Rilindja urbane në Kamëz: sjell ngjyrat, ndërpret ujin.

01.08.2020 | nyje.al

Ka filluar zbatimi i projektit për rehabilitimin dhe transformimin e qendrës së qytetit të Kamzës, njoftuar që prej muajit qershor në faqen zyrtare të bashkisë Kamëz. Ky projekt synon të ndërhyjë në fasadat e pallateve të zonës qendrore të qytetit, në oborret mes pallateve dhe në sistemin e ujësjellësit.
Sipas banorëve janë rreth 40 pallate të ndërtuara prej disa dekadash në Kamëz, dhe që e kanë pasë të nevojshme që të bëhen ndërhyrje thelbësore, jo vetëm në fasadat e tyre. “Shumë mirë që po i bëjnë këto punime, ka mundësi që të vënë materiale shtesë që të na mbrojnë nga lagështira gjatë reshjeve të shiut”- shpreson një çift banorësh në lagjen e ashtuquajtur trekatëshet.
Dy banorë të tjerë, njëri prej tyre ish-punonjës i ujësjellësit në Bashkinë Kamëz shprehen me shqetësim se këto ndërhyrje në fasada kanë shkaktuar shumë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në banesat e qytetarëve. “Në ato objekte që kanë filluar tashmë t’i lyejnë, i kanë hequr depozitat e vogla të ujit në tarracat e pallateve. Banorët nuk kanë ujë për nevojat e tyre. Dhe kjo histori do zgjasë shumë” – deklarojnë banorët.
Gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të bashkisë Xhelal Mziut, fasada e pallateve të qendrës së Kamzës u lye kryesisht në blu, përzierë (më rrallë) dhe me nuanca të grisë. Në pamjet ballore të tyre, askush nuk e harron flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USA), të NATO-s dhe flamurin shqiptar. Imponimi i politikave populiste djathtiste iu mvesh qytetit (jo vetëm) edhe në emrat e shumëpërfolur të rrugëve të Kamzës.
Sakaq, ardhja e një kryetari socialist në krye të bashkisë së Kamzës, paralajmëroi ardhjen e “rilindjes urbane”. Fasadat janë të parat që preken. Bluja po transformohet. Qyteti tashmë ka shtresa të reja boje të lejlasë, kafes së ndezur, nuanca të forta të blusë, të verdhës. Ky ansambël ngjyrash duket sikur kërkon të justifikojë veten pwr shkak se nuk wshtw konsultuar me banorët e pallateve për ndërhyrjet që po kryhen.
“Kjo ngjyrë nuk më pëlqen hiç, por s’më ka pyetur kush, edhe pse banoj aty. Por kjo s’është pjesa më e rëndësishme. Kemi mbi një muaj që jemi pa ujë në shtëpi. Na i kanë hequr depozitat e vogla të ujit që na lejonin të kishim ujë 24 orë në 24, ndërsa tani mbushim enët e shpisë kur na vjen uji dy herë në ditë. Edhe ai është pa orar, dhe na vjen nga Valiasi. Jemi shumë të shqetësuar se uji është i domosdoshëm, sidomos në këto ditë vere e pandemie. Problemi është se nuk e dimë sesa do zgjasë kështu… Kanë vënë dy depozita në anë të pallatit për të provuar nëse mund të furnizojë të gjitha familjet, por deri tani nuk e dimë nëse ka funksionuar apo jo, se ne vazhdojmë të mos kemi ujë.”
Edhe disa punonjës terreni pohuan që banorëve u është ndërprerë uji, por po punojnë që të mos zgjasë shumë kjo gjendje.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje