Tentativë për një formulë shoqërore

Armand Haxhia | 06.04.2020 | nyje.al 

Njutoni thotë: forca që ushtron mbi një objekt është e barabartë me forcën që ushtron objekti mbi ty. Kjo është te fizika klasike ku pretendojmë që të mos i shkatërrojmë objektet, por vetëm t’i interpretojmë. Mund të themi se fizika klasike në këtë kuptim është si demokracia e kulluar, ku me demokraci të kulluar nënkuptojmë një sistem ku çdo kritikë do të vendosej si variabël në një ekuacion që duhej të kishte më shumë se një zgjidhje.

Sistemi jonë është demokracia dhe variablat kryesore të demokracisë janë populli dhe pushteti. Pra, demokracinë mundet ta shtrojmë si raporti i popullit me pushtetin:

Demokracia = Popull
Pushtet

 

ku Populli është masa e popullatës që është vazhdimisht në lëvizje, ndërsa Pushteti koha që kalon nën sundimin e një qeverie. Pra, populli=lëvizje; pushteti=kohë[1]

Formulën do ta zhvillojmë:

Demokracia = Popull  = Lëvizje
Pushtet Kohë

 

Demokracia është shpejtësia e integrimit tonë në strukturat ku synojmë të aderojmë(p.sh, BE-ja). Që ta arrijmë këtë “na duhet kohë” thonë ndërkombëtarët nga jashtë (jashtë sistemit tonë të referimit). Ata bëjnë një gabim shumë të thjeshtë; harrojnë të bëjnë konvertimin e sistemit tyre të referimit në sistemin tonë të referimit. (Gabimi është gabim shumë i thjeshtë matematikor, por me pasoja të rënda politike, sepse në këtë mënyrë ata na japin variablën e gabuar). E thënë në fjalë popullore: pretendojnë se nëpërmjet reformës në drejtësi të sillet drejtësia, apo nëpërmjet reformës zgjedhore të sillet demokracia. Duke ngatërruar sistemin e referimit ata dalin në variablin e gabuar tek koha.

E analizojmë edhe njëherë formulën:

Demokracia = Popull  = Lëvizje
Pushtet Kohë

 

Pra, duke thënë se duhet kohë (stabilitet) automatikisht ulet demokracia e brendshme, ndërsa rritet forca e pushtetit. Gabimi në variabla i ndërkombëtarëve e thjeshton së tepërmi situatën për politikanët tanë. Kështu duke thënë se duhet kohë, për politikanët tanë kjo përkthehet në më shumë pushtet dhe ata do të bëjnë të pamundurën që ta zgjasin pushtetin sa më shumë të munden.

Por ç’ndodhi para viteve 90?

Nëse, kujtojmë formulën

Demokracia = Popull
Pushtet

 

nëse pushteti do të rritej maksimalisht deri në pafundësi atëherë demokracia do të shkonte drejt 0 dhe do lindte sistemi i ri, sistemi diktaturë.

Diktatura= Popull  = Lëvizje
Pushtet>> Kohë>>

 

Pra, diktatura është një sistem me pushtet në kohë të zgjatur pa lëvizje të popullit dhe me demokraci inekzistente. Shembulli vetë shërben si pikënisje për analizën tonë. Koha që ndërkombëtarët kërkojnë për pushtetin na dërgon prapa në historinë tonë, dhe jo për faj të ndërkombëtarëve, por për faj të ngatërresës që ata ua bëjnë variablave duke harruar t’i konvertojnë në sistemin tonë të referimit. Gjithsesi, para viteve `90 një ndër gjërat pozitive që ndodhi për shkak të kohës ishte “lodhja” e pushtetit. Pra, kur koha kalon pushteti lodhet dhe si pasojë e kësaj dukurie kur pushteti  lodhej në ardhje të viteve `90 vetvetiu demokracia rritej.

Para kësaj periudhe lëvizjet e popullit ishin mjaft të vogla; mund të themi se mbizotëronin lëvizjet individuale kundrejt lëvizjeve kolektive. Lëvizjet individuale nuk mund ta detyrojnë një sistem të lëvizë. {Psh: Rrotullimi i Tokës (lëvizje individuale) rreth vetes ka ndikimin vetëm në Tokë dhe jo në sistemin tonë diellor, por çdo ndryshim që pëson sistemi jonë diellor (lëvizje kolektive) pasqyrohet menjëherë në Tokë. Sistemi socialist shtetëror vazhdimisht i shtypte lëvizjet individuale dhe kjo e shpjegon edhe frikën e njerëzve për ndërrimin e pushtetit. Përgjatë kësaj kohe populli ekzistonte atëherë dhe vetëm atëherë kur i duhej pushtetit dhe pushonte së ekzistuari kur nuk duhej. Në diktaturë pushteti ishte mbi popullin. Formulën mund ta shkruajmë edhe kështu:

Diktatura= Pushtet
Popull

 

Ajo çfarë ndodhi para viteve `90 ishte stërzgjatja e pushtetit, pra lodhja e sistemit. Me lodhje (stërzgjatje) pushteti->0  diktatura bie sepse

Diktatura = Pushtet  = Pushtet~0  =0
Popull Popull

 

(Me këtë vërtetojmë që bie sistemi, por jo njerëzit e tij)

Fillimi i viteve `90 shoqërohet me lëvizje të madhe të popullsisë për pasojë rritja e demokracisë do të ishte e pashmangshme (

Demokracia = Popull  = Lëvizje
Pushtet Kohë

)

 

sepse lëvizja është faktor rritës për demokracinë. Gjithë kjo lëvizje e madhe e popullsisë e vendosi në panik pushtetin (njerëzit e pushtetit). Frika e pushtetit se do ta humbiste kontrollin mbi demokracinë bëri që ai të krijonte mekanizma që krijonin lëvizje negative që do ta shuante këtë lëvizje popullore deri në vitin `96. Pushteti duke menduar se populli kishte mbetur i njëjti përdori mekanizma të para viteve `90 për ta frenuar lëvizjen e tij duke u kamufluar në lëvizje. Lëvizja e viteve`90-`96 ishte lëvizje e përshkallëzuar gjeometrike kundrejt mirëqënies ekonomike individuale që rrjedhimisht do të duhej të kalonte edhe në mirëqënie shoqërore duke pasur parasysh ndikimin pozitiv që do të duhej të na e jepte perëndimi. Pushteti donte ta kontrollonte demokracinë, por pa krijuar përshtypjen se pushteti po ndërhynte tek populli (mekanizmi i pushtetit para `90). Nuk donte që populli ta merrte vesh se edhe pushteti post-diktatorial donte të sillej si ai diktatorial.

Rikthehemi te formula:

Demokracia = Popull  = Lëvizje
Pushtet Kohë

 

pretendimi i tyre ishte që pushteti të mbetej i pandryshuar dhe lëvizja të zvogëlohej. Pra, dëshira e tyre ishte të kontrollonin lëvizjen, pra të kontrollonin demokracinë. Frenimi në mënyrë kaq të shpejtë (firmat piramidale në vitin `97) na mundëson futjen e një termi të ri në analizën tonë “Energjia”. E futim energjinë si term sepse tani po kryhej punë nga pushteti për ta frenuar lëvizjen. Aftësia e një trupi për të kryer punë quhet energji. Nga fizika dimë që: Energjia= Energji kinetike(Ek) + Energji potenciale (Ep). Pra, në kohën që lëvizja e popullit ishte maksimale (Ek ishte maksimale) dhe Ep ishte praktikisht 0. Pushteti pretendoi se duke e frenuar këtë Ekmax (Ekmax=0) do ta shuante lëvizjen dhe do ta kontrollonte atë (rrjedhimisht edhe demokracinë). Mirëpo harroi se energjia në sistem nuk humbet por shndërrohet – dhe në këtë rast gjithë Ek shndërrohet ne Ep. Energjia potenciale në këtë rast nënkupton që populli ka kuptuar mekanizmin e pushtetit. Nga fizika dimë gjithashtu se gjendjet e skajshme të energjisë janë gjendje që kalojnë shpejt dhe, në këtë rast, gjithë Epmax shndërrohet në Ek derisa ajo të bëhet maksimale përsëri. Gjithë ai potencial në atë kohë shumë të shkurtër u transformua në lëvizje masive të popullit, por tashmë me të vetmin ndryshim që synohej shkatërrimi i pushtetit.

Kështu dalim te diçka e re:

Anarkia= Popull>>  = Lëvizje max
Pushtet<< Kohë min

 

Anarkia si formë e skajshme e demokracisë; si demokraci ku ekziston vetëm populli pa pushtet; ku, në mungesë të pushtetit, popullit i duhet të përballet me vetveten. Kjo përballje do te sillte ndarjen e popullit në popullin 1 (P1) dhe popullin 2 (P2). P1 është populli i shpresës për ndryshim: populli për ndryshim është popull që beson në ndarjen e tij.
P2 është populli që shpreson për përmirësim: popull naiv që shpresën e ka gjënë e fundit që i vdes.
Do t’i referohemi kësaj si diferencë, pra Populli=P1-P2 sepse vetë ndarja do ta ulte popullin në vendimmarrje.

Pra:

Demokracia = Popull  = P1-P2  = (D1-D2) 1  = (D1-D2)
Pushtet Pushtet Pushtet

 

Ndarja prodhon një diferencë në demokraci (D1-D2), ose diferencim të popullit në demokraci, duke ia kaluar kështu fuqinë më të madhe pushtetit. Me ndarjen e popullit, pushteti bëhet variabla kryesore në këtë zhvillim të formulës së sistemit. Meqenëse bëhet variabla kryesore, pushteti tenton vazhdimisht ta zgjasë veten, si për shembull me aspiratën për t’u anëtarësuar në BE, duke krijuar iluzionin e ndyshimit. Që nga viti `97, e njëjta formë pushteti është ruajtur, pra zgjatet koha e pushtetit dhe krijohet iluzioni se, në 8 vite, një pjesë e popullit shpreson, e në 8 vite të tjera pjesa tjetër. Kështu populli mbahet i ndarë duke i bërë të shpresojnë duke pritur në radhë.

Deri më sot ka pasur dy pika të tjera përbashkuese kulminante të popullit ; janari i 2011-s dhe qershori i 2019-s[2]. Këto ishin protesta të thirruara nga ata që e ndajnë popullin, por që vetë populli i tejkaloi duke i frikësuar thirrësit e protestave: nëse vijnë në pushtet me lëvizje (popullore) ashtu edhe mund të largohen. Të frikësuar prej lëvizjes (që do ta rriste vendimmarrjen e popullit) ata tërhiqen nga lëvizja (sikurse u tërhoqën më 22 janar 2011, PS-ja,  dhe më 30 qershor 2019, PD-ja[3]).

Demokracia  = (P1-P2) 1
Pushtet

 

Shpresa për ndryshim e popullit që nga viti `97 deri në 2019 vjen e transformuar nga shpresa kolektive në shpresën banale individuale. Pas vitit `97 pushteti vazhdimisht premtonte që do t’jua kthente lekët e humbura nëpër firmat piramidale dhe në këtë mënyrë ata pretendonin që ta zgjasnin kohën në pushtet, por ajo që ndodhi është se disa individë morën sasi parash duke siguruar që në këtë mënyrë të thellohet ndarja midis popullit dhe për pasojë të mos ketë lëvizje. Në vitin 2019 forma e ndarjes së popullit është identike me atë të pas vitit `97.Përshembull,në unazën e re të Tiranës për shkak të projektit infrastrukturor duhet që të prishen shumë shtëpi. Një pjesë e tyre e kanë legalizimin dhe një pjesë nuk e kanë marrë sepse ka qënë në anën e gabuar të pushtetit. Dy komshi ngjitur me njëri-tjetrin të prekur të dy nga projekti, njëri prej tyre ka mundësi dëmshpërblimi, ndërsa tjetri jo. Prandaj edhe aty nuk mund të ketë lëvizje n`bllok ku vetëm në këtë mënyrë mundej të ngrihej ligjërimi i përbashkët.

Si përfundim ekuacioni jonë

Demokracia  = (P1-P2) 1  = Levizje
Pushtet Kohë

 

ka shumë zgjidhje, si më poshtë:

  1. Protektorati ndërkombëtar, që nuk merr parasysh asnjë nga faktorët e formulës përpiqet t’i shërbejë një pushteti tjetër të ndarë nga populli, por gjithmonë me justifikimin e shërbimit kundrejt një populli “barbar” që nuk siguron dot veten. Ky është rasti kur ekuacioni nuk ka zgjidhje;
  2. Diktatura, që bazën e ka te shtrirja e pushtetit në kohë dhe popullin e përdor si instrumentin e saj për justifikimin e kohështrirjes së diktatit; përshembull kujtojmë tog-fjalëshin “diktaturë e proletariatit”
  3. Anarkia, ku ka lëvizje jashtë të zakonshmes, lëvizje pa subjekt. Pushteti në këtë formë është armiku që luftohet.
  4. Demokracia, që nënkupton një lëvizje të përhershme të popullit për ndryshim.

Formula

Demokracia  = (P1-P2) 1  = Levizje
Pushtet Kohë

 

është formula e zhvilluar në kushtet politike në Shqipëri, pra ajo na jep gjendjen në të cilën ndodhemi. Midis 4 gjendjeve të lart-përmendura ka mori kombinimesh, rrjedhimisht shumëllojshmëri pushtetesh.

Formula aktuale për ne është

Demokracia  = (P1-P2) 1  = Levizje
Pushtet Kohë

 

Pra një popull i ndarë në lëvizje të rastësishme në raport me një pushtet me dëshirë që të shtrihet sa më shumë në kohë, që rrjedhimisht i bie që ky sistem të jetë demokracia e rastësishme. Duke pranuar demokracinë si sistemin ku populli ka ndikimin më të madh tek pushteti, rritja e demokracisë (vendimarrjes e popullit) kryesisht bëhet duke e kthyer ndarjen në bashkim; pra nga P1-P2 ta bëjmë në P1 +P2 . (Rritja e pjesëmarrjes nëpër votime është një nga mënyrat). Nga ndarje në bashkim kërkon mobilizim si teorik ashtu edhe praktik, por përveç kësaj demokracia rritet edhe duke ia shkurtuar kohën një pushteti të “keq”.

Formula nuk e përcakton dot modelin teorik e ideologjik që duhet ndjekur për kalimin nga ndarja në bashkim, por thekson se populli duhet të lëvizë dhe se lëvizja duhet të jetë e përhershme që rrjedhimisht të sigurohet një demokraci stabël. Kur prishet ky ekuilibër kemi deformimet e demokracisë, rrjedhimisht edhe ndarjen e popullit. Ajo çfarë na nevojitet për rritjen e demokracisë së brëndshme është lëvizja e përhershme e popullit dhe reagimi i tij në kohën e duhur. Koha e ndërkombëtarëve, variabli në sistemin e tyre të referimit, do të përkthehej lëvizje në sistemin tonē të referimit. Prandaj sa herë ata thonë “kohë” ne në mendje duhet të kemi “lëvizjen”.


[1] Popullata është masa e prehur që ka prirjen të sh-prehet nëpërmjet popullit. Diferenca nga prehja në sh-prehje , nga popullata tek populli, nga gjëndja fillestare tek gjëndja aktuale është lëvizje. Popullata është masa apo kushti i mundësisë lëvizjes. Popullata është kushti i mundësisë së popullit. Duke i patur dy kushte do të mund të shtronin një sistem :

1)Popullata është masa apo kushti i mundësisë lëvizjes
2)Popullata është kushti i mundësisë së popullit

Nga zgjidhja e sistemit  na del që populli=lëvizje
Pushtetit do t`i referohemi si kohëzgjatje, pra koha që do të kalojë në drejtimin e një grupi njerëzish.

[2] 21 janari i 2011 protesta gjithëpopullore e opozitës së asaj kohe(Partia Socialiste)  21 Qershor 2019 protesta gjithëpopullore e opozitës sotme (Partia Demokratike). Në thelb të dy këto protesta kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.

[3] Tërheqja nënkupton se ata nuk i shkuan deri në fund kauzës tyre, përkundrazi e tradhëtuan popullin që ishte përleshur gjatë gjithë kësaj kohe me policinë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje