Gjobitet administrata e Bashkisë Kamëz- nëpunësit nuk protokollojnë kërkesat e qytetarëve

nyje.al | 29.06.2019
Bashkia Kamëz bën hapa mbrapa në respektimin e të drejtave të qytetarëve të saj, pasi ka mohuar në mënyrë konsistente informacionin që duhet të bëhet publik  duke mos protokolluar kërkesat e adresuara të qytetarëve të saj. Ky regres në të drejtën për informim mbi çfarë ndodh brenda mureve të institucionit vendor, i cili presupozohet të jetë më afër qytetarëve, hedh dritë mbi mungesën e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë së nëpunësve të administratës publike, paaftësisë profesionale për të kryer detyrat në shërbim të komunitetit, si dhe marionetizimin e individëve të punësuar (e dy herë të shantazhuar) nga titullari i institucionit vetëm për të shmangur llogaridhënien institucionale dhe përgjegjësinë e zyrtarëve.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit me vendim nr. 733/5 Prot., ka marrë masën administrative me gjobë prej 150 000 lekësh ndaj personit përgjegjës pranë Bashkisë Kamëz që ka kryer shkeljen e detyrave funksionale duke mosprotokolluar kërkesat e qytetarëve. Shënohet kështu për herë të parë një praktikë administrative në qytetin e Kamzës në fushën e të drejtës për informim, duke dënuar me gjobë papërgjegjshmërinë e zyrtarëve të bashkisë.
Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” është konsideruar si ligji më i mirë i renditur i gjashti në botë, pasi revolucionarizon mënyrën e aksesit në informacionet shtetërore/publike nga ana e qytetarëve në një kohë të reduktuar ( nga 40 ditë me ligjin e vjetër, në 10 ditë pune me ligjin e ri) pa qenë nevoja që të  shpjegohen arsyet apo të motivohet kërkesa e dërguar ndaj cilitdo institucion.
Grupi i aktivistëve ATA, që vepron dhe punon prej më shumë se 5 vitesh në Kamëz, për shkak të aktivitetit të tij shumëdisiplinor (ligj, gazetari, kulturë) ka dërguar vazhdimisht kërkesa për informacion pranë bashkisë. Këto kërkesa, mbështetur në ligjin për të drejtën e informimit kanë qenë të fushave të ndryshme, ndër të tjera informacione bazike mbi takimet dhe konsultimet publike, mbledhjet dhe vendimet e këshillit bashkiak të Kamzës, marrëveshjet dhe kontratat e lidhura mes bashkisë dhe subjekteve private, kalendarët e aktiviteteve kulturore, investimet infrastrukturore në qytet etj.
Pavarësisht këmbënguljes së grupit ATA për të aksesuar informacione që pa të drejtë janë mohohuar në kohë, tendenca e bashkisë, Koordinatorit të së Drejtës për Informim si dhe personave përgjegjës për protokollimin e kërkesave të qytetarëve ka qenë neglizhuese e mohuese duke keqpërdorur të gjitha hapësirat ligjore apo lehtësirat e krijuara pas seancave dëgjimore të zhvilluara në prani të Komisionerit për të drejtën e Informimit, duke mohuar nëpërmjet vonesës apo refuzimit një nga të drejtat kushtetuese të njeriut: e drejta për t’u informuar.
Me datë 21 shkurt të vitit 2019, Grupi ATA i drejtohet bashkisë Kamëz me kërkesën për informacion mbi një nga ngjarjet më të ndjeshme mjedisore për banorët e Laknasit, tjetërsimit dhe dhënies me qera të zonës pyjore “Plepat e Brukës” ndaj një subjekti tregtar, që kishte qëllime biznesi. Objekt i kërkesës ishte vënia në dispozicion të vendimit të këshillit bashkiak me të cilin zona e ashtuquajtur “Plepat e Brukës” i jepej me qera nga Bashkia Kamëz subjektit privat tregtar “BIOPRODUCTS” shpk, si dhe bashkangjitur një kopje e kontratës së qirasë mes kryetarit të bashkisë Xhelal Mziut dhe subjektit “BIOPRODUCTS” shpk.
Rreth dy muaj më pas, më 24 prill, për shkak të pamundësisë për të siguruar informacionin e kërkuar në rrugë zyrtare që me kërkesë të parë, ripërsëritet kërkesa me të njëjtin objekt duke kërkuar vendimin e këshillit bashkiak për miratimin e dhënies me qira të zonës pyjore “Plepat e Brukës” si dhe kopje e kontratës së qerasë së nënshkruar. Si pasojë e moskthimit të përgjigjes nga ana e bashkisë dhe me pretendimin që i është shkelur e drejta për informim,  Grupi ATA i drejtohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit nëpërmjet ankesës nr. 773 Prot., dt. 15.05.2019 duke i kërkuar ushtrimin e kompetencave që ia njeh ligji në rastet e refuzimit të përgjigjes nga institucioni kompetent.
Koordinatori i të drejtës për informim pranë Bashkisë Kamëz, nëpërmjet një komunikimi elektronik lajmëron institucionin e Komisionerit që kërkesa në fjalë nuk figuron e regjistruar pranë protokollit të Bashkisë. Si pasojë e kompleksitetit të ngjarjes, Komisioneri pasi vërteton nëpërmjet postës dhe hetimit administrativ që shkresa ka mbërritur në zyrat e bashkisë dhe është marrë në ngarkim nga zyra e protokollit, përcakton dhe një seancë dëgjimore mes palëve të interesuar. Përgjatë seancës së zhvilluar më 05.06.2019, përfaqësuesi i Autoritetit Publik vë në dispozicion të ankuesve informacionin e kërkuar, duke përmbyllur kështu ciklin e marrjes së informacionit i cili në vend se të zgjaste 10 ditë sipas parashikimeve ligjore, u mundësua në 5 muaj për shkak të vonesave të qëllimshme të bashkisë.

Pjesë e shkëputur nga vendimi i Komisionerit për të drejtën për Informim
Pjesë e shkëputur nga vendimi i Komisionerit për të drejtën për Informim

Edhe pse në fakt dukej e ezauruar kërkesa për informacion, procesi i hetimit administrativ nxjerr në pah keqfunksionimin e procesit të punës pranë bashkisë. Kërkesa e dërguar gjurmohet dhe rezulton se është marrë nga një prej punonjëseve të bashkisë, por për arsye që nuk dihen personi përgjegjës nuk e ka administruar atë nëpërmjet regjistrimit në regjistrin e protokollit, duke mos vënë në dijeni Koordinatorin e të Drejtës së Informimit. Për shkak të kësaj, Komisioneri në vendimin e tij argumenton se personi përgjegjës ka marrë përsipër ad hoc funksionet e Koordinatorit, dhe ka manovruar me qëllim që të shmangë llogaridhënien institucionale, e cila në fakt përbën një nga qëllimet kryesore të së drejtës së informimit. Ndaj, pas një vlerësimi  të situatës dhe fakteve të mbledhura, me dt. 12.06.2019 Komisioneri merr vendimin e vendosjes së sanksionit administrativ me gjobë në shumën e 150 000 lekë ndaj personit përgjegjës në Bashki.

Ndërkohë është gjithashtu në proces shqyrtimi ankimi i rradhës mbi refuzimin e një serie kërkesash për informacion të adresuara në kohë nga grupi ATA, e që do të shqyrtohet në seancën e datës 4 korrik 2019 në praninë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Me vend do të ishte reflektimi që çfarë fitohet kur nuk goditet mosfunksionimi i procesit të rregullt të punës së administratës nëse nuk i shkohet në rrënjë problemit dhe nuk identifikohet përgjegjësi i vërtetë i “urdhërit të madh”. Debatet mes “intencionalistëve” dhe “funksionalistëve” kanë ekzistuar mes historianëve të projekteve gjenocidale, dhe vazhdojnë edhe sot. Njëra palë ia atribuon idenë dhe vendimin e prerë një personi të vetëm, e që për t’u realizuar priten vetëm plotësimi i disa kushteve të tjera. Ndërsa pala tjetër mbështet idenë që ‘Njëshi’ mund të ketë të qartë vetëm vizionin e një projekti, por hapat praktik dhe mënyra sesi të realizohet mund të ndërmerren veç nga aparati i madh burokratik.
Siç thotë dhe Bauman “Burokracia e merr punën e saj, aty ku e lënë vizionarët. Burokracia nuk ka nevojë për gjë tjetër përveçse për përkufizimin e detyrës së saj. Përfundimi i detyrës mund t’i besohet lehtësisht racionalitetit dhe efikasitetit të burokratëve. Tendenca e të gjithë burokracive është që të harrojnë qëllimin e parë dhe të përqëndrohen mbi mjetet- mjetet që i kthejnë në qëllim.” Kjo goditje e lehtë administrative, mundet të shkaktojë një prishje të rutinës dhe vrullit të burokracisë së Kamzës, si dy mekanizmat që kanë ndihmuar për ta mbajtuar të angazhuar në mënyrë konsistente për të realizuar një projekt final: refuzim, përjashtim, mbyllje.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:3 Comments

This Post Has 3 Comments

Lini një përgjigje