata dhe institucione u shprehën përsëri kundër në kohë rekord. Rrethe të ndryshme shoqërore iu bashkuan shoqatave të gazetarëve në protestë para Parlamentit për të kundërshtuar procesin e hartimit të ligjit dhe miratimin e tij. Protesta qe e sukseshme në përcjelljen e mesazhit dhe pati mbulim mediatik, por seanca plenare për miratimin e ligjit vijoi deri në miratim e tij në Parlament (82 vota pro, 13 kundër dhe abstenim 5). E kështu kaloi ligji.
Ai u miratua në rrethana të pavolitshme e të errësuara nga gjendja e katastrofës natyrore. Për një vit që qëndroi draft nuk mori në konsideratë studime mbështetëse, nuk hapi asnjë konsultim të gjerë publik dhe nuk mori parasysh vlerësimet e palëve të interesuara. Ndërkohë ishin ndryshimet e ditëve të fundit para miratimit që shtrinë veprimtarinë e tij jo vetëm deri te mediat audiovizive, por edhe në fusha të medias së shkruar, aspekte të tjera të internetit dhe kanaleve të komunikimit publik, etj.
Hapësira e veprimit të këtij ligji bazohet në një model tjetër nga ekzistuesi të raporteve ndër-institucionale mes pushteteve të shtetit (veçanërisht ekzekutiv dhe gjyqësor): ku pushteti ekzekutiv në njëfarë mënyre, duke përfituar nga paaftësia e pushteti të dobësuar gjyqësor, merr përsipër rolin e gjyqësorit përsaqë ky nuk arrin dot të shprehet për situatën.
Mirëpo këtu nuk është vetëm procesi, (koha) e hartimit të ligjit, që ka shkuar keq. Vetë performanca e mediave ka nevojë të përmirësohet. Në opinionin publik shëtisin dy ide, se “mediat abuzojnë shumë me vërtetësinë e informacionit” dhe se “një ligj që ta rregullojë këtë nevojitet”. E para është e saktë, ndërsa e dyta lë për të dëshiruar. Ka argumente se në portale ka lajme të rreme dhe mungesë kontrolli të informacionit që qarkullon. Kronikat e lajmeve janë shpesh shokuese pa paralajmërim. Ka pamje të papërshtatshme për minorenët në orë të ndryshme të ditës. Ka programe kulturore ose edukative që e shtrembërojnë realitetin, nxisin xhelozinë dhe urrejtjen, nuk përcjellin mendim, nuk janë aspak edukative, kultivojnë personalitete false përmes personazheve të padëshirueshëm ose jopërfaqësues për komunitetin, e shumë të tjera. Nisur nga dëshira për të rregulluar këto aspekte të medias, individi arrin edhe në përfundimin e nxituar se “rregullohen me ligj”. Mirëpo siç vërehet nga më lart, ligji nuk rregullon dhe as nuk synon të rregullojë ndonjërën prej këtyre.
Kjo pseudo-paketë e bazuar te një ligj i stërholluar dinamik ndryshimesh synon shmangien e lajmeve “të rreme” nga përqendrimi i autoritetit në pak nga institucionet ekzistuese të qeverisë, duke kufizuar më tej lirinë e mediave dhe duke përfshirë si kusht edhe domenin e internetit në sferën e mediave të tjera që sakaq i ka nën kontroll.
Në këtë pikë, mund të kuptojmë se çfarëdo synimi i mirë që mund të fshihet pas veprimeve  të Qeverisë dhe Parlamentit, është nisur me rendin dhe në çështjet e gabuara; pra para se të kuptohet vetë gjëja, është vendosur që t’i kufizohet liria me ligj, pa kursyer shkeljen e disa prej të drejtave dhe parimeve themelore të një shoqërie të shëndoshë. Interneti është e tashmja dhe e ardhmja e komunikimit, ku ne jemi vetëm në fillim. Ende nuk e dimë se ku do të na çojë dhe në këtë projekt nuk po lihet vend që kjo të mësohet. Në vend se të kufizohet liria ekzistuese e informacionit ajo duhet mbarështuar që të rritet, shtrihet, përmirësohet, aksesohet, shfrytëzohet, ekonomizohet, publikohet e ruhet për qëllimet më të mira që mund të përdoret. Një e pavërtetë minore që mban emrin e ekzagjeruar “shpifje” në portalet e lira (për dallim nga shpifja në sferën politike), nuk përbën kurrë një arsye, aq më pak justifikim, për të shkatërruar disa të mira të mëdha publike si liria e shprehjes, liria e mendimit, e drejta e informimit, liria e krijimtarisë, dhe komunikimi elektronik, për te përmendur disa. Përkundrazi, mbështetja e të mirave publike nga një shtet i fortë do të bënte më shumë punë për rregullimin e “të keqes së shpifjes” duke mbështetur edukimin përmes etikës së komunikimit për të parandaluar një pjesë te madhe të rasteve që para se të ndodhin, kësisoj duke rritur ndjeshëm nivelin e komunikimit publik e rrjedhimisht vendosur një standard të shëndoshë edhe për diskurset politike në Shqipëri, si ky për censurën e mediave.
“Shpifja” është një term që nuk rregullohet dot vetëm me ligj. Ajo është një ndër çështjet e etikës së komunikimit e cila rregullohet si standard në nivel rrethesh shoqërore intelektuale, akademike, të medias, etj. ndërsa menaxhimi i saj bëhet në nivel individual, me edukim ose punë një-për-një që bëhet çdo ditë. ‌Nëse Qeveria vërtet do të punojë për të minimizuar të keqen e shpifjes, le te investojë që liria ekzistuese të bëhet më e mirë, e jo të investojë që të kufizojë me ligj të mirat publike si liria e fjalës, liria e të menduarit dhe liria e qarkullimit të informacionit me pretekstin “për të garantuar siguri mos-abuzimi”. Asgjë s’është e sigurtë në politikë. Ka ose zhvillim me punë e përkushtim ose zhvatje me devijim e dallavere. E vetmja mundësi për të garantuar sigurinë është pezullimi i lirisë për të marrë përsipër rrezikuan për ndryshimin e fatit të cilin bartim. Duhet rrezikuar siguria që ofron garancia për të fituar lirinë për të bërë gjënë e re, të duhur, të mirë dhe të nevojshme [me rrezikun e mundshëm për të bërë gabim dhe për të dështuar. Këmbëngulja e vazhduar për të mësuar nga gabimet është virtyt që na udhëheq për të përparuar. Përparimi vjen vetëm me kushtin e lirisë së mendimit dhe trupit, fjalës dhe mediave].
Shpesh një gënjeshtër e bukur është më e pëlqyeshme se një e vërtetë e hidhur. Mirëpo civilizimi i ka fillesat e tij në kohën kur individi kapërceu shoqërisht nga udhëheqja prej parimit të kënaqësisë (kur ishte thjesht një shtazë ndër të tjerat) tek udhëheqja prej parimit të realitetit (kur u dallua si njeri prej kafshës). Ideja në thelb të këtij ligji; dukshëm e rrezikshme jo vetëm për mediat, por nga mënyra si institucionalizohet; kërcënon edhe për sigurinë kombëtare (të cilën hartuesit duhet ta dinë shumë mirë) dhe për civilizimin (që sa herë që të kanoset, nuk po merret parasysh – marrëveshje të tilla si ajo me Serbinë për Mini-Shengen më mirë se çdo rast tjetër ndoshta këtë).
Me përfshirjen e madhe të qytetarëve dhe grupeve të interesit, jo vetëm rregullohen problemet konkrete të objektit të ligjit, por nuk nevojitet as ndryshimi i ligjeve për ta bërë këtë. Le të shpresojmë që pas kthimit të ligjit nga Presidenti për rishqyrtim, edhe Qeveria të reflektojë problemet që shkojnë keq me ligjin dhe të mos e dërgojë më për miratim në Parlament.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje