Stereotipet duhen luftuar, jo mbështetur

Ronald Qema | 08.10.2019 | nyje.al 

Kamëz 2018
Kamëz 2018

Kam dëgjuar se berberhanet e burrave nuk dallojnë shumë nga sallonet e bukurisë së grave. Thelbi është i njëjtë, por ‘maskuliniteti’ i djemve dhe burrave nuk e pranon dot që muhabetet mes tyre janë njësoj me ato të grave apo vajzave, madje përveçse seksiste, mes veti shpalosin edhe forma të tjera diskriminimi që me apo me pavetëdije ua bëjnë “të tjerëve” të ndryshëm nga vetja.

Jam rritur pranë godinave blegtorale të ish-fermës “Ylli i Kuq” që lulëzoi gjatë përiudhës moniste në zonën e Kamzës së sotme. Pas rënies së regjimit këto ndërtesa ashtu siç çdo godine tjetër shtetërore iu ndryshua funksioni dhe u mor nën kontroll nga njerëzit. Me kalimin e kohës gjatë viteve ‘90, masivizimi i migrimit të popullsisë sa më afër kryeqytetit i populloi këto ndërtesa me banorë kryesisht të ardhur nga Veriu i Shqipërisë. Kurrë nuk është ditur se pse, por stigmatizimi i këtyre banorëve për faktin që jetonin në ish-stallat e bagëtive ka nisur që herët, që para se të lindja unë. “Stallaxhinjtë” është termi më diskriminues që kam dëgjuar që herët në fëmijëri, por që vonë e kam kuptuar sesa vlerë ka pasur në rritjen e qindra apo mijëra fëmijëve në zonën e  Bathores dhe Kamzës. Njiheshin si njerëz që nuk dinin të komunikonin, të dhunshëm dhe të frikshëm për ata që nuk ishin pjesë e atij komuniteti. Unë jam rritur në një komunitet që ka diskriminuar një komunitet më të vogël, duke paragjykuar nga jashtë dhe duke mos ditur çfarë ndodh aty brenda. Kushërinjtë e mi kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në ato godina dhe unë kam pasur shansin që shpesh të rrija me ta dhe të kuptoja ‘botën’ e tyre.

E kur them botën e tyre, flas për shtëpitë e vogla që dimrin e vuanin dhe verën e gëzonin. Me paraditet bosh, se mëngjesi niste herët: me nënat që përgatisnin atë pak ushqim e niseshin për në punë, burrat po ashtu, e me fëmijët që në mungesë të kujdesit të prindit niseshin si niseshin për në shkollë. Shpesh herë pa energji elektrike, të paktë ishin ata fëmijë që arrinin të përfundonin detyrat e shkollës pasi dielli në atë hapësirë të vogël, në cepa të ndryshëm, ndriçonte ndryshe. Por përveç rrethanave të tjera, ajo që mungonte më shumë ishte komunikimi familjar. Puna e prindërve me orare të gjata, shkolla e fëmijëve, jeta e vakët sociale, lodhja e madhe nga ditë të tilla të gjitha këto kanë penguar mirëfunksionimin e institucionit të familjes. Problemet sociale kanë qenë të pranishme në këtë zonë pasi asnjëherë nuk u mundua kush të ndërhynte për të siguruar një progres social me këto familje që e kishin nisur nga zero.

E dini pse konsideroheshin të dhunshëm dhe barbarë?

Në vitet  ‘96-‘97 u përfol se një plan gjoja urbanistik do të prekte zonën dhe si pasojë kërkohej lirimi i këtyre ndërtesave tashmë të shndërruara me mund në banesa me qëllimin për t’i shkatërruar. Banorët asesi nuk ranë  dakord, por luftuan kundrejt forcave policore që donin t’i flaknin në mes të katër rrugëve, duke e cilësuar këtë dhe si spastrim mbi bazën e prejardhjes. “Veriorët në veri të Tiranës janë ‘rrezik’ për kryeqytetin prandaj duan të na përzënë” – kështu mendonin banorët atë kohë. Bllokuan rrugën, duke djegur goma dhe kazanët e plehrave dhe nuk lejuan prishjen e godinave duke mundur kështu politikën e ‘spastrimit’ të tyre.

Fëmijët e këtyre prindërve që luftuan për banesat e tyre u rritën gjithmonë me nevojën për të qenë të fortë që të mbijetonin. Mbaj mend që kur luanin futboll me fëmijët e lagjeve të tjera dhe për shkak të talenteve që kishin në skuadër, mundnin çdo kundërshtar. Në fund të ndeshjeve ngaqë nuk mateshin dot me ta nga ana sportive, kundërshtarët i ofendonin me frazën që mezi prisnin t’ua thonin, “Ytt stallaxhinjë”. Kaq mjaftonte që sherri të niste sepse ndonëse të mirat materiale mund t’u mungonin, dinjiteti nuk u mungonte aspak.

Të gjykuar gjithmonë nga të tjerët janë përjekur të mbijetojnë dhe ja kanë dalur. Djemtë e asaj lagjjeje me krenari sot punojnë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre, ndryshe nga shumë të tjerë që në fëmijëri i diskriminonin.

Riktheva këto kujtime sepse, edhe pse tashmë berberi përveç flokëve duhet të merret dhe me mjekrën time, kur dëgjova sot teksa prisja rradhën njërin klient t’i thoshte berberit: “Hë mo ke pas noj çik punë, kanë ardhur stallaxhinjtë për t’u qethur?”-u riktheva në fëmijëri dhe isha gati t’i kthehesha siç u ktheheshin dikur djemtë e asaj lagjjeje.

Leave a Reply