Një takim për Simone Weil

20.03.2019 | nyje.al
Simone Weil, një filozofe e rëndësishme e shek. XX dhe aktiviste politike ka përjetuar ekzilin, luftën, shfrytëzimin e proletariatit dhe vetmohimin, deri sa vdes në moshën 34-vjeçare. Ajo vjen për herë të parë në shqip me “Rëndesa dhe Hiri” (Pika pa sipërfaqe, 2019) përkthyer nga Blerta Hyska, e cila bëri një prezantim në hapësirën e grupit ATA.
Pyetje: Fillimisht duam të dimë se cilat janë elementet biografike në jetën e Weilit që ju kanë lënë mbresë përgjatë procesit të njohjes dhe përkthimit të veprës së saj?
Përgjigje: Së pari ju falenderoj për ftesën. Jam gëzuar kur mora vesh që Simone Weili ka gjetur tashmë lexuesin e vet. Përkthyesit bëjnë shumë punë në kushte izolimi e vetmie të plotë dhe kur e dimë që libri ka gjetur lexuesit e tij na vjen shumë mirë. Procesi i përkthimit të këtij libri ka filluar para dy-tre vitesh ndonëse është publikuar në vjeshtën e vitit 2018. Simone Weilin e kam njohur ndërkohë që e përktheja, pasi më përpara as unë nuk e njihja, e sot e kësaj dite vazhdoj ta mbaj si një libër të cilit i rikthehem vazhdimisht.
Më bënte përshtypje inkandeshenca që e ka karakterizuar jetën e saj, besimi i fortë në ato që bënte edhe pse ishte në zemër të të gjitha dramave të kohës. U përfshi shumë e re në vuajtjet e punëtorëve të uzinës me të cilët punoi për një vit, në luftën civile të Spanjës, si dhe përjetoi ekzilin përgjatë pushtimit nazist.
Çmoj shumë faktin që ajo bën pjesë te brezi i parë i grave që ka marrë një arsimim rigoroz. Edukimi i saj klasik i ka gjurmët në gjimnazin Henri i IV-të, prej nga kanë kaluar shumë autorë dhe filozofë. E më pas në shkollën normale superiore, në të cilën bënin pjesë elita e filozofëve dhe njerëzve të letrave. Lëndët kryesore të mësimit ishin gjuhët e lashta si greqishtja dhe latinishtja, si dhe lëndë të tjera kryesisht filozofi e matematikë. Ajo është ndikuar shumë nga vëllai i saj matematicien si dhe profesori i filozofisë Alain. Vlerësohej si filozofe, por refuzonte të ishte filozofe sallonesh. Nuk merrte pjesë në takime aristokrate për të folur për kënaqësinë e të folurit.
Pyetje: Për shkak të pushtimit nazist, Weili detyrohet të largohet së bashku me familjen për në Amerikë. Cili ka qenë angazhimi i saj aty?
Përgjigje: Para largimit të saj në Amerikë, ajo u vendos në një qytet të Algjerisë dhe qëndroi për shumë kohë me mikun e saj Gustave Thibon. Në sajë të bisedave me të dhe shënimeve të vazhdueshme në ditarin e saj u arrit që pas vdekjes së Weilit ato shkrime të mblidheshin dhe publikoheshin në librin e parë “Rëndesa dhe Hiri”. Më pas ajo ndoqi rrugët e eksodit dhe vendoset në Marsejë. Aty kishte krijuar një grup intelektualësh të cilët filluan të botonin në revistën letrare “Fletoret e jugut”. Mbahet si një botim me cilësi shumë të mirë. Të gjithë e konsideronin këtë angazhim si një “aventurë e bukur” e intelektualëve francezë.
Pyetje: Përse e vlerësoni të rëndësishme që njohja e Weilit të fillojë nga leximi i librit “Rëndesa dhe Hiri”?
Përgjigje: Mendoj se ky libër mund të shërbejë më së miri si hyrje për të gjitha veprat e tjera të autores. Ky libër është e kundërta e atyre librave me mendime të gatshme, u drejtohet njerëzve që kanë kohë të reflektojnë. Nëse duam ta njohim më mirë Simone Weilin dhe të rrokim atë që ka dashur të thotë përgjatë gjithë jetës së saj duhet t’ia fillojmë nga ky libër. Është i thellë, nuk lexohet shpejt dhe kërkon mendim, reflektim e vullnet për t’iu rikthyer.
Pyetje: Kur prezantojmë një autor, si një nga momentet më të rëndësishme në jetën e tij theksojmë faktin që ka vdekur në moshë të re. Susan Sontag në një shkrim të sajin për Weilin shtron mendimin se kjo mundet të jetë si shprehi e një nevoje të brendshme për të pasur një martir për çdo të vërtetë në mënyrë që ta besojmë të vërtetën, e rrjedhimisht t’i bindemi asaj. Ndërkohë që Weili nuk e konsideronte veten martire, çfarë duam të nënkuptojmë kur theksojmë jetën e shkurtër dhe veprën e madhe të dikujt?
Përgjigje: Weilin e kanë cilësuar si shenjtore laike, por ajo vetë nëpërmjet veprave të lëna pas duket që ishte kundër shenjtërisë së supozuar dhe e përçmonte martirizimin. Faktet flasin që ajo vdiq e privuar nga ushqimi si shenjë solidariteti me ata që vuanin pushtimin nazist. Ka refuzuar po ashtu të mjekohet për të luftuar sëmundjen e tuberkulozit, e cila i solli vdekjen në një moshë shumë të re. Ndoshta përmendja e vdekjes së saj të parakohshme mund të jetë një tendencë shumë njerëzore, për shkak se njerëzimi ka nevojë për mite dhe heronj.
Ajo flet te libri “Rëndesa dhe Hiri” për dy mënyra për të hequr dorë nga të mirat materiale, në të cilat shfaqet edhe qëllimi i kësaj sacrifice që është përftimi i një të mire shpirtërore.
“Të privohesh, me qëllim përfitimin e një të mire shpirtërore.
T’i konceptosh dhe t’i ndiesh si kushte të të mirave shpirtërore (shembull: uria, lodhja, poshtërimi errësojnë inteligjencën dhe bezdisin meditimin), e megjithatë të heqësh dorë.
Veç kjo mënyrë e dytë e heqjes dorë është e vetmja lakuriqësi e shpirtit”.
Pyetje: Gjuha sipas Weil-it duhet të tregojë funksionet dhe lidhjet. Cilat kanë qenë vështirësitë që keni ndeshur përgjatë procesit të përkthimit të librat “Rëndesa dhe Hiri”?.
Përgjigje: Përkthimi është një proces që të bën të jesh lexues shumë kritik dhe intim i një vepre. E kam lexuar disa herë në një version të hershëm botuar në vitin 1954, por me sharmin e librave të vjetër, si nga aroma, shkronjat dhe nga ngjyra e verdhë e fletëve. Ai libër rrezantonte diçka mistike, diçka të shndritshme. Fillimisht ai libër të jep përshtypjen sikur e ka shkruar me ato fjalë që i janë gjendur aty rrotull, por kam hasur vështirësi pasi me pak fjalë thuhej shumë. Shprehej një ide, një mendim, një përsiatje. Hasa vështirësi deri sa ia gjeta stilin dhe arrita të kuptoj dhe të sjell në shqip ato që lexoja mes rrjeshtash. Më është dashur t’i rikthehem leximeve të tjera filozofike, për shkak se autorja e merr si të mirëqenë që ne e njohim Platonin, Aristotelin etj. Ndjeja përgjegjësinë të gjurmoja tjetrin brenda vetes, të gjeja Simone Weilin dhe ta bëja të fliste shqip.
Pyetje: Weili duket që nuk beson në asnjë fe, sesa beson më shumë tek e mbinatyrshmja, te koncepti i Zotit. Çfarë është hiri dhe çfarë rëndesa për Weilin? A i përdor ajo këto koncepte si kategori analitike për të shpjeguar fenomene të përnaltësimit apo është kategori thelbësisht ekzistenciale, sikur njihet edhe në krishtërim?
Përgjigje: Rëndesa dhe Hiri është një meditim që Simone Weili ka bërë për mjerimin e qenieve njerëzore. Sipas saj rëndesa na frenon, na mban poshtë ndërsa hiri është ai që na jep vrullin, do thoja “vrullin e jetës” sipas Bergsonit. Simbas saj vetëm hiri të çliron dhe të hap portat e dashurisë hyjnore. Weilin jo rrallë e kanë krahasuar me një meteor, që ka jetuar pak por intensivisht, e angazhuar në shumë kauza dhe fronte. Ajo kishte dëshirë të kuptonte absoluten dhe kërkimi i absolutes është në qendër të librit. Sa ia doli në kërkimin e saj? S’e përcaktojmë dot, por ndjehet një thirrje drejt absolutes.
Pyetje: Keni përkthyer kryesisht nga gjuha franceze?
Përgjigje: Studimet që kam zhvilluar në Francë më kanë ndihmuar në përkthim, jo vetëm te ky libër por edhe në libra të tjerë. Kam përkthyer kryesisht autorë filozofie, sociologjie, ekonomie, romane dhe pjesë teatri, por çdo libër ka regjistrin e tij, historinë e tij. Nëse ka një gjë që e kam bërë me pasion në jetën time është mësimi i gjuhës franceze. Mësoja përmendësh tekste që mund të flisnin për peshkimin, gjëra jo shumë të këndshme, e më pas i shkruaja për të mësuar ortografinë. Ka qenë një kohë kur nuk kishte asnjë material – siç mund të kemi tani një pafundësi materialesh audio- video, në atë kohë kishim vetëm libra.
Përshtati për publikim Diana Malaj.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje