Shënime nga Katastrofa

Pavjo Gjini | 04.12.2019 | nyje.al 

Në një nga banesat e dëmtuara pas tërmetit të datës 26 nëntor në Kamëz, në zonën e Laknasit. Foto nga Ronald Qema, datë 01.12.2019
Në një nga banesat e dëmtuara pas tërmetit të datës 26 nëntor në Kamëz, në zonën e Laknasit. Foto nga Ronald Qema, datë 01.12.2019.

Dua një kryeministër i cili njëherë në disa kohë thotë ‘ashtu u bëftë’ dhe ashtu bëhet, jo një kryeministër i cili flet gjithë kohës sepse asgjë nuk po bëhet. Ndërkohë që Edi Rama po dalldiset emergjencave tek endet periferive të vendit, thuajse çdo familje në Kosovë pa u ndjerë ka ndarë një pjesë të veten për banorët që vuajnë nga tërmetet. Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Shqipërisë, diasporës dhe të trojeve të tjera po ashtu kanë ndjekur shembullin e tyre. Nuk kemi sesi të mos e lexojmë nëntekstin e një ndihme të këtyre përmasave kombëtare si: ‘nuk kemi tjetër të garantuar pos veteve tona; ne jemi ata që mund ta shpëtojmë vetveten, të tjerët mund të na ndihmojnë’. Ka popuj që e jashtësojnë dhe e mirëmbajnë solidaritetin kombëtar dhe ndërkombëtar në institucione dhe jo më kot shtete të ndryshme nuk hezituan të vinin në ndihmë pas tërmeteve. Mirëpo, brenda kombit tonë bie në pah ndihma popullore e pakrahasueshme me atë shtetërore. Kur kujtojmë nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë ndjeshmërinë tonë konceptuale mund ta shprehim me përkufizimin e psikoanalistit Jacques Lacan për dashurinë: ‘të japësh atë që nuk ke dikujt që nuk e do’. E thënë shqip ‘bukë e kripë e zemër’, ku zemra qëndron për mungesën që ka dhuruesi dhe për gjithçka që i jep nevojtarit.
Ky fenomen i jashtzakonshëm i shtohet tezës së Albin Kurtit se shqiptarët janë si komb shumë i fuqishëm, por nëpër shtete të dobëta. Nga njëra anë vetëdija jonë kombëtare tregoi se është radikalisht solidare dhe e ndjeshme ndaj njerëzisë shqiptare, por nga ana tjetër tenton të mbulojë humnerën e institucioneve shtetërore në mungesë të përgatitjes, paraprirjes dhe financimit të domosdoshëm për to. Një vetëorganizim i tillë popullor me natyrë barazitare dhe anarkike nëse do ta mirëmbajë këtë fuqi të vetvetes do të duhet të shkojë një hap më tutje organizativisht dhe të institucionalizohet, kodohet dhe ritualizohet. Në bashkimin kombëtar, përshembull, pikërisht mundësia për t’i dhënë njëri-tjetrit do të ishte shumë herë më e madhe dhe më e fortë. Një popull që ndihmon vetveten në këto përmasa është gati për të ndërtuar një shtet me institucione që i përgjigjen nevojave dhe dëshirave të tij.
Ndihmat, nga ana tjetër, nuk duhen marrë si të barazvlefshme. Duhet bërë dallimi klasor mes anonimitetit të qytetarit të thjeshtë dhe gjithëpranisë së pronarëve të mëdhenj të pasurive tona të përbashkëta. Behgjet Pacolli është ministër në detyrë i Rep. së Kosovës mirëpo sillet si privat duke premtuar para nga xhepi i tij. Ndërkohë që në Bulqizë greva e minatorëve vazhdon prej më shumë se një jave sepse kompania e Samir Manes ka pushuar kryetarin e një sindikate të sapothemeluar prej minatorëve, mediat shpërndanë në iso lajmin se Mane dhuron miliona pas tërmetit. Shefqet Kastrati veproi po njëlloj pasi u bënë kritika se po përfitonte nga qarkullimi i kamionëve të ndihmave drejt Shqipërisë dhe të qytetarëve drejt Kosovës përmes traut të tij në Kukës. Një ditë më pas, biznesmeni i çuditshëm e krejt kitsch Gjergj Luca mblodhi fe e biznese për të kritikuar Albin Kurtin që është kundër monopoleve dhe për të mbrojtur kapitalizmin e monopoleve. Bërtiste si të ishte duke iu shembur biznesi nga tërmeti se donte të bëhej oligark si Kastrati e Mane. 1 Ndërsa deputeti socialist dhe biznesmeni Vullnet Sinaj ndihmoi me fjalët, “Populli ka një shprehje: nga ai që ka, nuk vjen e keqja, por e mira. Kryetarit i them, veç asaj rrogës do të të japë dhe 100 milionë lekë nga llogaria ime personale’. Donacionet e mëdha private me emër mbiemër janë gjëja e parë për t’u dyshuar. Kontradikta dallohet te Kastrati kur thoshte, ‘e kam dhënë në çast urdhërin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë. Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: “Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!”. Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe të lehtësohet sado pak’. Kastratit nuk ia ndjen për kontradiktat e të folurit të tij, sesi fjalia i bëhet lëmsh në fyt, sepse Kastrati ka paranë sistem tretjeje.
Hannah Arendt shkruante mbi mirësinë se, ‘mirësia qartazi e vështirëson një tendencë për t’u fshehur dhe për të mos u dukur. . . Sepse dihet se në momentin kur një punë e mirë bëhet e ditur dhe publike, e humbet karakterin e saj specifik të mirësisë, e të bërit për asgjë tjetër pos për hir të së mirës. Kur  mirësia shfaqet haptazi, nuk është më mirësi, edhe pse mund të vazhdojë të jetë e dobishme si bamirësi e organizuar ose si një akt solidariteti. . . Mirësia mund të ekzistojë vetëm kur nuk merret me mend, edhe prej vetë autorit; kushdo që e merr me mendt e tij se po bën një punë të mirë nuk është më i mirë, por në rastin më të mirë një anëtar i dobishëm i shoqërisë. . . . “Le të mos e dijë dora e majtë se çfarë bën e djatha”.2 Ndihma  private e spektakolare e këtyre personave tenton të mbulojë bindjen e gjithëpranuar se qoftë nga normaliteti qoftë nga katastrofa Shqipëria është një shoqëri ndarja klasore e të cilës veç po ashpërsohet e thellohet (e njohur me gjuhën liberale si oligarki) ku vetëm soji i Maneve e Kastratëve po ia shohin hajrin.
Një pjesë brenda nesh na tërheq për krahu tek na thotë se kjo zi kombëtare duhet të jetë e shenjtë, se duhet t’i vajtojmë viktimat pa folur, se ngritja e akuzave dhe të menduarit mbi gjendjen e tyre dhe vdekjen e tyre tingëllon blasfeme. Për këtë pjesë tonën çdo akt i të menduarit është skandaloz meqë duket sikur të menduarit i instrumentalizon njerëzit; të menduarit në vetvete përcaktohet si abstrakt dhe rrjedhimisht lind dyshimi se në shërbim të çfarë dëshire po vihet ky i menduar abstrakt, apo është thjeshtë një dëshirë për mendim. Mirëpo, vajtimi, ky akt i domosdoshëm që na mundëson raport të jashtëm me vdekjen me vazhdu jetën, është pamundësuar nga performanca publike e Kryeministrit Rama.
Sfera jonë publike ka degraduar më keq sesa druajtja liberale brenda nesh. Kushdo që e sheh si sillet Kryeministri nëpër katastrofë me banorët e kupton që aty vajtimi pamundësohet. Nëse në një skenë teatri një aktor sillet rrotull katastrofës siç sillet Rama ajo tragjedi do të dështonte. Asnjë vajtimore nuk do ta kishte duruar sjelljen e tij prej palaçoje përreth vajit te tyre. Në një bisedë mes miqsh kuptova se Kryeministri jonë nuk di as të ngushëllojë dhe as të vajtojë, një sjellje kjo para-ose-post themeleve të shoqërive njerëzore.3 Këtu merr kuptim brutal teza e Sllavoj Zizek se përse filmat më të mirë mbi holokaustin janë komedi, sesi ta trajtosh përmes tragjedisë katastrofën e kampeve të përqendrimit nuk ia mbërrin ta rrokësh në asht atë. Të shfarosurve të kampeve u shfarosej edhe dinjiteti i mundshëm epik i një përballje përfundimtare tragjike me armikun.
Kjo vënie në dyshim e vetë të menduarit mbi katastrofën është pikërisht ajo që do ta ndalojë fare mendimin. Vetë vdekja dhe dhimbja janë limite të cilat ia lënë vendin pyetjes se ç’është për t’u bërë tani e mbrapa, kuja për t’u menduar sepse janë të pamjaftueshme në vetvete. Nëse duam ta mbajmë pranë këtë katastrofë me dhimbjen e saj do të na duhet të bëjmë një hap përpara dhe ta mendojmë, interpretojmë dhe t’i japim domethënien specifike që do të ketë pasur për ne. Tashmë edhe ne si shqiptarë e kemi të qartë se një histori e treguar mbi pushtetin me fytyrën e Ramës duhet të jetë tej tragjike.
Viktimave më së pari dhe pa hezitim ua kemi detyrim që të vëmë në pah përgjegjësinë sistemike dhe individuale për një pjesë të kësaj katastrofe, përndryshe sillemi sikur ato kanë qenë gjithnjë tashmë të vdekur. Ua kemi detyrim të mendojmë rrënjësisht gjendjen tonë politike duke qenë se është e njëjta ende me të tyren. Tregimi i historisë së tyre, pse kanë banuar në atë zonë, se kush është përgjegjës për ndërtimet dhe përgjegjës për rreziqet e anashkaluara janë e vetmja mënyrë për të ruajtur dinjitetin e jetëve të tyre dhe jetëve tona. Përndryshe, e pranojmë se jetët tona janë lehtësisht të vrasshme. Trupat tanë sillen si mish për top, si zombi, të vdekur për së gjalli në makinerinë e çakërdisur të kapitalizmit në Shqipëri. Futja masive e kokave në shtëpi dhe nën objekte të pagarantuara na kujtojnë pamjet e fabrikave industriale bujqësore ku lopët, pulat dhe kafshët e tjera i mbajnë truplidhur nga lindja deri në vdekje për t’i vrarë kur ezaurohet prodhimi i tyre. Na kujtojnë skenat e filmit ‘Salo’ të Pasolinit  ose skenën e famshme të Schindler’s List ku nga ballkoni nazisti vret sipas tekës aspak epike, si për snobizëm e për çnderimin e të burgosurit në kampet e përqendrimit.4
Në këtë pikë, përballë kësaj katastrofe natyrore dhe psiko-politike, shtrohet pyetja se ku mund të mbahemi. E ku tjetër pos pas insistimit të përjetshëm te drejtësia, insistimit te përmasa ngjarjësore e jetës, insistimit në ruajtjen e të qenurit të njeriut, në mbarëvajtjen e mundësive të pafundëta të tij dhe në realizimin e pafundëm të tyre nga një mobilizim total barazitar mes njerëzish. Asgjë nuk na mban bashkë pos drejtësisë në barazi dhe barazisë në drejtësi. Njerëzimi ekziston për të ftilluar këto dy koncepte, për ta avancuar atë dhe përmes tij vetveten. Mirëpo, të shtojmë me Frantz Fanonin se drejtësia nuk është e paqtë e paqtuese, apo e ngulfatur në labirinte institucionesh, por e dhunshme, sepse padrejtësia është e dhunshme. Drejtësisë i duhet me triumfu ndaj një armiku të dhunshëm. Të drejtët e dinë se ka një mallkim në luftën për drejtësi, sepse në triumfin ndaj padrejtësisë armiku ka fituar diçka duke e bërë dhunën pjesë të të drejtëve. Çdo luftë për drejtësi e cila nuk shkakton reagim të dhunshëm nga ana e armikut i duhet vënë në dyshim serioziteti, sinqeriteti dhe efektet. Armiqtë e drejtësisë nuk e pranojnë paqësisht atë, ata duhen detyruar ta bëjnë diçka të tillë.
Në këtë pikë marrëdhënia jonë me natyrën bëhet anësore dhe kështu na e qetëson raportin ankthioz me abisin e saj. Marrëdhënia e natyrës me ne është indiferente, natyra nuk e njeh katastrofën siç e njohim ne. Katastrofat janë pjesë e historisë së saj. Edhe Bing-Bangu si teori e fillimit mund të lexohet si katastrofa fillestare prej nga mbin universi. Tokës po ashtu i është dashur të kalojë katastrofa pa fund e vazhdon t’i kalojë ndërkohë që njerëzimi mbahet pas një fije të hollë jete përmbi të. Tërmetet, stuhitë, vullkanet e të ngjashme janë norma për tokën dhe jo raste përjashtimore. Sa një atak kardiak është e hollë fija e jetës. Natyra na e ka mundësuar jetën pa garanci. Mirëpo, ne e kemi marrë atë dhe veten si të mirëqenë. Jean Jacques Ruso shkruante mbi tërmetin e Lisbonës së 1 nëntorit të vitit 1755 ku vdiqën me dhjetëra mijëra njerëz se nuk ishte natyra ajo që i ndërtoi 20.000 shtëpi me 6 deri në 7 kate në qytet. Ruso insistonte se njerëzimi është përgjegjës për fatin e tij, e liga kudo që duket është e tija.
I kemi blerë shumë lirë banesat dhe pushimet popullore në Durrës, aq lirë sa e kemi lënë veten garanci për to. Siç më kujtoi një shok, i vetmi fat i kësaj tragjedie ishte që tërmeti nuk ndodhi përgjatë verës ku masa e viktimave do të ishte shumë herë më e madhe prej numrit të madh të pushuesve plot fëmijë e të moshuar gjumit në muzg. Pushimet në Durrës i kemi bërë tepër lirë, nuk kemi dashur t’i shohim elefantët në bregdet dhe i kemi nxjerrë me një lehtësi të papërballueshme jetët tona në industrinë brutale të turizmit tonë kombëtar. Triumfi i kapitalizmit përmbi jetën dhe të gjitha rregullimet historike të saj, ideja e një kapitalizmi pa shtet dhe pa institucione, është avancimi i mafias në biznes; me ‘grabit dhe investo’ është tejkalimi që mafia i bën vetes duke u kthyer në klasë biznesmene. Njerëzit janë trajtuar si objekte të ndërkëmbyeshme dhe të sakrifikueshëm në emër të një norme fitimi më jetëshkurtër se jetët e tyre.
Ëndrra paskomuniste për një kapitalizëm të pamenduar, ku menaxhimi më i mirë i dhunës që prodhon shoqëria presupozohet se përmbahet më së miri nga tregu, është shndërruar në makth. Në momentin kur themi se e rëndësishme është paraja pa të tjerat shkojnë e vijnë, le të ndodhin tërmete e katastrofa pa punëtori të duket në punë, krimin dhe ekonominë i kemi bërë një. Kur dinjiteti i jetës, drejtësia dhe barazia kompromentohen dhe paskrupuj themi se ‘gjithçka është ekonomi mo budallenj’, atëherë e kemi pranuar se ekonomia është kriminale dhe krimi është ekonomik. Ëndrra e një kapitalizmi pa natyrë e shtet tek vardiset botës e ne tek dalldisemi e gudulisemi brenda rrethit të tij vicioz na plaset surratit sot me pamjen e grave pa kulm mbi kokë ngashërima e të cilave heshtet nën përqafimet e rënda të Ramës pas disa goditjeve me fjalë nënbrez.
Në zgrip të kësaj katastrofe njerëzore tepër njerëzore, me patetizëm ndoshta mund t’i themi vetes si Flaccusi mbi indiferencën kozmike se, ‘edhe nëse bota bëhet copash, rrënojat do të vazhdojnë t’i mbështesin sypatremburit’. E nëse kjo tingëllon tepër e pandjeshme, të paktën t’i themi vetes me Ungjillin sipas Mateut se duam një zot i cili kur i afrohet Lazarit loton, loton gërmadhash tek e nxjerr të vdekur për ta ringjallur. Në kthimin nga Prishtina në Tiranë, në minutat e para të 30 nëntorit, e dëgjova një vajze rome, e ndaluar prej 6 orësh në doganë për të mos kaluar në Kosovë dhe e shtyrë plot britma në fundin e autobuzit tek kthehej në Durrës si zezakët e Amerikës të shekullit të kaluar, të thoshte mes dhjetëra romësh e me shikimin e papërpëlitur, me fëmijën e saj shtrënguar në gji, me një tërbim që e mbante gjithnjë ngarkuar në tytë dhe përplot bindje, “nuk vdesim ne, jo, nuk vdesim ne”. Mu duk shumë më e fortë se unë, mu duk shumë më e fortë se tërmeti.
***
1.“Elbasan/Kryebashkiaku mbledh komunitetin e biznesit”, youtube video, 12:15, “News24 Albania”, 29 nëntor, 2019, https://www.youtube.com/watch v=0h25gK4_fKk&feature=youtu.be&fbclid=IwAR1FZKGR4UZ_s8w-DKVdX5Vy2MXtHzmc7Ef-zW4PKLIMnG1op4xFvl8-umA
2.Hannah Arendt, The Human Condition, (Chicago, The University of Chicago Press, 1998). Faqja 74.
3.Në takimin me qytetarët pa shtëpi në zonat e katastrofës sapo Rama flet disa prej banorëve që duan të tregojnë dëshminë e tyre shtangen në turp. Rama iu thotë jeni të traumatizuar prandaj gënjeni dhe qytetarët skuqen nga turpi. Mbi turpin, me gjenocidin armen në kokë, Marc Nichanian shkruan: “Turpi vinte ngaqë, kur flisnim, kurrë nuk i drejtoheshim vetes. Ngaqë, çdo herë, në çdo kohë, donim të sillnim prova, të silleshim si prova. Kështu që më vinte turp sa herë që dëshmia sillej, afishohej, prezantohej, blatohej me përdëllim në altarin e provës. Për çdo herë që ishim, që na duhej të ishim prova e gjallë e vdekjeve tona. Provë e gjallë e vdekjes së vet, sikundër ishte dhe studenti italian. Ja momenti i turpit. Dëshmia është vetë turpi”. (Marc Nichanian, Dëshmia dhe Turpi, përkthyer nga Orgest Azizi, 29 korrik, 2019, https://peizazhe.com/2019/07/29/deshmia-dhe-turpi/). Në shkrimin prezantues të këtij përkthimi Orgest Azizi shkruan dhe ne mund të tërheqim një krahasim me stilin e Ramës, “ideja (dhe jo aq shembulli) e dikujt që nuk e ka njohur kurrë turpin do t’ishte një nga përkufizimet më të sakta të çnjerëzores”. (Orgest Azizi, Rëndë dhe Fragmente të Turpit, 29 korrik, 2019, https://peizazhe.com/2019/07/29/rende-dhe-fragmente-te-turpit/)
4.“Amon Goeth (Schindler’s List, Steven Spielberg, 1993)”, youtube video, 2:00, S GL, 2 dhjetor, 2013, https://www.youtube.com/watch?v=gasW6LPzml8&fbclid=IwAR0KXROkqcwBm0Sk0R1rWzsaYhPV6OGlugGsBbSWUgWi1d9M5K4vudrT_04

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje