Ushtria në rrugë, Punëtorët në Fabrika

24.03.2020 | nyje.al
Ditën e djeshme Kryeministri Rama ritheksoi se fasoneritë do të vazhdojnë të punojnë. Arsyetimi për këtë vendim sipas tij është ekzistenca e një ‘disiplinë të centralizuar të punës në këto fabrika. Ndërkohë që Kryeministri po i besonte verbërisht pronarëve dhe menaxherëve të fasonerive, në po të njëjtën ditë është identifikuar punëtorja e parë e infektuar me COVID-19 në fabrikën ProDyn në Tiranë (raportuar nga Birn). Po ashtu, para disa ditësh u bë e ditur e infektuara e parë nga sektori i call-centerave.
Fasoneritë dhe call centerat vazhdojnë të funksionojnë, edhe pse pjesërisht. Ende nuk ka raportim publik sesa është pjesa e tyre në punë e sipër. Ndërkohë dihet se në këto dy sektorë të ekonomisë janë të punësuar mbi 100.000 punëtorë. Pas shkollave, universiteteve, spitaleve dhe administratës publike, ky është sektori me kolektivin më të madh të qytetarëve. Marrja e një vendimi për vazhdimin e punës aty shpërfaq besimin e tepruar, ose dorëzimin e plotë, përballë pronarëve të këtij sektori nga ana e Kryeministrit.
Duke qenë se çdo veprimtari kolektive përbën rrezik për shpërndarjen masive të virusit Corona, dhe duke qenë se sistemi ynë shëndetësor pranohet prej të gjithëve, tashmë dhe prej z. Rama, se është tepër i dobët për të përballuar një epidemi masive, rrjedhimisht çdo veprimtari kolektive do të duhej të ishte ndaluar përpos proceseve jetike (prej sistemit ushqimor deri tek sigurimi i energjisë dhe ujit). Për shembull, në vendin fqinj ku eksportohen produktet tona fasone, Kryeministri italian Konte, me datë 22 mars 2020, u shpreh se ka vendosur të mbyllë në të gjithë territorin çdo veprimtari prodhuese që nuk është e domosdoshme për jetën e qytetarëve. Ai është shprehur se për të marrë këtë vendim ku përfshihen edhe fasonët është konsultuar për një kohë të gjatë me sindikatat dhe palët e tjera të interesit.
Ndërsa, pas protestave të punëtorëve të fasonerive, më 12 mars Edi Rama është shprehur se këto subjekte do të mbylleshin për t’iu nënshtruar një inspektimi të rreptë ku në rast shkeljesh të sigurimit të shëndetit të punëtorëve, ruajtjes së distancave mes tyre dhe dezinfektimit të ambientit, kompanitë jo vetëm që do të mbylleshin, por edhe do të merrnin përsipër kostot e mbylljes dhe dënime të tjera nga shteti. Pas kësaj deklarate të Kryeministrit ka patur gjobitje të disa subjekteve për mungesë të kushteteve sanitare, por po ashtu nga dëshmitë për redaksinë e nyje.al, nuk kanë munguar as rastet e inspektorëve shtetëror që i kanë vizituar fabrikat më shumë në formë qokash me pronarët sesa për inspektimin e kushteve të punëtorëve.
Në këtë situatë kaq kritike për vendin, reagimi i duhur do të ishte mbyllja e plotë e këtij sektori i cili nuk është jetik për sigurinë publike, shëndetin e qytetarëve dhe zinxhirin ushqimor. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një sektor i cili nuk ka sindikata që i japin zë problemeve dhe kërkesave të punëtorëve. Qartazi Kryeministri u beson më shumë pronarëve të fasonerive dhe disiplinës së tyre të centralizuar sesa vetvetes. Me fjalët e tij, po na thotë se këta pronarë janë më të shqetësuar për shëndetin e punëtorëve dhe sistemin tonë spitalor sesa është vetë ai. Përndryshe, nuk do t’i linte të operonin.
Ndërkohë, masat për ndalimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në Shqipëri janë në përshkallëzim e sipër. Dënimet me akte normative shoqëruar me tonin agresiv të Kryeministrit veç sa ia kanë nisur, siç na vjen nga ligjërimi i tij. Nuk është larg mendsh të mendojmë një Shqipëri me policim të plotë dhe fabrika në punë për muaj të tërë. Bashkëprania e këtyre dy masave nuk e siguron shëndetin e punëtorëve dhe po i çorodit edhe më shumë qytetarët.
Ashtu siç po duam të kujdesemi për të moshuarit, po ashtu na duhet të kujdesemi për çdo qytetar tjetër, përfshirë këtu edhe punëtorët e punëtoret të cilat e ndjejnë trysninë e trefishtë të fabrikës, virusit dhe familjes mbi supet e tyre.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje