Tërmetet

01.10.2019 | nyje.al 

Sot u ndje fuqia goditëse e një tërmeti tjetër që goditi 1km larg Durrësit në orën 12:22 me magnitudë 3.7 (III Ballë) që u ndje shumë lehtë edhe në Tiranë, kryesisht në katet e larta të ndërtesave.

Në vazhdën e “lëkundjeve që vijnë si pasojë e lëvizjeve”, jemi mbledhur një grup shkencor i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme të Ndërtimit dhe Zhvillimit Urban me synimin për të përgatitur një vrojtim të shkurtuar shkencor dhe edukativ rreth tërmeteve që u ndjenë pak më shumë se një javë më parë dhe panikut publik që pasoi në kryeqytet dhe zona të tjera pranë. Me këtë përmbledhjeje duam t’i japim lexuesve një panoramë të fenomenit të tërmeteve që të mund t’i ndihmojë për të mësuar mbi situatën dhe rrjedhimisht zvogëluar panikun duke ruajtur qetësinë në rast përsëritjeje. Na duhet të theksojmë se të dhënat e mëposhtme nuk e zëvendësojnë nevojën për informim publik nga ana e autoriteteve shtetërore, mediave apo instituteve kombëtare e ndërkombëtare.

Tërmeti që goditi Durrësin më datë 21 shtator, me vendndodhje rreth 1.5 km larg bregut në afërsi të Rezervatit në Rrushkull (29 km në thellësi), i një magnitude prej 5.8 Rihter dhe intensitet VII të shkallës së Merkalit të modifikuar, u ndje me dhjetëra kilometra larg e u pasua nga një i dytë 11 minuta më vonë me 5.3 Rihter ose VI Ballë të shkallës së Merkalit (38 km në thellësi). Gjatë javës u ndjenë edhe tërmete të tjera më të vogla (nga gjithsej 62 të regjistruara, 45 prej të cilave vetëm në dy ditët në vijim), por vetëm disa prej tyre mund të dalloheshin nga shqisat e njeriut.
Të dhënat për regjistrimin e tërmeteve janë marrë nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit – http://www.geo.edu.al/newweb/?fq=hartatotal

Ndërkohë në media publike, të shtypit dhe dixhitale, u shpërnda një lajm që parashikonte ndodhinë e një tërmeti të fuqishëm në një orë të vonë të mbrëmjes pasuar nga lajme të fryra që i rendën pas. Kështu ndodhi edhe me mediatizimin që iu bë stuhisë së parë të vjeshtës dy ditët e para të javës vijuese, të cilat edhe pse ishin paralajmëruar që 5 ditë më herët, falë lidhjes mediatike besëtytnore me tërmetet i shtuan panik dhe konfuzion situatës në vend. Për fat të mirë apo jo, rrjedhoja e gjithë kësaj qe vetëm paniku i shtuar në një situatë të pazakontë për të cilën njerëzit nuk qenë të përgatitur. U vu re gjithashtu një mungesë njohurie mbi fenomenin e tërmetit, si nga ana konceptuale ashtu edhe me termat në cilat përshkruhet.

Le ta trajtojmë pak fenomenin. Tërmetet janë lëkundje në sipërfaqen e tokës që përfshijnë dhe objektet e lidhura me të si rrugë, godina, ura, shtylla infrastrukture, pemë, etj. Këto lëkundje shkaktohen nga fenomene të ndryshme fizike që shoqërohen me çlirim energjie në litosferë (lito-sfera, nga greqishtja litos-gur, shtresa më e fortë shkëmbore e akumuluar në sipërfaqen e planetit). Lëkundjet përcillen në litosferë në trajtën e valëve sizmike. Shkenca që merret me studimin e tërmeteve njihet si Sizmologjia.

Fenomenet që i shkaktojnë tërmetet i ndajmë në dy kategori sipas shkakut: me origjinë natyrore dhe njerëzore. Tërmetet me origjinë natyrore, siç janë ato të shkaktuara nga lëvizja e pllakave tektonike, shpërthimet vullkanike, lëvizjet magmatike, rrëshqitjet masive të dheut, etj. janë më të fortat dhe të rrezikshmet. Ato me origjinë njerëzore (antropogjene) që janë tërmetet nga shpërthimet masive, nga shpërthimet gjatë shpimeve për naftë, nga shpërthimet bërthamore, etj., në krahasim me fenomenet natyrore konsiderohen më të buta dhe të menaxhueshme nga perspektiva e fuqisë së njerëzimit. Tërmetet janë të vazhdueshme dhe të përhershme. Numërohen rreth 500’000 tërmete çdo vit, 100’000 prej të cilave janë të dallueshme me trup.
Ka dy sisteme kryesore për matjen e efekteve të tërmeteve:
1. me bazë intensitetin – dymbëdhjetë kategori që rendisin efektet shkatërruese të tërmeteve nga më të voglat deri te më të mëdhatë. Njësia matëse e intensitetit të tërmeteve i referohet ekuacioneve të vullkanologut italian Giuzeppe Mercalli të modifikuara për standardet e sotme. Këto shkallë shënohen zakonisht me numra romak, ndërkaq në Shqipëri ndarjet e këtij kategorizimi shprehen me Ballë.
2. me bazë magnitudën – 9 intervale numerike që në mënyrë të thjeshtuar shprehin amplitudën e lëkundjes dhe energjinë e çliruar në distancë nga burimi i tërmetit. Njësia matëse e magnitudës së tërmeteve është Rihter, marrëveshje në nder të sizmologut amerikan Charles Francis Richter. Për shkak të bazës logaritmike të shkallës, rritja me një numër të plotë në magnitudë, përfaqëson rritje 10 herë në amplitudë dhe rreth 30 herë në energji të çliruar.

Nga natyra e fenomenit tërmetet janë TË PAPARASHIKUESHME në kohë, vend dhe fuqi – ato janë vetëm të pritshme në bazë të kohës, vendit dhe fuqisë me të cilën kanë goditur në të kaluarën. Kjo është e mundur falë kohës miliona vjeçare të cikleve litologjike (shkëmb-formuese) në krahasim me jetëgjatësinë e njeriut. Hartat sizmike ekzistojnë dhe mund të gjenden lehtë.

Zona të ndryshme të planetit kanë ngjarje sizmike me magnitudë dhe perioda të ndryshme: p.sh. i gjithë territori i republikës së Shqipërisë luhatet nga intensiteti VI deri në IX. Prof. Dr. Luljeta Bozo (Inxhiniere Ndërtimi) krahas pozicionit gjeografik midis dy pllakave tektonike (Euroaziatike dhe Afrikane) thekson ekzistencën e tre çarjeve të mëdha tektonike në vendin tonë: ajo e bregdetit veri-jug, Shkup-Dibër e Madhe-Tepelenë, dhe ajo Korçë-Pogradec-Greqi. Këto çarje janë identifikuar qartë nga Instituti i Sizmologjik në botimin Seismic Regionalization of the PSR of Albania, Academy of Science – Seismological Center, Tirana: 1980.
Nga I deri në III Ballë (intensiteti 1.0-3.9) tërmetet janë nga të pandjeshme deri në të ndjeshme lehtshëm dhe janë të padëmshme për strukturat e godinave civile. Nga IV deri në IX Ballë (4.0-6.9 Rihter) janë të rrezikshme deri në vdekjeprurese por të menaxhueshme nga njeriu. Këtu përfshihen të gjitha kategoritë të cilat mund të mbijetohen nga njerëzit. Nga IX deri në XII Ballë (mbi 7.0 Rihter) nuk ka më dorë njeriu që të ndërhyjë në situatë dhe nëse i shpëton gjallë probabilitetit gati të pamundur ndodh vetëm për shkak të fatit.

Tërmetet shkaktojnë dëme me kosto shumë të mëdha riparimi veçanërisht në vepra të mëdha ndërtimi si diga, ura, tunele, etj., me raste dhe të pa-riparueshme. Krahasimisht, dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 21 qenë minimale (kryesisht plasaritje suvash, krisje xhamash, etj.). Në të shkuarën në Shqipëri ka pasur tërmete me dëme shumë më të mëdha, si ai që goditi fushën e Myzeqesë me M=6.2 (XVIII-IX) në vitin 1959 me rreth 1’000 shtëpi të shkatërruara, Librazhd e Dibër me M=6.6 (IX) në vitin 1967 me 12 viktma, 174 te plagosur e 6’300 ndërtesa të shkatërruara, në Shkodër në vitin 1979 me M=6.7 (IX) me 40 viktima e rreth 17’000 shtëpi të shkatërruara. Ndërkaq në botë ka pasur tërmete edhe më të forta, si ai në Japoni me M=7.8 në vtin 1983 (VIII), Alaskë me M=8.7 në 1965(VI), apo në Sumatra me M=9.1 në 2004 që u shoqërua dhe me cunami të fuqishme. Më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë ka ndodhur në Kili në 1960 me M=9.5 (XII) me 1’000 – 7’000 viktima dhe rreth 2’000’000 të pastrehë. Ai zgjati rreth 10 minuta, përndryshe nga ai i Durrësit që zgjati 17 sekonda.

Sipas standardeve të projektimit në vendin tonë (KTP 1989), objektet e sotme civile ndërtohen me siguri relativisht të lartë antizismike (më shumë se VII Ballë). Për shembull, objektet e ndërtuara para 1990 nuk i tremben tërmeteve të magnitudës së 21 shtatorit. Godina e Teatrit Kombëtar përfaqëson një rast të veçantë të teknologjisë së materialeve të ndërtimit, edhe pse daton ende më herët, sepse është përdorur pupulit në ndërtimin e mureve të saj gjë që e bën më të lehtë, rrit elasticitetin dhe durueshmërinë e mureve nga lëkundjet e objektit, ndërkohë që struktura e kombinuar beton-arme dhe dru mban objektin në këmbë. Vlen të theksohet se materiali i pupulitit (me bazë fibrash plepi) duke qenë mirëfilli ekologjik (i degradueshëm në natyrë), në teknologjinë e atëhershme të ndërtimit ka qënë shumë inovativ. Kjo gjë e bën godinën e sotme të Teatrit Kombëtar që të jetë edhe një monument promovues i teknologjisë së ndërtimit të shëndetshëm edhe sot.

Mirëpo ai kod (KTP 1989) që vazhdojmë ende ta përdorim edhe sot, kur hyri në fuqi i referohej planeve të vjetra të shtrirjes urbane të qyteteve dhe projektimeve për zhvillim dhe rritje në vitin 1989. Sot planet, kuadri ligjor për rritje e zhvillim si dhe vizioni strategjik kanë ndryshuar deri me dhjetëra herë, por kurrë nuk u përditësuan standardet e projektimit. Vlen të kujtojmë që objektet e ndërtuara në mënyrë të lirë nga teoria e praktikave të ndërtimit dhe vendbanimeve nuk përfshihen as te standardet e vjetra as te të rejat. Ato i përkasin një periudhe të errët të qytetërimit modern të pa-reflektuar mjaftueshëm shoqërisht, trajtuar shpesh si periudha e “ndërtimeve të paligjshme” tashmë e përbrendësuar në instrumentat më të rëndësishëm të planifikimit vendor (Planet Vendore). Çështja e ndërtimeve “të paligjshme” nuk mund të rregullohet as vetëm me ligj e aq më pak me “legalizim”. Sepse legalizimi i një situate të rëndë vetëm mund ta rëndojë gjendjen. Për ta përmirësuar atë nevojiten studime të thelluara me inspektime profesionale në çdo objekt të tillë, me synimin për të llogaritur dhe marrë masat e nevojshme të ndërhyrjes për ta kthyer objektin e ndërtimit ose habitatin në gjendjen e tij të banueshme.

Por përveç objekteve të ndërtuara “në mënyrë të lirë” jashtë standardeve, janë edhe objektet e ndërtuara “me detyrim” jashtë standardeve. Siç thekson Prof. Dr. Fisnik Kadiu (Inxhinier Ndërtimi), disa projektues sot i referohen EuroKodeve për të projektuar. Mirëpo përveç faktit që mbetet në përgjegjësinë personale përdorimi i tyre (sepse me ligj duhen respektuar ato të 1989), EuroKodet duhet të përshtaten sipas zonave gjeografike në mënyrë që të përdoren.
Thënë ndryshe, godinat civile projektohen me synimin që të jenë hapësirat më të sigurta në të gjitha rastet e përballueshme të tërmeteve (me intensitet nga I-IX). Por inxhinierët në Rep. e Shqipërisë janë të detyruar ose të rrezikojnë sigurinë e banorëve duke projektuar me standarde të papërputhshme me kërkesat e reja për ndërtime, ose të rrezikojnë profesionin me burg duke llogaritur jashtë kërkesave ligjore, por brenda parametrave të sigurisë teknike bashkëkohore.

Për sigurinë ndaj tërmeteve masat që merren ndahen në dy kategori: masa paraprake dhe masa urgjente pas katastrofave. Masat paraprake i kanë katër shtylla kryesore të siguruara nga shteti:
a. Standardet e projektimit të objekteve në territor, si Kodet e projektimit për sigurinë në godinat civile, shpërndarje e zonave të lejuara për ndërtime, masa e detyrueshme antisizmike, etj.
b. Parapërgatitja e shërbimeve të urgjencave për rreziqet e tërmeteve me kapacitete dhe pajisje, si spitalet, zjarrfikëset dhe policia.
c. Edukimi me fenomenin dhe sjelljen, në shkolla – kopshte, media, bashki, institute shkencore dhe sizmologjike, etj.
d. Ushtria, që është masa më e madhe dhe efektive e organizimit për të gjitha rastet e fatkeqësive, pa përjashtim.

Nëse ndodh që të kapërcehen të gjitha masat para-përgatitore, atëherë hyjnë në punë shërbimet e urgjencave pas katastrofave. Ato ngrihen në formën e shtabeve të urgjencave që funksionojnë për një kohë, vend dhe synim të caktuar (Ad hoc) në varësi të rasteve. Këto zakonisht kërkojnë vëmendjen dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë me plane veprimi, financa dhe mjete operative.

Mirëpo, përveç masave shtetërore, pasi bie tërmeti është e rëndësishme të dihet se si veprohet kur të zë tërmeti deri në momentin që vjen ndihma.
Pikësëpari kur bie tërmet, të synosh të dalësh në rrugë gjatë lëkundjeve është gjëja më e gabuar. Aq më shumë në qytetet e mëdha të sotme ku falë ndërtimit të çrregulluar në nivel Bashkiak për tre 3 dekada me radhë vazhdojnë të rriten hapësirat e ngushta urbane, objektet gjithnjë e më të larta, distancat mes tyre gjithnjë e më jashtë kushteve të banimit në territor, infrastruktura gjithnjë e më e dobët dhe e çorganizuar.
Duke vrapuar, gjatë lëkundjeve rrezikohet vetja që të rrëzohet nga humbja e ekuilibrit ose të goditet nga sende të forta që mund të shkëputen nga lartësitë (vazo, antena, etj.). Vetëm pasi pushojnë lëkundjet mund të organizohet dalja e banorëve në masë për t’u siguruar që të gjithë janë mirë dhe struktura e godinës dhe rrjetet inxhinierike të saj (si ai i gazit, ai elektrik, etj.) nuk përbëjnë rrezik nga një goditje e dytë e mundshme, që ndodh në raste të caktuara.

Brenda godinave të sotme kafazi i shkallëve dhe katet e para së bashku me bodrumet janë pjesa më e qëndrueshme dhe e sigurtë, si pjesa më e fortë dhe kompakte e strukturës mbajtëse të objekteve shumëkatësh në ndërtimet me beton të armuar. Megjithatë, në rastet e tërmeteve shumë të fuqishëm (mbi IX Ballë) kati përdhe mund të shembet prandaj qëndrimi në katet e para duhet shmangur. Gjithashtu, në ndërtimet e ngjashme me ato të Tiranës sot, ku katet e para janë me hapësira tregtare me vetrata duhet bërë kujdes, veçanërisht sepse rreziku për t’u dëmtuar nga ciflat e xhamave, shkundjet e mobilerisë (përgjithësisht me ekspoztorë e vitrina) dhe avaritë në infrastrukturë është shumë i lartë. Nëse ndodh që tërmeti të zë në ambjente shtëpie, ajo që mund të bëhet është të ruhet qetësia, të zihet një vend i sigurt ku nuk bien gjëra nga lart (si p.sh. poshtë rafteve apo kontrabufeve) dhe maksimumi të futesh poshtë tavolinës, krevatit apo thjesht poshtë një dere për t’u mbrojtur nga rënia e mundshme e ndonjë pjese të suvasë. Ruani qetësinë dhe prisni aty deri kur të mbarojnë lëkundjet.

Në rast të tërmeteve të forta, nëse pas lëkundjeve gjenden persona të lënduar pranë jush, është mirë të njoftohet menjëherë urgjenca dhe të mos preken të lënduarit deri sa të vijë një person i kualifikuar që të veprojë. Tentativa të caktuara nga persona të pa-kualifikuar për të asistuar në forma të ndryshme persona të plagosur por jashtë rreziqeve imediate për jetë, shpesh çojnë në dëmtimin e tyre të mëtejshëm.

Për sa i përket panikut që krijohet, duhet mbajtur parasysh që duhet synuar ruajtja e qetësisë pasi në fund është ajo që mund të japë sadopak mundësi për të siguruar fillimisht veten dhe pastaj të tjerët. Frikërat janë irracionale dhe priren të ri-thërrasin në mendjen e personit ndëshkimet imagjinare të pritura nga veprime të shkuara, të padrejta në gjykimin e tij. Kur një ngjarje e përbindshme si tërmeti godet, krijohet një shoqërim idesh i gabuar, ku veprimet e padrejta të së shkuarës lidhen me ngjarjen e tashme, sikur ajo të ishte ndëshkimi i posaçëm për to. Frika thërret frikërat e së shkuarës, prandaj dhe disa mbërthehen më fort se të tjerë; prandaj dhe fëmijët nuk mbërthehen nga frika.
Prandaj herës tjetër, ruani qetësinë dhe përqendrohuni të bëni atë që dini se mund të bëni, pa kaluar masën.

Tërmeti i datës 21 Shtator nuk ishte në kategorinë e tërmeteve shkatërrimtare karakteristike për vendin tonë. Ai na shërbeu më shumë si një paralajmërim për masat përgatitore, sigurinë teknike të ndërtimeve dhe për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar. Vetëdija për gjendjen është ajo që shpëton mendjen nga makthet dhe marrëzia.

Tiranë, 01.10.2019

P.U. Kedis Burrja
Ark.
Sindi Toka
Ark. Arnel Cela
Ing. Armand Haxhia
Ing. Elias Nikolli

 

Leave a Reply