“NYJE”

Nyje.al është gazeta elektronike e Kamzës, themeluar nga aktivistët e Grupit ATA në vitin 2017. Si nismë, ndër të parat e llojit të saj në qytetin e Kamzës, kërkon të zhvillojë gazetarinë e angazhuar në periferi. Redaksia e Nyjes është e përbërë nga aktivistë, të cilët raportojnë dhe hulumtojnë nga këndi i qytetarit të angazhuar.

Në mungesë të raportimeve mediatike lokale nga Kamza, Nyje.al synon jo vetëm raportimin e ngjarjeve nga qyteti, por edhe ofrimin e një tabloje më të pasur të asaj që konsideron të rëndësishme për t’u ndjekur nga banorët e saj.

Nëpërmjet reportazhit, investigimit, opinionit, produksioneve audio-vizuale dhe punishteve të gazetarisë Nyje.al rreket të parashtrojë këndvështrime dhe interpretime të asaj çka ndodh në qytet dhe më tej, me fokus çështjet sociale, raportet institucion-qytetarë, si dhe angazhimin publik të banorëve.

Nyje.al synon t’ia mundësojë lexuesit mprehtësinë e perceptimit, rritjen e ndjeshmërisë sociale dhe vetëdijes qytetare ndaj çështjeve aktuale, duke krijuar një hapësirë komunikmi me ata që kanë më shumë nevojë: njerëzit e skajeve.

Nyja si mjet denoncues, informues dhe edukues përpiqet të stabilizojë një praktikë të qëndrueshme publikimi, raportimi dhe lidhjeje me lexuesit, duke nyjëzuar kufijtë e lokales me të qendrës.

Redaksia e Nyjes mirëpret çdo ankesë, kërkesë, raportim apo denoncim nga qytetarët e Kamzës. Identiteti i tyre do të ruhet në konfidencialitet të plotë dhe raportimi i tyre do të ndiqet me profesionalizëm nga redaksia.