Poezitë Landays- zëri i protestës së grave afgane

Diana Malaj |  28.10.2019 | nyje.al 

Imazh shkëputur nga filmi “Snake” – Seamus Murphy

Ky shkrim i dedikohet veprës së Seamus Murphy “Snake”, film i shkurtër mbi poezinë e grave Pashtun në Afganistan. Së bashku me poeten dhe gazetaren Eliza Griswold, të dy vendosin të vizitojnë Kabulin, Nangrahar dhe Helmandin për të mbledhur poezitë popullore me dy vargje me emrin “landays”. Anonime, me humor të zi dhe me 22 rrokje, “landays” janë këngët e grave Pashtun mbi dhimbjen për dashurinë, atdheun, ndarjen dhe luftën e zhvilluar prej tashmë më shumë dekadash në vendin e tyre. Filmi “Snake” sjell zërin e protestës- zëri më i rrezikuar i së ardhmes së Afganistanit. Landay do të thotë “gjarpër i shkurtër helmues”.
Seamus Murphy është fotograf irlandez. Ai është vlerësuar me çmime shumë të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të tjera “World Press Photo” nisur prej punës së tij të zhvilluar në Afganistan, Gaza, Sierra Leone, Peru dhe Irlandë. Ai ka mbuluar si fotograf luftën e Kosovës në vitet ’90 dhe ka vizituar gjithë Kosovën dhe pjesën veriore të Shqipërisë përgjatë asaj kohe. Veprat e tij janë ekspozuar dhe publikuar gjerësisht nëpër botë. Ka realizuar produksione audio-vizuale për gazetën The New Yorker dhe Channel 4 në Britani.
Murphy është autor i 4 librave: “A darkness Visible: Afghanistan” (Saqi Books, 2008) që është i bazuar në 12 udhëtime të zhvilluara mes viteve 1994 – 2007 dhe është kronikë e historisë së Afganistanit. Ka bashkëpunuar gjithashtu me muzikanten PJ Harvey mbi projekte si “Let England Shake” dhe “The Hope Six Demolition” për të cilin ai fitoi çmimin si muzika më e mirë e filmit në tetor 2016. Patti Smith e ka renditur filmin e Murphy-it mbi këngëtaren Harvey si një ndër 10 kryeveprat botërore duke thënë “…kjo vepër e papritur është një grimcë e njerëzimit që celebron gjërat e vogla”. Libri i tij i fundit “The Republic” (2016) është një portret sa aktual aq dhe personal i Irlandës, i cili është ekspozuar në Muzeun e Vogël në Dublin (2017).
Njohja jonë me Seamus Murphy-n vjen e ndërmjetësuar nga artistja italiane Valentina Bonizzi, pas pjesëmarrjes së tij të tretë në festivalin “DokuFest” në Prizren (2019). I pyetur mbi këtë event kaq të rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë e më gjerë ai përgjigjet se DokuFest është festival shumë vital për artin dhe ka shërbyer ndër vite si medium i domosdoshëm për ta prezantuar atë në një publik edhe më të gjerë, pasi atmosfera që krijon në qytet nxit shumë interesin për kinemanë dhe artin në nivel lokal dhe ndërkombëtarë.
Shkëputur nga biseda me Seamus Murphyn mbi filmin “Snake”
Trajektorja e përshkruar nga Seamus Murphy për të gjetur gratë Pashtun dhe poezitë e tyre.
Më ra në dorë një libër i mrekullueshëm me titullin “Këngët e Dashurisë dhe Luftës” që fliste për poezitë landay, por kam qenë i interesuar që prej vitit 1980, ndaj për këtë arsye i sugjerova Eliza Griswolds, koleges sime gazetare dhe poete, që mbase do të ishte mirë të bashkëpunonim për një projekt mbi këtë temë. Ajo gjeti një histori mbi një poete të re në provincën e Helmand-it që kishte kryer vetëvrasje dhe ne vendosëm të investigonim më shumë për atë histori e çfarë fshihej pas saj. Gazeta “New York Times” na komisionoi për të zhvilluar këtë investigim.
Nëpërmjet këtij angazhimi kishim mundësinë për të takuar dhe për të krijuar kontakte me poete të tjera në Kabul, që janë një grup bukur i fortë dhe që e njihnin poeten e vdekur nëpërmjet thirrjeve telefonike që kishte bërë në një transmetim radiofonik të mbajtur nga ato në Kabul. Duke punuar mbi këto baza informacioni, vendosëm të zhvillonim më shumë kërkimet tona mbi poezitë landays nëpërmjet njerëzve që ishin të interesuar për t’u përfshirë në këtë projekt. Një nga këto ishte një organizatë jofitimprurëse afgane me emrin WADAN, që e njihja nga udhëtimet e mëparshme në Afganistan. Pa ata nuk do të kishte qenë e mundur të realizonim kërkimin dhe punën, ose do të na kishte marrë edhe më shumë kohë. Eliza arriti të takonte gratë që mund t’i ndihmonte, të cilat do ta lidhnin më pas me të tjera e kështu me rradhë. Nganjëherë i është dashur të shkojë edhe në ceremoni martesore dhe kampe refugjatësh po ashtu.
Nuk do të kisha mundur të fotografoja gratë afgane për shumë arsye. E para, pasi ishte Afganistan dhe në rrethet tradicionale, prej të cilave buronte dhe poezia landay, burrat nuk mund të miqësoheshin me gratë dhe si rrjedhim as t’i fotografonin. Së dyti, poezitë ishin pa autorësi, anonime, çka i jep realisht ndershmëri atij krijimi. Kështu, nëse unë do të tregoja qoftë edhe se kush na i rrëfente poezitë dhe nëse ajo vinte nga një rreth familjar tradicional do t’i kishim shkaktuar shumë probleme. Poezia e tyre rrëfen botën që shohin gratë, ndaj unë fotografova dhe filmova atë që shihnin gratë- nuk kisha nevojë të fotografoja specifikisht gratë. Shumë prej imazheve të marra janë filmuar pa e ditur se cila poezi do të shkonte me sekuencat vizuale- kjo është ajo çka i jep elementin  surprizues filmit “Snake”.
Filmi “Snake” është realizuar në bashkëpunim me shkrimtaren Eliza Griswold. A ishte sfiduese të kuptonit metodologjinë e punës së njëri-tjetrit?
Ajo çka unë e vlerësoj si të rëndësishme ishte se në asnjë moment nuk e ndërpreva apo vura në vështirësi procesin e mbledhjes së poezive përgjatë ndërveprimit të Elizës me gratë që po ndanin poezitë e tyre që kishin shkruar apo që thjesht i dinin përmendësh. Ndaj, ndërkohë që Eliza po mblidhte poezitë, unë isha duke fotografuar Afganistanin- dhe jetën që gratë po përshkruanin në poezitë e tyre.
Në fillim të filmit ne shohim pazarin dhe kinemanë, dy hapësira publike me prani kryesisht burrërore. Në kushte të tilla izolimi, a ishte poezia e grave Pashtun një mëyrë për të pasur një jetë publike?  
Në fakt në fshat nuk ka jetë publike për gratë. Ato e jetojnë jetën brenda katër mureve të shtëpisë dhe nëse ato janë jashtë saj do t’u duhet të shoqërohen me gra të tjera ose t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga burrat e familjeve të tyre. Poezia për gratë Pashtun është një mënyrë për të komunikuar me gra të tjera dhe për të bashkëndarë shqetësimet dhe ëndjet e tyre. Fakti që landays janë anonime flet për faktin se ato e dinë që mendimet dhe idetë e tyre mund të shpërndahen te njerëzit e tjerë që nuk i njohin, mes tyre dhe te burrat. Burrat, si për ironi, e pëlqejnë shumë dhe e vlerësojnë poezinë landay. Edhe ata mund të shkruajnë poezi landays, por normalisht me zërin dhe nën perspektivën e gruas.
A besoni se një vepër arti mund të krijohet “ex-nihilo”, apo ndani mendimin se “diçka” ekziston paraprakisht, para idesë tuaj?
Jam i sigurtë që origjinaliteti ekziston- megjithëse nganjëherë ne mendojmë një ide me bindjen që është komplet e re dhe origjinale, dhe befasisht zbulon që po ajo ide është menduar edhe nga dikush tjetër, mbase në një kulturë tjetër. Unë mendoj se nëse një artist në mënyrë gjenuine arrin në një ide të cilën se ka parë asnjëherë më përpara- edhe nëse e ka parë dikush tjetër në ëndërr para tij- mbetet një ide origjinale. Dhe gjithsesi do të bëhet gjithmonë ndryshe nga njerëz të ndryshëm, ndaj në fund do të mbetet gjithmonë diçka originale.
A keni memorizuar vargje nga poezitë landys?
Po, janë disa vargje që i mbaj mend dhe që i veçoj nga të tjerat, pasi kanë ngarkesë shumë të madhe emocionale:

“Ti më shite te një burrë i moshuar, baba.

    Zoti ta rrënoftë shtëpinë, unë isha vajza jote. “

Filmin mund ta shihni në linkun : https://www.seamusmurphy.com/Film/Snake/1

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje