Letër nga Burgu i Birmingamit – gusht 1963

Pavjo Gjini | 15.04.2019 | nyje.al 

Foto e shkrepur gjatë marshimit nga Selma në Montgomeri, 1965 (Spider Martin nga ekspozita “Selma March 1965”)

Martin Luther King Jr. ishte akademik, pastor baptist dhe aktivist i shquar i lëvizjes për të drejtat civile në Amerikën e viteve ’60, deri në momentin kur vritet më 4 prill të 1968-s.
Letra e mëposhtme u shkrua më 16 prill të vitit 1963, ndërkohë që Kingu qëndronte në burgun e Birmingamit i arrestuar ndër të tjerë më 12 prill për pjesmarrje në fushatën e Birmingamit nga aktivistë të të drejtave civile. Fushata u drejtua nga Lëvizja e Krishterë për të Drejtat e Njeriut në Alabama dhe nga Shoqata e Drejtuesve të të Krishterëve të Jugut. Aksionet e para ndodhën në fillim të prillit me marshime, zaptime, bojkotime dhe aksione të tjera kundër segregimit1 në Birmingam të Alabamas.
Letra e Kingut është kundërpërgjigje ndaj deklaratës publike “Thirrje për Unitet” të lëshuar nga tetë figura fetare të bardha nga Jugu i SHBA-së të cilët bënin thirrje për maturi dhe qetësi. Kingu argumenton gjerësisht arsyet dhe domosdoshmërinë e aksioneve direkte paqësore të ndërmarra nga lëvizja për të drejtat civile.
Letra u shkrua në copa gazetash, letrash dhe fletore shënimesh. Tashmë ajo konsiderohet si një tekst klasik në eseistikën politike amerikane dhe botërore. Letra është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm sesi mbrohet një akt politik dhe sesi parashtrohet në gjuhë dhe në tekst akti. Logjika dhe ndjeshmëria e tij, mendimi dhe lëkura e tij janë të pandashme në këtë tekst. Kjo letër na tregon se një eseistikë e mirë është politika e bashkimit dhe e përkimit të ndjeshmërisë me logjikën.
Më poshtë është përkthimi i letrës së plotë.
Nga Martin Luther King, Jr.
Ndërkohë që jam i izoluar në burgun e qytetit të Birmingamit, më ra në dorë deklarata juaj e fundit që i quante aktivitetet tona aktuale si “të pamatura dhe të parakohshme”. Rrallëherë, për të mos thënë kurrë, ndalem t’u përgjigjem kritikave ndaj veprimtarisë dhe ideve të mia. Nëse do vendosja t’iu përgjigjesha të gjitha kritikave që kalojnë nga tavolina ime e punëve, sekretaret e mia do të merreshin me pak gjë tjetër përgjatë ditës dhe mua nuk do të më mbetej më kohë për veprimtari konstruktive. Ama, meqë e ndjej se jeni burra përnjëmend të një vullneti të mirë dhe se kritikat tuaja janë të sinqerta, do të doja t’i përgjigjesha deklaratës suaj në terma, shpresoj, të duruar dhe të arsyeshëm.
Mendoj se duhet të tregoj arsyen e qenies sime në Birmingam, meqë qenkeni ndikuar nga argumenti i “të jashtëmve që fusin hundët brenda”. Kam nderin të shërbej si President i Konferencës Jugore të Udhëheqjes së Krishterë, një organizatë që operon në çdo shtet të jugut, me seli qendrore në Atlanta, Xhorxha. Kemi rreth 85 organizata anëtare në të gjithë Jugun, njëra prej të cilave është e Lëvizjes së Krishterë për të Drejtat e Njeriut në Alabama. Kurdo që është nevoja dhe mundësia, bashkëndajmë me anëtarët tanë stafin, burimet financiare dhe ato edukative. Disa muaj më parë filiali ynë lokal këtu në Birmingam na ftoi të ishim gati të angazhoheshim në një program aksioni-direkt jo-të-dhunshëm nëse kështu gjykohej e domosdoshme. Menjëherë pranuam dhe kur erdhi momenti e mbajtëm fjalën. Prandaj jam këtu, përkrah me disa anëtarë të stafit tim, sepse na kanë ftuar. Jam këtu sepse kam lidhje të ngushta organizative në këtë vend.
Përtej kësaj, jam në Birmingam sepse padrejtësia është këtu. Ashtu siç profetët e shek. VIII lanë pas fshatrat e tyre të vegjël dhe e mbartën urdhëresën e tyre “kështu ka thënë Perëndia” shumë përtej kufijve të vendlindjeve të tyre; dhe ashtu siç Apostulli Pal la pas fshatin e tij të Tarsusve dhe e mbarti Ungjillin e Jezu Krishtit praktikisht në çdo katundth dhe qytet të botës Greko-Romake, edhe unë po ashtu ndihem i thirrur ta mbart ungjillin e lirisë më gjerë sesa qyteti im. Si Pali, më duhet pareshtur t’i përgjigjem thirrjes maqedone për ndihmë.
Përmëtej, jam i ndërgjegjshëm për ndërlidhjen e të gjitha komuniteteve dhe shteteve. Nuk mund të qëndroj palëvizur në Atlanta dhe të mos shqetësohem rreth asaj që ndodh në Birmingam. Padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë çdokund. Jemi të kapur në një rrjet të pashmangshëm reciprociteti, mbërthyer nga veshja e një fati të përbashkët. Çdo gjë që afekton dikë menjëherë, i afekton të gjithë tërthorazi. Kurrë më nuk e kemi luksin të jetojmë me idenë e ngushtë dhe provinciale të “agjitatorit të jashtëm”. Çdokush që jeton brenda Shteteve të Bashkuara nuk mundet të konsiderohet më si i huaj.
Ju i vajtoni demonstratat që po ndodhin aktualisht në Birmingam. Ama, më vjen keq që deklarata juaj nuk shprehte një shqetësim të ngjashëm për kushtet që i mundësuan këto demonstrata. Jam i sigurtë se secili prej jush do të dëshironte të shkonte më tutje sesa një analist shoqëror sipërfaqësor, i cili thjesht hedh sytë tek efektet dhe nuk rreket të rrokë shkaqet themelore. Nuk do të hezitoja të shprehesha se është fatkeqësi që të ashtuquajturat demonstrata po ndodhin në Birmingam pikërisht tani, por do të thoja me terma edhe më empatik se është edhe më fatkeqe që struktura e pushtetit të bardhë të këtij qyteti e la komunitetin zezak pa asnjë alternativë tjetër.
Në çdo fushatë jo-të-dhunshme ekzistojnë katër hapa bazik: përmbledhje e fakteve për të vendosur nëse padrejtësitë akoma po ndodhin, negociata, vet-purifikim dhe aksion direkt. Në Birmingam i kemi kaluar të gjithë këto hapa. Nuk mund të përgënjeshtrohet fakti se padrejtësia racore e ka gëlltitur këtë komunitet. Birmingami me shumë mundësi është qyteti më rreptësisht i segreguar në Shtetet e Bashkuara. Rastet e tij të shëmtuara të brutalitetit policor njihen në çdo cep të vendit. Trajtimi i padrejtë i zezakëve në gjykata është një realitet famkeq. Në Birmingam ka më shumë raste bombardimi shtëpiash dhe kishash zezake të pazbuluara sesa në çdo qytet tjetër të këtij kombi. Këto janë faktet e patjetërsueshme, brutale dhe të pabesueshme. Mbi bazën e këtyre, drejtuesit zezakë menduan të negocionin me udhëheqësit e qytetit. Ama, drejtuesit politikë vazhdimisht refuzuan të ofroheshin me mirëbesim e të bëheshin pjesë e negociatave.
Më pas, shtatorin e kaluar, doli mundësia për të folur me disa prej krerëve të komunitetit ekonomik. Në këto seanca negociuese disa premtime të caktuara u dhanë nga tregtarët, si premtimi për të hequr shenjat racore përçmuese nga dyqanet. Mbi bazën e këtyre premtimeve, kleriku Shuttlesworth dhe udhëheqja e Lëvizjes së Krishterë për të Drejtat e Njeriut të Alabamas pranoi të bënte thirrje për një moratorium për çdo tip demonstrate. Me shpalosjen e javëve dhe muajve, u vetëdijësuam se kishim rënë viktima të një premtimi besëthyer. Shenjat vazhduan të mbeteshin. Ashtu si në aq shumë përvoja të së shkuarës, po përballeshim me shpresa të shpërthyera dhe me hijen e rëndë të një zhgënjimi të thellë që kishte rënë mbi ne. Prandaj, nuk kishim alternativë përveç përgatitjes për aksione direkte, përmes të cilëve do të shfaqnim trupat tanë si mjet për të shtrirë çështjen tonë para ndërgjegjeve të komunitetit lokal dhe kombëtar. Nuk ishim të pavetëdijshëm për vështirësitë që implikoheshin. Për këtë arsye, vendosëm të shkonim përmes një procesi vet-purifikimi. Ia filluam me punëtori mbi demonstratat paqësore dhe vazhdimisht i shtronim vetes pyetjet, “A je i gatshëm të durosh goditjet pa u tërhequr?” dhe “A je i gatshëm të durosh agonitë e burgut?” Vendosëm ta planifikonim programin tonë të aksionit-direkt rreth sezonit të Pashkëve, duke e ditur se, përveç krishtlindjeve, kjo ishte periudha më e madhe e pazarit në vit. Me idenë se një goditje e fortë ekonomike do t’u vinte si efekt i aksionit direkt, menduam se kjo ishte koha e duhur për t’ua shtuar presionin tregtarëve për ndryshimet e nevojshme. Pastaj, u ftilluam se zgjedhjet e Marsit ishin së shpejti dhe kështu nxitimthi vendosëm ta shtynim aksionin deri pas ditës së zgjedhjeve. Kur zbuluam se Z. Conner ishte në balotazh, vendosëm përsëri ta shtynim aksionin në mënyrë që demonstrata të mos përdorej për të mbuluar çështjet. Në këtë moment ramë dakord ta fillonim dëshminë tonë paqësore ditën pas balotazhit.
Kjo tregon se nuk jemi hedhur në aksion direkt në mënyrë të papërgjegjshme. Edhe ne gjithashtu donim ta shihnim Z. Conner të humbiste, për këtë arsye shkuam shtyrje-pas-shtyrje për t’i ardhur në ndihmë kësaj nevoje të komunitetit. Pas kësaj ndjenim se aksioni direkt nuk mund të shtyhej më shumë.
Ju mund të pyesni me të drejtë, “Pse aksion-direkt, zaptime, marshime e kështu me radhë? A nuk janë negociatat një shteg më i mirë?” Keni plotësisht të drejtë në thirrjen për negociata. Përnjëmend, ky është qëllimi i aksionit tonë direkt. Aksioni direkt paqësor synon të krijojë një krizë dhe një tension krijues të tillë në mënyrë që një komunitet që ka refuzuar vazhdimisht të negociojë të detyrohet të përballet me çështjen. Synon ta dramatizojë çështjen deri në pikën që të mos mund të injorohet. Sapo iu referova krijimit të tensionit si pjesë e veprimtarisë së rezistencës paqësore. Kjo mund të tingëllojë shokuese. Ama, më duhet të rrëfehem se nuk kam frikë nga fjala “tension”. Me zell kam punuar dhe predikuar kundra tensioneve të dhunshme, por ekziston një lloj tensioni jo-i-dhunshëm konstruktiv që është i domosdoshëm për rritje. Ashtu siç Sokrati ndjeu se ishte e domosdoshme të krijohej një tensionim në mendje në mënyrë që individët të mund të përnaltësoheshin nga prangosjet e miteve dhe gjysmë-të-vërtetave në mbretërinë e lirë të analizës krijuese e vlerësimeve objektive, na duhet të qëmtojmë nevojën me pasë zektha paqësorë për të krijuar atë tensionim në shoqëri që do t’i ndihmojë njerëzit të përnaltësohen nga thellësitë e errëta të paragjykimeve e racizmit në lartësitë madhështore të dashamirësisë dhe vëllazërisë. Prandaj, qëllimi i aksionit direkt është të krijojë një situatë kaq të mbarsur me krizë që pashmangshëm do të hapë derën për negociata. Ne rrjedhimisht pajtohemi me ju në thirrjen për negociata. Tepër kohë kanë kaluar trojet tona Jugore të pllasokura në përpjekjen tragjike me jetu në monolog sesa në dialog.
Një nga pikat qendrore të deklaratës suaj është se qëndrimet tona janë të parakohshme. Disa kanë pyetur, “Pse nuk i dhatë kohë administratës së re për të vepruar?” E vetmja përgjigje që mund të jap për këtë pyetje është se administrata e re duhet shtyrë po aq sa ajo e kaluara para se të veprojë. Gabohemi keqazi nëse na duket se zgjedhja e Z. Conner do të sjellë mijëvjeçarin e ri në Birmingam. Ndërkohë që Z. Boutwell është shumë më i artikuluar dhe i sjellshëm sesa Z. Conner, të dy janë pro segregimit, të përkushtuar në mirëmbajtjen e statusquo-së. Shpresa që shoh tek Z. Boutwell është se do të tregohet mjaftueshëm i arsyeshëm të vërejë shterpësinë e rezistencës kolosale ndaj desegregimit. Ama, ai nuk do ta dallojë këtë pa presionin e militantëve të të drejtave civile. Miqtë e mi, më duhet t’ju them se nuk kemi korrur asnjë fitore të vetme në të drejtat civile pa presionin e palëkundur ligjor dhe jo-të-dhunshëm. Historia është tregim i gjatë dhe tragjik i faktit se grupet e privilegjuara rrallë heqin dorë vullnetarisht nga privilegjet e tyre. Individët mund ta qëmtojnë ndritjen morale dhe vullnetarisht ta heqin posturën e tyre të padrejtë; por, siç na e kujton ReinHold Niebuhr, grupimet janë më të rëndësishme sesa individët.
Falë përvojës së dhimbshme e dimë se liria kurrë nuk jepet vullnetarisht nga shtypësi; duhet të kërkohet nga të shtypurit. Dorën në zemër, deri më tani kurrë nuk jam angazhuar në një lëvizje aksioni-direkt që ka qenë “në kohën e duhur” sipas kalendarit të atyre që nuk e kanë vuajtur me tepri sëmundjen e segregimit. Për vite me radhë tashmë e kam dëgjuar fjalën “prit” tek kumbon në veshët e çdo zezaku me një familjaritet shpues. Kjo “prit” thuajse gjithmonë ka nënkuptuar “kurrë”. Ka shërbyer si thalidomide2 qetësuese, duke e lehtësuar për një moment stresin emocional, sa për të lindur përmes frustrimit një foshnjarak i keqformuar. Na duhet ta kuptojmë, përkrah juristit të shquar të së djeshmes, se “drejtësia tepër e vonuar është drejtësi e mohuar”. Kemi pritur për më shumë se 340 vjet për të drejtat që i kemi falë Zotit dhe Kushtetutës. Kombet e Azisë dhe të Afrikës po lëvizin me shpejtësi reaktive drejt qëllimit të pavarësisë politike, ndërsa ne akoma zgjatemi me ritëm karroce për një filxhan kafe në mensat popullore. Ma merr mendja se është e lehtë për ata që nuk i kanë provuar kurrë shpimet e shigjetave të segregimit që të thonë “prisni”. Ama, kur ke parë turma mizore që të linçojnë vullnetarisht nënat dhe baballarët dhe të mbysin motrat dhe vëllezërit si pa të keq; kur ke parë policë plot urrejtje që falë pandëshkueshmërisë të mallkojnë, të godasin, të shpërfytyrojnë dhe madje të vrasin vëllezërit dhe motrat zezake; kur sheh shumicën dërrmuese të vëllezërve tuaj zezakë prej 20 milionësh që iu merret fryma në kafazin pa ajër të varfërisë në mesin e një shoqërie të pasur; kur papritmas e kap gjuhën tek spërdridhet dhe fjalën tek belbëzon kur tenton t’i shpjegosh vajzës 6-vjeçare pse nuk mundemi të shkojmë në parkun publik të argëtimit të saporeklamuar në televizion dhe i sheh lotët tek i lëngëzojnë sytë e vocërr kur i bën të ditur se Funtown është i mbyllur për fëmijët me ngjyrë dhe i shikon retë dëshpëruese të inferioritetit që ia nisin të formohen në qiellin e saj mendor të vogël, dhe e sheh tek ia nis ta shfytyrojë personalitetin e saj të vockël duke zhvilluar pandërgjegjshëm një hidhërim përkundrejt të bardhëve; kur të duhet të sajosh një përgjigje për djalin 5-vjeçar tek të pyet me patos agonie, “baba, pse njerëzit e bardhë i trajtojnë kaq keq njerëzit me ngjyrë?”; kur ia merr me makinë rrugëve të pashtruara rurale dhe e ke të domosdoshme të flesh natë-pas-nate në cepat e parehatshëm të makinës ngaqë asnjë motel nuk të pranon; kur poshtërohesh përditë e përnatë nga tabela përçmuese që kanë të shkruar “të bardhët” dhe “me ngjyrë”; kur emri yt i parë bëhet “nigger”3 dhe i mesmi “djalosh” (pavarësisht sesa i vjetër je) dhe mbiemri të bëhet “John”, dhe kur gruas e mamasë tënde nuk i drejtohen kurrë me emërtimin përulës “Zonjë”; kur je i cytur gjithë ditën dhe i përndjekur gjithë natën për faktin se je zezak, tërë kohës duke jetuar në majë të gishtave, pa e ditur kurrë se ç’të pret dhe i pllakosur me frikëra përbrenda e urrejtje për së jashtmi; kur gjithnjë po lufton një ndjesi degjeneruese të të qenit “askushi” – atëherë do ta kuptoni se përse e kemi kaq të vështirë të presim. Vjen një kohë kur kupa e durimit derdhet dhe kur njerëzit nuk janë më të gatshëm të qëndrojnë të pllakosur në një abis padrejtësie ku përjetojnë zymtësinë e një dëshpërimi gërryes. Shpresoj, zotërinj, që mund ta kuptoni padurimin tonë legjitim dhe të pashmangshëm.
Ju po shfaqni një ankth të madh ndaj gatishmërisë sonë për të thyer ligjet. Sigurisht që shqetësimi juaj është me vend. Meqë jemi vetë shumë të zellshëm për ta nxitur bindjen ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të vitit 1954 për ndalimin me ligj të segregimit në shkolla publike, është bukur e pazakontë dhe paradoksale të na gjeni duke e thyer ligjin me vetëdije. Dikush mundet shumë mirë të shtrojë pyetjen, “Si mundeni të mbroni thyerjen e disa ligjeve dhe bindjen ndaj disa të tjerëve?” Përgjigja gjendet në faktin se ka dy tipe ligjesh: ka ligje të drejta dhe ka ligje të padrejta. Unë bie dakord me Shën Agustinin se “Ligj i padrejtë nuk është aspak ligj”.
Kështu, cili është dallimi mes të dyve? Si e përcaktojmë se kur një ligj është i drejtë apo i padrejtë? Një ligj i drejtë është një kod njerëzor që përkon me ligjin moral, ose ligjin e Zotit. Një ligj i padrejtë është një kod që është në disharmoni me ligjin moral. E thënë me termat e Shën Thoma Akuinit, një ligj i padrejtë është një ligj njerëzor i parrënjosur në ligjin moral dhe të përjetshëm. Çdo ligj që e përnaltëson personalitetin njerëzor është i drejtë. Çdo ligj që e mpakëson personalitetin njerëzor është i padrejtë. Të gjitha statujat e segregimit janë të padrejta sepse segregimi e shfytyron shpirtin dhe e dëmton personalitetin. Kështu i japin segregatorit një ndjenjë të rreme superioriteti dhe të segreguarit një ndjenjë të rreme inferioriteti. Me përdorë fjalët e Martin Buber-it, filozofit të madh hebre, segregimi e zëvendëson një marrëdhënie “Unë-dhe-ju” me një marrëdhënie “unë-dhe-gjëja” duke e përfunduar personin në statusin e gjësë. Prandaj, segregimi nuk është jo-mirë vetëm politikisht, ekonomikisht dhe sociologjikisht, por është moralisht i gabuar dhe mëkatar. Paul Tillich ka thënë se mëkati është segregimi. A nuk është segregimi një manifestim ekzistencial i ndarjes tragjike të njeriut, një shprehje e tëhuajësimit të tij përçudnues, mëkati i tij i tmerrshëm? Kështu që u bëj thirrje njerëzve t’i binden vendimit të vitit 1954 nga Gjykata Supreme sepse është moralisht e drejtë dhe u bëj thirrje të mos iu binden urdhrave segreguese sepse janë moralisht të gabuara.
Le t’i kthehemi një shembulli më konkret të ligjeve të drejta dhe të padrejta. Një ligj i padrejtë është një kod që një shumicë ia mbivendos një minoriteti, por që nuk mbahet me këmbët e veta. Ky është diskriminimi i bërë ligj. Nga ana tjetër, një ligj i drejtë është një kod që një shumicë bind një minoritet për ta ndjekur, por që minoriteti është i gatshëm ta ndjekë edhe vetvetiu. Kjo është barazia e bërë ligj.
Lejomëni të jap një shpjegim tjetër. Një ligj i padrejtë është një kod i mbivendosur ndaj një minoriteti i cili nuk mori pjesë në krijimin dhe miratimin e tij pasi nuk e pati të drejtën e votës të pacënuar. Kush mund të thotë se legjislatura e Alabamas, e cila ka kaluar ligjet e segregimit, është demokratikisht e zgjedhur? Në të gjithë shtetin e Alabamas s’është lënë metodë pa u përdorur me ndalu zezakët që të regjistrohen si votues dhe ka disa zona pa qoftë edhe një zezak të regjistruar për të votuar, pavarësisht faktit se zezakët përbëjnë shumicën e popullsisë. A mundet një ligj i themeluar në një mënyrë të tillë të konsiderohet se është strukturuar demokratikisht?
Këto janë vetëm disa nga shembujt mes ligjeve të drejta dhe të padrejta. Ka raste kur një ligj është i drejtë në letër dhe i padrejtë në zbatim. Për shembull, unë u arrestova të premten me akuzën për marshim pa leje. Kuptohet, nuk ka asgjë të keqe me një urdhër që kërkon leje për manifestim, por kur urdhëri përdoret për të ruajtur segregimin dhe për t’i mohuar qytetarëve të drejtën e parë kushtetuese për grumbullime dhe protesta paqësore, atëherë bëhet i padrejtë.
Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe me këtë lloj mosbindje civile. Mosbindja civile ka qenë sublime në rastin e refuzimit që Shadrach, Meshach dhe Abednego iu bënë ligjeve të Nebuchadnezzar-it ngaqë një ligj më i lartë moral implikohej. Është praktikuar madhërisht nga të Krishterët e parë, të cilët ishin të gatshëm të përballeshin me luanë të uritur dhe me dhimbjen dërrmuese nën tehun e xhelatit në vend se t’i nënshtroheshin ligjeve të padrejta të Perandorisë Romake. Deri diku, liria akademike është realitet sot falë faktit se Sokrati praktikoi mosbindjen civile.
Nuk mund t’ia lejojmë vetes të harrojmë se gjithçka Hitleri bëri në Gjermani ishte “ligjore” dhe gjithçka që luftëtarët hungarez të lirisë bënë në Hungari ishte e “jashtëligjshme”. Ishte e “jashtëligjshme” të ndihmoje dhe rehatoje një hebre në Gjermaninë Hitleriane. Ama, jam i sigurtë se nëse do të kisha jetuar në Gjermaninë e asaj kohe, do t’i kisha ardhur në ndihmë dhe do t’i kisha strehuar vëllezërit hebrenj edhe pse ishte e paligjshme. Nëse do të isha duke jetuar në një vend komunist sot ku parime të caktuara të shtrenjta për besimin e krishterë shtypen, besoj se hapur do të mbroja mosbindjen ndaj këtyre ligjeve anti-religjioze.
Më duhet t’iu bëj dy rrëfime të ndjera vëllezër të krishterë dhe hebrenj. Së pari, më duhet të rrëfej se përgjatë viteve të fundit jam zhgënjyer së tepërmi me të moderuarit e bardhë. Thuajse kam arritur në përfundimin fatkeq se pengesa kryesore e zezakut në përpjekjet drejt lirisë, nuk janë anëtarët e Këshillit Qytetar apo ata të Ku Kluks Klanit, por të moderuarit e bardhë, të cilët janë më të devotshëm ndaj rendit sesa ndaj drejtësisë; të cilët zgjedhin paqen negative si mungesë tensioni ndaj paqes pozitive si prani e drejtësisë; të cilët vazhdimisht thonë, “jam dakord me ju në qëllim, por nuk bie dakord me metodat e aksionit-direkt”; të cilët me begeni mendojnë se mund të hartojnë kalendarin e lirisë së një njeriu tjetër; të cilët jetojnë me mitin e kohës; dhe të cilët vazhdimisht i këshillojnë zezakët të presin derisa të vijë një “mot më i përshtatshëm”. Mirëkuptimi i mpakët i njerëzve me vullnet të mirë është më frustrues sesa keqkuptimi absolut i njerëzve me vullnet të keq. Pranimi i squllët është irritues shumë më shumë sesa refuzimi i hapur.
Në deklaratën tuaj pohonit se aksionet tona, edhe pse paqësore, duhet të denoncohen sepse precipitojnë në dhunë. Ama, a mundemi logjikisht të dalim në një përfundim të tillë? A nuk është kjo si me dënu personin e vjedhur sepse zotërimi i parave prej tij nxiti aktin e lig të hajnisë? A nuk është kjo si me dënu Sokratin sepse me përkushtimin e palëkundur ndaj së vërtetës dhe me inkursionet filozofike i ka nxitur mendjet e keqdrejtuara të popullit që ta detyronin të pinte helmzin? A nuk është kjo si me dënu Jezuin sepse ndërgjegjja e tij hyjnore unike dhe përkushtimi i pareshtur në vullnetin e Tij nxitën aktin e lig të kryqëzimit? Na duhet mbërrijmë në pikën ku, ashtu siç kanë pohuar vazhdimisht gjykatat federale, është imorale të shtysh një individ që të tërhiqet nga përpjekjet për të fituar të drejtat e tij bazike kushtetuese me arsyetimin se nxit dhunë. Shoqëria duhet të mbrojë të vjedhurin dhe të ndëshkojë hajnin.
Pata shpresuar gjithashtu se të moderuarit e bardhë do ta hidhnin poshtë mitin e kohës. Mora një letër këtë mëngjes nga një vëlla i bardhë në Teksas i cili më thoshte, “të gjithë të krishterët e dinë se njerëzit me ngjyrë do t’i marrin të drejtat e barabarta herë-do-kurdo, por a mos ndoshta jeni nën një nguti fetare tepër të nxituar? I janë dashur thuajse 2000 vjet krishtërimit që të arrijë çfarë ka sot. Mësimet e Krishtit duan kohë të zbresin në tokë”. Gjithçka është shkruar këtu mbin nga një keqkonceptim tragjik i kohës. Kjo falë nocionit irracional çudibërës sipas të cilit ka diçka në vetë rrjedhjen e kohës që pashmangshmërisht do t’i shërojë të gjitha plagët. Në fakt, koha është neutrale. Mund të përdoret ose destruktivisht ose konstruktivisht. Kam ndjesinë se njerëzit e së keqes do ta kenë përdorur kohën shumë më efektivisht sesa njerëzit e së mirës. Na duhet të pendohemi si gjeneratë jo thjesht për fjalët e liga dhe aksionet e njerëzve të këqinj, por edhe për heshtjen lemeritëse të njerëzve të mirë. Duhet t’ia dalim të mendojmë se progresi njerëzor kurrë nuk rrotullohet në rrotat e së pashmangshmes. Ai vjen me përpjekjet e palodhshme e punën këmbëngulëse të njerëzve me vullnetin me qenë bashkë-punëtorë me Zotin. Pa këtë punë të vështirë koha vetë bëhet aleate e forcave të stabilitetit shoqëror.
Aktivitetin tonë në Birmingam e keni përmendur si ekstrem. Në fillim u zhgënjeva që klerikë si unë i shihnin përpjekjet e mia jo të dhunshme si ato të një ekstremisti. Ja nisa të mendoj për faktin se qëndroj midis dy forcave kundërshtare në komunitetin zezak. Njëra është forcë e vetëkënaqësisë me zezakë të cilët, si rezultat i viteve të gjata të shtypjes, janë shteruar aq shumë nga vetërespekti dhe nga një ndjesi e të qenit dikushi sa i janë përshtatur segregimit, ndërsa nga ana tjetër disa pak zezakë të klasës së mesme të cilët, falë një diplome akademike e sigurisë ekonomike dhe falë faktit se në disa pika përfitojnë nga segregimi, pandërgjegjshëm janë bërë të pandjeshëm ndaj problemeve të masave. Forca tjetër është forcë e zemërimit dhe e urrejtjes dhe i shkon rrezikshëm afër propagandimit të dhunës. Shprehet në grupe të ndryshme nacionaliste zezake që po mbijnë në të gjithë kombin, më i madhi dhe i njohuri i të cilëve është lëvizja myslimane e Elijah Muhammadit. Kjo lëvizje ushqehet me frustrimin bashkëkohor nga ekzistenca e vazhduar e diskriminimit racor. Përbëhet nga njerëz të cilët e kanë humbur besimin tek Amerika, të cilët e hedhin poshtë plotësisht Krishtërimin dhe që kanë arritur në përfundimin se i bardhi është një djall i pandreqshëm. Jam përpjekur të qëndroj midis këtyre dy forcave, duke thënë se nuk na duhet të ndjekim as kotësinë e të vetëkënaqurve as urrejtjen e dëshpërimin e nacionalistëve zezakë. Ka një mënyrë më të mrekullueshme, atë të dashurisë dhe protestës paqësore. Falenderoj Zotin që, përmes kishës zezake, dimensioni paqësor u bë pjesë e luftës sonë. Nëse kjo filozofi nuk do të kishte dalë në pah, jam i bindur se deri më tani Jugu do të ishte duke notuar në gjak. Për më tepër, jam i bindur se nëse vëllezërit tanë zezakë i përjashtojnë si “turmë-ndjellës” dhe “agjitatorë të jashtëm” ata si ne të cilët po punojnë përmes kanaleve të aksionit-direkt jo-të-dhunshëm dhe refuzojnë t’i mbështesin përpjekjet tona paqësore, miliona zezakë, prej frustrimit dhe dëshpërimit, do të kërkojnë prehje dhe siguri në ideologjitë nacionaliste zezake, një zhvillim që do të sjellë pashmangshmërisht një makth të frikshëm racor.
Të shtypurit nuk mund të mbeten të shtypur përgjithnjë. Shtysa për liri do të shpërfaqet eventualisht. Kjo ka ndodhur me zezakun amerikan. Diçka përbrenda i ka kujtuar të drejtën e tij të lindur për liri; diçka përjashtë i ka kujtuar se mund ta fitojë. Me vetëdije dhe pavetëdijshëm, zezaku amerikan është rrokur nga ajo që gjermanët e quajnë Zeitgeist4 dhe me vëllezërit e tij zezakë të Afrikës dhe me të kaftët e të verdhët e Azisë, Amerikës së Jugut dhe Karaibeve ai po zhvendoset me ndjesinë e një urgjence kozmike drejt tokës së premtuar të drejtësisë racore. Njohja e kësaj shtyse vitale që e ka kapluar komunitetin zezak i bën menjëherë të kuptueshme demonstratat publike. Zezaku ka shumë urrejtje të ndrydhur dhe frustrim latent. I duhet t’i nxjerrë jashtë. Kështu që lëreni të marshojë herë-do-kurdo; lërjani ta bëjë pelegrinazhin e lutjeve në bashkinë e qytetit; kuptojeni pse na duhen zaptimet dhe marshimet për liri. Nëse emocionet e tij të shtypura nuk dalin në mënyra jo të dhunshme, do të dalin në shpërfaqje ogurzeza dhune. Ky nuk është një kërcënim, por fakt i historisë. Prandaj, nuk i kam thënë popullit tim, “hiqeni qafe pakënaqësinë tuaj”. Jam përpjekur t’i them se kjo pakënaqësi normale dhe e shëndoshë mund të kanalizohet përmes formave krijuese të aksionit-direkt paqësor. Sot, kjo qasje po përjashtohet si ekstremiste. Më duhet ta pranoj se fillimisht ky kategorizim që më bënë më zhgënjeu.
Ama, ndërkohë që e mendoja këtë çeshtje, gradualisht fillova të ndjej një fije përmbushje nga të konsideruarit si ekstremist. A nuk ishte Jezui ekstremist në dashuri? – “Duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që keqazi ju shfrytzojnë”. A nuk ishte Amosi një ekstremist për drejtësi? – “Më mirë të rrjedhë si ujë e drejta, Si lumë që s’shteret drejtësia”. A nuk ishte Pali ekstremist i ungjillit të Jezu Krishtit? – “Mbaj në trupin tim shenjat e Mbretit Jezu”. A nuk ishte Martin Luteri një ekstremist? – “Ja ku jam; s’mund të bëj gjë tjetër, andaj ndihmomë Perëndi”. A nuk ishte John Bunyan një ekstremist? – “Do të rri në burg deri në ditën time të fundit në vend se ta përqesh ndërgjegjen time”. A nuk ishte Abraham Lincolni ekstremist?” – “Ky komb nuk mund të mbijetojë me gjysmën skllevër e gjysmën të lirë”. A nuk ishte Thomas Jefferson një ekstremist? – “I mbajmë këto si të vërteta të vetvetishme, se të gjithë burrat janë krijuar të barabartë”. Prandaj, pyetja nuk është nëse do të jemi ekstremistë, por çfarë lloji ekstremistësh do të jemi. A do të jemi ekstremistë të urrejtjes, apo do të jemi ekstremistë të dashurisë? A do të jemi ekstremistë për mbarëvajtjen e padrejtësisë, apo do të jemi ekstremistë për kauzën e drejtësisë?
Pata shpresuar se të bardhët e moderuar do ta kuptonin këtë. Ndoshta kam qenë tepër optimist. Ndoshta kam patur pritshmëri të tepërta. Ma do mendja se do të duhej ta kisha kuptuar se pak anëtarë të një race që ka shtypur një racë tjetër mund t’i kuptojnë ose vlerësojnë  rënkimet e thella dhe dëshirat pasionante të atyre që janë shtypur dhe akoma më pak e kanë vizionin të shohin se padrejtësia çrrënjoset me aksion të vendosur, të fortë dhe të vazhdueshëm. Më vjen mirë, gjithësesi, që disa nga vëllezërit tanë të bardhë e kanë ndjerë kuptimin e këtij revolucioni shoqëror dhe i janë përkushtuar atij. Edhe pse prapëseprapë janë tepër pak në numër, janë të mëdhenj në cilësi. Disa, si Ralph McGill, Lillian Smithi, Harry Golde dhe James Dabbs, kanë shkruar rreth luftës sonë me terma elokuente, profetike dhe mirëkuptuese. Të tjerë kanë marshuar me ne përgjatë rrugëve të paemërta të Jugut. U zatetën me ne në mensa dhe udhëtuan me ne në marshimet e lirisë. Kanë vuajtur në burgjet e mbushura me buburrecë, kanë pësuar abuzimin dhe brutalitetin e policëve të tërbuar të cilët i shihnin si “të dashurit e pisët të negrave”. Ndryshe nga shumë vëllezër të moderuar, ata e rrokën urgjencën e momentit dhe e ndjenë nevojën për kundërhelmin e fortë të “aksionit” për të luftuar sëmundjen e segregimit.
Më lejoni nxitimthi të rreshtoj zhgënjimin tim të radhës. Jam zhgënjyer me kishën e bardhë dhe udhëheqjen e saj. Sigurisht, ka përjashtime që ia vlejnë të përmenden. Nuk jam i pavetëdijshëm për faktin se secili prej jush ka mbajtur disa qëndrime të rëndësishme mbi këtë çeshtje. Të përgëzoj Reverend Stallings për qëndrimin tuaj të krishterë të dielën e kaluar në mirëpritjen e zezakëve në shërbesën e Kishës tuaj Baptiste mbi baza josegreguese. Përgëzoj udhëheqësit katolikë të këtij shteti për integrimin e Kolegjit Springhill disa vite më parë.
Ama, me gjithë këto përjashtime që nuk mund të anashkalohen, me dorën në zemër më duhet të përsëris se jam i zhgënjyer me kishën. Nuk e them këtë si njëri prej atyre kritikëve të cilët gjithnjë lypin me lupë cenet e kishës. Po flas si një shërbëtor i Ungjillit i cili e dashuron kishën, i cili u rrit në gjirin e saj, i cili është mbështetur në bekimet e saja shpirtërore dhe i cili do të vazhdojë t’i qëndrojë besnik për aq sa të zgjatet korda e jetës.
Kur papritmas u katapultova në udhëheqjen e protestës së autobuzit në Montgomeri disa vite më parë, pata ndjesinë e çuditshme se do ta kishim mbështetjen e kishës së bardhë. Ndjeja se ministrat, priftërinjtë dhe rabitë e bardhë të Jugut do të ishin disa prej aleatëve tanë më të fortë. Përkundrazi, disa pak prej tyre kanë dalë haptazi kundërshtarë, duke refuzuar ta mirëkuptojnë lëvizjen për liri dhe duke i shfytyruar drejtuesit e saj; shumë të tjerë kanë qenë më tepër të kujdesshëm sesa kurajoz dhe kanë qëndruar të heshtur pas sigurisë anestezike të xhamave kishtarë.
Pavarësisht ëndrrave të mia të shkërmoqura të së shkuarës, erdha në Birmingam me shpresën se drejtuesit e bardhë fetarë të këtij komuniteti do ta shihnin drejtësinë e kauzës tonë dhe me shqetësim të thellë moral do të shërbenin si kanal përmes të cilit kërkesat tona të drejta do të mbërrinin te struktura e pushtetit. Pata shpresuar se secili prej jush do ta kuptonte këtë, por përsëri kam mbetur i zhgënjyer.
Kam dëgjuar një numër udhëheqësish shpirtërorë nga Jugu t’u bëjnë thirrje besimtarëve të tyre që t’i binden një vendimi për desegregim sepse ashtu e thotë ligji, por akoma pres të dëgjoj ministra të bardhë të thonë, “ndiqeni këtë masë sepse integrimi është moralisht i drejtë dhe zezaku është vëllai juaj”. Në mesin e një përpjekjeje madhore për ta buthtuar kombin tonë nga padrejtësia ekonomike dhe racore, kam dëgjuar shumë ministra tek thonë, “ato janë çështje sociale me të cilat ungjilli nuk ka punë”, dhe kam parë kaq shumë kisha tek i përkulen një feje tërësisht të një bote-tjetër e cila e dallon çuditshëm trupin nga shpirti dhe të shenjtën nga shekullarja.
Ka qenë një kohë kur kisha ishte e fuqishme. Përgjatë asaj periudhe të krishterët e hershëm gëzoheshin kur ishte e shkruar që të vuanin për çfarë besonin. Në ato ditë kisha nuk ishte thjesht një termometër që regjistronte idetë dhe principet e opinionit popullor; por termostat që transformonte zakonet e shoqërisë. Kurdo që të krishterët e hershëm futeshin në një qytet struktura e pushtetit shqetësohej dhe menjëherë shihte t’i dënonte si “shqetësues të paqes” dhe “agjitatorë të jashtëm”. Megjithatë ata vazhdonin me bindjen se ishin një “koloni e parajsës” që duhej t’i bindej Zotit e jo njeriut. Ishin të pakët në numër, por të mëdhenj në përkushtim. Ishin tepër të intoksikuar-në-Zot që të “frikësoheshin astronomikisht”. I sollën fundin të ligave antike të fëmicidit dhe ndeshjeve gladiatoriale.
Gjërat qëndrojnë ndryshe tani. Kisha bashkëkohore është kaq shpesh një zë i dobët, jo-efektiv dhe i pasigurtë. Kaq shpesh është mbështetësja kryesore e statusquo-së. Më tepër sesa të shqetësohet nga prania e kishës, struktura e pushtetit në komunitete ngushëllohet nga bekimi i zëshëm i kishës për gjërat ashtu siç janë.
Ama gjykimi i Zotit qëndron mbi kishën si kurrë më parë. Nëse kisha e sotme nuk e rikaplon shpirtin e sakrificës të kishës së hershme, do ta humbasë unazën e saj autentike, do ta humbasë besnikërinë e milionave dhe do të anashkalohet si klub social i parëndësishëm e pa asnjë kuptim për shekullin e XX. Takoj çdo ditë të rinj me zhgënjimin për kishën të përshkallëzuar haptazi në neveri.
Shpresoj që kisha si e tërë do t’ia dalë të përballet me sfidën e këtij momenti vendimtar. Megjithatë, edhe nëse kisha nuk i del në krah drejtësisë, nuk dëshpërohem për të ardhmen. Nuk i druhem rezultatit të luftës tonë në Birmingam dhe në të gjithë kombin, sepse qëllimi i Amerikës është liria. Edhe pse jemi të abuzuar dhe të urryer, fati jonë është i nyjëtuar me fatin e Amerikës. Ne ishim këtu para se pelegrinët të zatetnin në Plymouth. Ne ishim këtu para se lapsi i Jeffersonit të përshkruante faqet e historisë me fjalën magjike të Deklaratës së Pavarësisë. Për më shumë se dy shekuj paraardhësit tanë punuan këtu pa paga—dhe megjithatë, falë një vitaliteti të pafund populli ynë vazhdoi të ecë e të zhvillohet. Nëse mizoritë e papërshkrueshme të skllavërisë nuk mundën të na ndalnin, kundërshtitë që po na dalin përballë sot sigurisht që do të dështojnë. Do ta fitojmë lirinë tonë sepse trashëgimia e shenjtë e kombit tonë dhe vullneti i përjetshëm i Zotit janë të trupëzuar në kërkesat tona ushtuese.
Më duhet ta përmbyll tani, por para mbylljes jam i detyruar të përmend edhe një pikë të fundit nga deklarata juaj që thellësisht më ka shqetësuar. Ngrohtësisht i lëvduat forcat policore të Birmingamit për ruajtjen e “rendit” dhe “parandalimin e dhunës”. Nuk besoj se do t’i lëvdonit aq ngrohtësisht forcat policore nëse do t’i kishit parë qentë e tyre të dhunshëm tek kafshonin gjashtë zezakë paqësor të paarmatosur. Nuk besoj se do t’i lëvdonit aq shpejt policët nëse do ta këqyrnit trajtimin e shëmtuar dhe jo njerëzor të zezakëve këtu në qelitë e qytetit; nëse do t’i këqyrnit tek i shtyjnë dhe i mallkojnë gratë e vjetra dhe vajzat e reja zezake; nëse do t’i këqyrnit tek shpullojnë dhe sulmojnë burrat e vjetër dhe djemtë e rinj zezakë; nëse do t’i kishit këqyrur, siç bënë në dy raste, duke na refuzuar ushqimin sepse donim të këndonim lutjen tonë sëbashku. Më vjen keq që nuk mund t’i bashkohem lavdeve tuaja për departamentin e policisë.
Është e vërtetë se janë të disiplinuar në mbarëvajtjen publike të demonstratave. Në këtë kuptim, ata janë treguar publikisht “jo-të-dhunshëm”. Por për çfarë qëllimi? Për të mirëmbajtur sistemin e lig të segregimit. Përgjatë viteve të fundit vazhdimisht kam predikuar se demonstrimet jo-të-dhunshme e lypin që mjetet që përdorim të jenë po aq të pastra sa qëllimet që synojmë. Prandaj, jam përpjekur ta bëj të qartë se është gabim të përdorësh mjete imorale për qëllime morale. Ama, sot më duhet të pohoj se është po aq gabim, ose edhe më keq, të përdorësh mjete morale për të mirëmbajtur qëllime imorale.
Do doja t’i kishit lëvduar demonstruesit zezakë të Birmingamit për guximin e tyre sublim, gatishmërinë e tyre për të vuajtur dhe disiplinën e tyre të mrekullueshme mu midis provokimit më jonjerëzor. Do vijë një ditë kur Jugu do t’i njohë heronjtë e tij të vërtetë. Ata do të jenë James Meredithët, të cilët me guxim dhe me nje sens të mrekullueshëm qëllimësie përballojnë turmat përçmuese e armiqësore dhe vetminë pikëlluese që karakterizon jetën e pionierëve. Do të jenë të vjetër, të shtypur, gra zezake të gjymtuara, të simbolizuara në gruan 72-vjeçare të Montgomerit, në Alabama, e cila u ngrit me një sens dinjiteti dhe me njerëzit e saj vendosi të mos udhëtonte në autobuzët e segreguar dhe iu përgjigj dikujt që e pyeti në ishte lodhur me një thellësi jo gramatike, “këmbët e mia janë të lodhura, por shpirti im është në paqe”. Do të jenë të rinjtë e gjimnazeve dhe studentët e universiteteve, pastorët e rinj të ungjillit dhe një mori të moshuarish që me guxim dhe paqësisht zaptojnë mensat popullore dhe me vullnet shkojnë në qeli për hir të ndërgjegjes së tyre. Do vijë një ditë kur Jugu do ta kuptojë se kur këta fëmijë të anashkaluar të Zotit zatetën mensat në fakt po ngriheshin për më të mirën e ëndrrës amerikane dhe për vlerat më të shenjta të trashëgimisë tonë Judeo-Kristiane.
Kurrë më parë nuk kam shkruar një letër kaq të gjatë – apo më mirë të them një libër? Kam frikë se është tepër e gjatë për kohën tuaj të çmuar. Mund t’ju siguroj se do të kishte qenë shumë më e shkurtër nëse do ta kisha shkruajtur nga një tavolinë e përshtatshme, por ç’mund të bësh tjetër kur je i vetëm për ditë me radhë në monotoninë e mërzitshme të një qelie të ngushtë burgu përveçse të shkruash letra të gjata, të mendosh mendime të çuditshme dhe të lutesh me lutje të gjata?
Nëse kam thënë ndonjë gjë në këtë letër që është zvogëlim i të vërtetës dhe tregues i një padurimi të paarsyeshëm, ju lus të më falni. Nëse kam thënë diçka në këtë letër që është zmadhim i së vërtetës dhe tregues i një durimi timin që më qetëson me diçka më pak se me vëllazërimin, lus Zotin të më falë.
I juaji për kauzën e Paqes dhe Vëllazërisë,
Martin Luther King, Jr.
_________________
1 “Segregation” (fenomeni i ndarjes në vija racore a etnike të qytetarëve në jetën e përditshme në hapësira publike, shkolla, restorante, autobuza, lagje, etj) kemi vendosur ta lëmë në tekst si ‘segregim’. Fjala nënkupton ‘veçim’ dhe ‘ndarje’; kuptimi i kundërt i fjalës ‘agregim’ e cila nënkupton prirjen drejt mbledhjes dhe bashkimit.
2“Thalidomide” është medikament i ndaluar si shkaktar lindjesh anormale në vitet ‘50-‘60. Medikamenti përdorej për të parandaluar sëmundje të ndryshme, por efektet anësore të tij tek nënat shtatzëna ishin të tmerrshme. Mijëra fëmijë lindën me çrregullime fizike dhe mendore.
3 “Nigger” kemi vendosur ta lëmë njëjtë edhe në shqip. Etimologjikisht fjala nënkupton ‘zezak’, por në historinë e skllavërimit të zezakëve në SHBA përdorej prej padronëve të bardhë për t’iu drejtuar skllevërve zezakë. Fjala është pjesë e zhargonit racist në SHBA dhe përdoret për të fyer zezakët si skllevër.
4“Zeitgeist” në gjermanisht nënkupton “Shpirt” ose “Frymë” sipas konceptit të krishterë të “frymës së shenjtë” ose “shpirtit të shenjtë”. M.L.K.Jr e përdor këtë fjalëme kuptimin e “frymës së kohës” sipas interpretimit të tij nga figurimi i saj në njërën prej veprave kulmoredhe më revolucionare të filozofisë botërore, në Fenomenologjinë e Shpirtit/Frymës të filozofit gjerman G.W.F. Hegel, për të nënvizuar rreshtimin e zezakëve në mbarë botën në një “frymë të përbashkët” angazhuese dhe në një vetëndërgjegje kolektive për domosdoshmërinë e çlirimit të tyre të menjëhershëm.

  • Post comments:3 Comments

This Post Has 3 Comments

Lini një përgjigje